Kulturë

Pranvera e 1999-s nga ana serbe si epilog i “Mirëdita, dobar dan!” për dialog

Filmi "78 Days"

Rëndësia e një rrëfimi të tillë si “78 Days” në Prishtinë qëndron më shumë te forma sesa te fabula: filmi nuk e ndjek linjën e drejtpërdrejtë dramatike të luftës në Kosovë, por përfiton nga distanca për të treguar se si fëmijët normalizojnë frikën dhe se si prindërit përpiqen ta ruajnë rutinën në një kohë kur rutina nuk është e mundur

Epilogu i programit të “Mirëdita, dobar dan!” i zhvilluar në Prishtinë i ngarkuar me reflektime mbi mungesën e edicionit të vitit të kaluar në Beograd, ka qenë filmi “78 Days” që zhytet në përditshmërinë e fëmijëve në Serbi gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Shikuesit nuk i kërkon të zgjedhë palë, por të vërejë se si përvoja e luftës krijon ritme të përbashkëta, pavarësisht se si rrëfehet politika. Qasja e ka theksuar edhe më shumë atë që e ka bërë filmin të rëndësishëm për mbylljen e festivalit: rikujtimin se trauma e viteve ‘90 nuk ka qenë e njëanshme dhe se dialogu është domosdoshmëri

Frika, mungesa e informacionit dhe dëshira për normalitet që formojnë një lloj fëmijërie të heshtur brenda një filmi serb, e ka karakterizuar ditën e fundit të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. 
“78 Days” është një rrëfim që e zhvendos vëmendjen te përditshmëria e fëmijëve gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Projeksioni ka ardhur në një edicion ku programi i zhvilluar në Prishtinë ka qenë i ngarkuar me reflektime mbi mungesën e edicionit të vitit të kaluar në Beograd. Ky edicion ka dëshmuar sërish se dialogu kulturor i të dy vendeve vazhdon të varet nga tensionet politike më shumë se nga vullneti i sektorit artistik. Këto tri ditë, megjithatë, e kanë rikthyer synimin kryesor të festivalit: krijimin e hapësirave ku rrëfimet e të dy shoqërive mund të dëgjohen pa ndërmjetësimin e retorikave të ditës.

Filmi i regjisores Emilija Gashiq ka funksionuar si një pikë e pazakontë kontakti. Rrëfimi vendos në qendër tri motra – Sonjën 17-vjeçare, Draganën 15-vjeçare dhe Tianën 7-vjeçare – të cilat përpiqen të krijojnë normalitet brenda shtëpisë, ndërkohë që jashtë dëgjohen sirenat, shpërthimet dhe zërat që nuk japin sqarime. Babai i tyre është thirrur në shërbim ushtarak, dhe në familje mbizotëron një boshllëk i dukshëm. Kamera “Hi8”, të cilën e mban në dorë Sonja, regjistron lojërat, grindjet, frikën dhe momentet e qeta para shpërthimeve; regjistron gjithashtu deformimet e realitetit të fëmijëve, që e interpretojnë dhunën e jashtme përmes detajeve të vogla dhe humorit të brendshëm.

Filmi ndërton kështu një “kapsulë kohe”, që nuk i kërkon shikuesit të zgjedhë palë, por të vërejë se si përvoja e luftës krijon ritme të përbashkëta, pavarësisht se si rrëfehet politika. Qasja vizuale, me imazhe të ngrohta, dridhje të kamerës së dorës dhe tone të ulëta të audios, e zhvendos filmin larg propagandës dhe e afron me dokumentarët e përditshmërisë. Kritika ndërkombëtare e ka vlerësuar për këtë: për tonin e qetë, për aktoret e reja që e mbajnë filmin me një natyrshmëri të papërpunuar dhe për mënyrën se si e rikthen kujtesën në situata që zakonisht anashkalohen nga narrativat zyrtare.
Në publik, filmi është pritur me lexime të ndryshme. Dominic Sowa nga Londra e ka lidhur rrëfimin me një kujtesë personale të paqartë, të cilën filmi e ka nxitur të rikthehet.

