Muzeu i Neonit në Varshavë nxit rikthimin e interesit për reklamat prej neoni dhe estetikën e Luftës së Ftohtë. Pas rënies së komunizmit, reklamat u lanë të ndryshken derisa themeluesit e muzeut filluan t’i mbledhin dhe t’i restaurojnë ato. Varshava mori reklamën e saj të parë prej neoni në vitin 1926, por vetëm disa nga rreth 70 që pasuan, i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore kur nazistët pushtues shkatërruan deri në 90 për qind të qytetit, si hakmarrje për Kryengritjen e Varshavës në vitin 1944 nga rezistenca polake
Autor: Kim Willsher
Ndërsa përballeshin me dekada të errëta të Luftës së Ftohtë, reklamat prej neoni të Varshavës u bënë simbole të dritës, ngjyrës dhe shpresës për ditë më të mira. Ajo që kishte nisur si një formë propagande sovjetike, nxiti një valë krijimtarie në kryeqytetin polak që as autoritetet komuniste nuk mundën ta shtypnin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor pas përfundimit të komunizmit në fund të viteve ‘80, shumë prej këtyre shenjave humbën funksionin e tyre dhe filluan të zhduken, duke u lënë të ndryshken aty ku ishin ose duke u hequr e dërguar për skrap.
Disa dekada më vonë, neoni po përjeton një rilindje në qytet. Shumë reklama historike janë restauruar dhe të reja po krijohen posaçërisht për bare dhe restorante, si një homazh ndaj së kaluarës.
Ndërkohë, Muzeu i Neonit në Varshavë, i themeluar në vitin 2012 nga Ilona Karwińska, një fotografe polako-britanike, dhe partneri i saj David Hill, dizajner grafik, tërheq më shumë se 100 mijë vizitorë në vit për të parë koleksionin e tij të ndriçimeve të epokës së Luftës së Ftohtë.
“Kur e nisëm këtë iniciativë, reklamat e neonit ishin të padëshiruara dhe të pavlerësuara. Ishin të vjetra dhe të ndryshkura. Shumë prej tyre po hiqeshin dhe hidheshin në mbeturina”, ka thënë Hill për interesin e çiftit ndaj këtyre reklamave, i cili filloi gjatë një vizite në Varshavë në vitin 2006.
“Ilona vendosi të fotografonte ato që kishin mbetur ende si pjesë e një projekti personal. Mendonim se do të zgjaste disa muaj dhe më pas do t’i ktheheshim jetës sonë. Tani kjo është jeta jonë. Jemi bërë të fiksuar pas neonit”, ka thënë Hill.
Pasi fotografitë e Karwińskas u ekspozuan dhe u përfshinë në disa libra bestseller, njerëzit filluan të ofronin reklama të tilla, gjë që çoi në hapjen e muzeut në vitin 2012.

“Kjo tregoi interesin dhe dashurinë që njerëzit kishin për to, edhe pse mendohej se nuk kishin më vlerë shoqërore apo kulturore”, ka thënë Hill.
Reklamat me neon u shfaqën në fillim të shekullit XX, pas zbulimit të gazit në vitin 1898 nga kimistët britanikë, William Ramsay dhe Morris Travers. Inxhinieri francez Georges Claude ishte pionier i përdorimit të energjisë elektrike me tension të lartë që kalon nëpër tuba qelqi të mbyllur, të mbushur me gaz neon dhe argon – reklama e parë komerciale me neon iu shit një berberi në Paris në vitin 1913. Një dekadë më vonë, reklamat “nga zjarr i lëngshëm” u prezantuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Varshava mori reklamën e saj të parë me neon në vitin 1926, por vetëm pak nga rreth 70 që pasuan, i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore kur nazistët pushtues shkatërruan deri në 90 për qind të qytetit, si hakmarrje për Kryengritjen e Varshavës në vitin 1944 nga rezistenca polake.
“Neonizimi” i Polonisë pas luftës filloi në vitin 1956, kur qeveria e një shteti tashmë sovjetik krijoi kompaninë e quajtur “Reklama”, për të prodhuar drita dhe tabela ndriçuese. Për komunistët, kjo shihej si një mënyrë për të sjellë dritë në qytete të zymta dhe gri, ose, si në rastin e Varshavës, në rrënoja, dhe dizajnerët më të mirë grafikë polakë, përfshirë Jan Mucharski dhe Tadeusz Rogowski, krijuan shumë prej këtyre reklamave dhe simboleve.
“Ishte pjesë e një ideje shoqërore dhe politike të lidhur me modernizimin dhe optimizmin; diçka për t’i dhënë zemër njerëzve dhe për t’u krijuar përshtypjen se jeta po përmirësohej”, ka thënë Hill. “Sigurisht, autoritetet nuk donin një liri të pakufizuar, por duket se kishte njëfarë hapësire manovrimi. Një burokrat i rreptë sovjetik duhej të miratonte reklamën dhe ata ishin kundër logove që sugjeronin reklamim komercial perëndimor. Por një dizajn krijues për një dritë neoni bëhej aq popullor sa riprodhohej, dhe papritur kthehej në logo. Disa zyrtarë duhet ta kenë gjetur veten në situata të sikletshme”.
Reklamat me neon ishin gjithashtu një mjet politik: kur qeveria shpalli gjendjen ushtarake midis dhjetorit të vitit 1981 dhe korrikut të vitit 1983, në përgjigje të protestave të Solidaritetit, dritat shpesh fikeshin, duke e zhytur Varshavën në errësirë.

Disa njerëz kanë vënë në pikëpyetje nëse reklamat duhet të jenë në muze apo të riparohen në vendin e tyre origjinal. Si përgjigje, Karwińska dhe Hill kanë nisur të restaurojnë neonet dhe t’i kthejnë në vendet e tyre fillestare ose pranë tyre, përfshirë një gjel të kuq katër metra të lartë që më parë ndodhej mbi një magazinë arti popullor, tashmë të rrënuar dhe të zëvendësuar nga një ndërtesë banimi, si dhe një sirenë e njohur si “Syrenka”, që është simbol i qytetit.
Rilindja ka frymëzuar gjithashtu një brez të ri arkitektësh dhe dizajnerësh për të punuar me neon. Një nga reklamat më spektakolare të reja, me mbishkrimin “Mirë që ju shohim” në polonisht, u krijua nga dizajneri grafik, Mariusz Lewczyk, dhe u vendos mbi urën e Gdańskit, mbi lumin Vistula, pas një konkursi për të krijuar një simbol të ri për qytetin.
Muzeu përfshin gjithashtu reklama me neon nga pjesë të tjera të ish-bllokut lindor, dhe Karwińska dhe Hill tani planifikojnë të hapin një muze të dytë në Budapest.
“Ato janë simbole të bukura dhe njerëzit e kanë kuptuar vlerën e tyre”, ka thënë Hill. “Shumë njerëz nga brezat e vjetër i kujtojnë dhe emocionohen, sepse shpesh përfaqësonin momente të rëndësishme nga jeta e tyre. Thonë gjëra si: ‘Këtu u njoha me nënën tënde’. Pa dyshim që po ndodh një rikthim i tyre. Dashuria e publikut për reklamat e neonit po ringjallet sërish”.
Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Edona Binaku