“Mendoj se ishte i lezetshëm, sepse m’i kujtoi ditët e atëhershme, nuk më kujtohen aq shumë, por kam qenë në të njëjtën moshë me njërin nga personazhet e filmit. Më bëri të reflektoj për mënyrën se si këto ngjarje të mëdha e traumatike ndikojnë te fëmijët, ata nganjëherë kuptojnë, nganjëherë jo”, ka thënë ai për KOHËN pas përfundimit të filmit.

Rëndësia e një rrëfimi të tillë në Prishtinë qëndron më shumë te forma sesa te fabula: filmi nuk e ndjek linjën e drejtpërdrejtë dramatike të luftës në Kosovë, por përfiton nga distanca për të treguar se si fëmijët normalizojnë frikën dhe se si prindërit përpiqen ta ruajnë rutinën në një kohë kur rutina nuk është e mundur.

“Ishte një skenë kur vajza do që të dalë me biçikletë kur po ndodhnin bombardimet, nëna e saj i thoshte të mos dalë dhe vajza i thotë se të gjithë janë jashtë. Kjo më bëri të kuptoj se si fëmijët i normalizojnë këto situata, sikurse në kampet e refugjatëve e gjatë konflikteve, njerëzit e sidomos fëmijët e normalizojnë realitetin, e krijojnë një mënyrë për t’u përshtatur, sepse jo gjithnjë i kuptojnë gjërat”, ka shtuar Sowa.

Ceremonia e mbylljes së festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është zhvilluar me një program që i ka kushtuar rëndësi vlerësimit të bashkëpunimeve dhe të përpjekjeve që e mbajnë të hapur këtë hapësirë, sidomos në një vit të ngarkuar me tensione politike.  Çmimi i festivalit për kontribut në dialog është ndarë për profesoreshën Lindita Sejdiu, për rolin e saj në themelimin dhe funksionalizimin e programit të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës

Për disa të tjerë, sidomos në rajon, rrëfimi filmik ka krijuar lidhje të drejtpërdrejta me përvojat e viteve të luftës. 

Amir Loki nga Shkupi e ka parë filmin si pasqyrim të një kohe të përbashkët që është jetuar në mënyra të ndryshme.

“Një realizim shumë i bukur. E pashë që në shumë momente kur e shihja filmin, më kujtohej edhe mua periudha kur kemi pasur refugjatë në Shkup që kanë qenë kosovarë prej luftës. Shumë momente kur i dëgjonim lajmet dhe sekuenca edhe në film kur po i dëgjonin edhe ata lajmet se çka ndodhte, edhe ne njëjtë, e gjithë shtëpia para televizorit për të parë se çka ndodhte në Kosovë”, ka thënë ai.
Ka nxjerrë në pah vëzhgimin se filmi nuk qëndron vetëm te fëmijëria gjatë bombardimeve, por te mënyra se si prindërit përpiqen të ruajnë një normalitet të brishtë në kushte të jashtëzakonshme.
“Pak e dhimbshme krejt situata, për arsye se përderisa shtetet ose politikat mes vete bëjnë gjëra që nuk janë të duhura, harrojnë politikanët që fëmijët janë fëmijë dhe jeta e tyre vazhdon edhe gjatë kohës së luftës. I pashë ata si prindër se sa përpiqen që fëmijët e tyre ta kenë një jetë të shëndoshë, më të mirë e më të hareshme, duke i munduar t’i mbajnë larg nga ajo që ndodhte. Të gjithë ne që kemi qenë në ndonjë formë dëshmitarë të asaj kohe, ende sot e kësaj dite e përjetojmë njëfarëlloj dhimbjeje. Mbi të gjitha u tregua historia edhe e anës tjetër, se si ata e kanë përjetuar atë kohë”, është shprehur Loki.

Këto reagime e kanë theksuar edhe më shumë atë që e ka bërë filmin të rëndësishëm për mbylljen e festivalit: rikujtimin se trauma e viteve ‘90 nuk ka qenë e njëanshme dhe se raportet Kosovë–Serbi nuk mund të kuptohen vetëm përmes narrativave që qarkullojnë në hapësirën publike të secilit vend. 
Edicioni i sivjetmë e ka trajtuar këtë çështje vazhdimisht, jo duke relativizuar përgjegjësitë historike, por duke treguar se edhe rrëfimet e palës tjetër ekzistojnë, dhe se të kuptuarit e tyre kërkon hapësirë të matur dhe të kontrolluar.

Filmi, me strukturën e tij të thjeshtë, e ka shtyrë publikun të mendojë për afërsitë që shpesh duken të pamundura. Fëmijët në film, pavarësisht kontekstit politik, janë përballur me të njëjtat ndjenja që i kanë përshkuar familjet kosovare gjatë viteve të luftës: frikë, mungesë orientimi, dëshirë për lojë, si dhe përpjekje për të kuptuar të rriturit.

Nuk sjell zgjidhje politike, veç një realitet tjetër të asaj kohe, që zakonisht nuk zbërthehet në hapësirën publike të Kosovës. Përmes këtij rrëfimi, “Mirëdita, dobar dan!” ka treguar se dialogu nuk ndërtohet vetëm me deklarata të mëdha, por edhe me hapjen e një hapësire ku publiku e sheh tjetrin në rrethana të përditshme.


Çmimi i “Mirëdita, dobar dan!” për Ballkanistikën e ndërveprimit kulturor

Ceremonia e mbylljes së festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është zhvilluar me një program që i ka kushtuar rëndësi vlerësimit të bashkëpunimeve dhe të përpjekjeve që e mbajnë të hapur këtë hapësirë, sidomos në një vit të ngarkuar me tensione politike. Organizatorët kanë theksuar se edicioni i sivjetmë ka sjellë prurje të reja dhe ka rikthyer besimin se komunikimi kulturor mbetet rruga e mundshme për të shmangur izolimin.

“Në një kohë kur shumë gjëra po ndahen, ne kemi zgjedhur të qëndrojmë bashkë… ‘Mirëdita, dobar dan!’ është premtim se do të vazhdojmë të flasim e të dëgjojmë”, ka thënë Kushtrim Koliqi, organizator i festivalit.

Për Tijana Gjukniqin, koordinatore e programit, ky edicion ka krijuar një ritëm të ri të programit, duke sjellë artistë të brezave të ndryshëm dhe duke ndërtuar lidhje që shkojnë përtej kufijve institucionalë.

“Kemi pasur mundësi të lidhemi në nivele njerëzore… kjo është ajo që e bën festivalin unik”, ka thënë ajo.

Çmimi i festivalit për kontribut në dialog është ndarë për profesoreshën Lindita Sejdiu, për rolin e saj në themelimin dhe funksionalizimin e programit të Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës, një program që prej vitit 2020 kur është akredituar, ka krijuar hapësira akademike të ndërveprimit kulturor ballkanik.

“Të jesh këtu do të thotë se beson që dialogu është i mundur edhe aty ku duket më i vështirë… Ta pranoj këtë çmim është një moment i veçantë, jo vetëm në plan personal, por edhe në kuptimin e përgjithshëm të saj për punën, të cilën e bëjmë bashkë: njohje, dialog, hapje akademike”, ka thënë Sejdiu, teksa e ka pranuar çmimin e festivalit.

Në këtë mënyrë është mbyllur edicioni i sivjetmë, me një program që e ka rikthyer vëmendjen te rëndësia e hapësirave ku rrëfimet e ndryshme të së kaluarës mund të takohen pa e përjashtuar njëra-tjetrën.