Kulturë

Poetika e dallëndysheve si kontradiktë midis lirisë dhe kufijve

Në hapësirën e zbehtë të ish-garazhit të një mekaniku, Redina Qose ka vendosur tri cikle veprash që e shtrijnë emigrimin si çështje intime dhe politike njëkohësisht

Në hapësirën e zbehtë të ish-garazhit të një mekaniku, Redina Qose ka vendosur tri cikle veprash që e shtrijnë emigrimin si çështje intime dhe politike njëkohësisht

Pyetja “Kah po nisen dallëndyshet?”, e cila ia jep titullin ekspozitës së dytë të edicionit të tretë të “Pop-up Art Week” në “Galeria 17”, ka tingëlluar të enjten më shumë si një thirrje për t’i rishikuar kufijtë, sesa si një metaforë e lëvizjes së shpendëve. Në hapësirën e zbehtë të ish-garazhit të një mekaniku, Redina Qose ka vendosur tri cikle veprash që e shtrijnë emigrimin si çështje intime dhe politike njëkohësisht.

Në këtë mjedis të zhveshur, që nuk kërkon ta fshehë historinë e vet materiale, punët e artistes kanë krijuar një marrëdhënie të veçantë me boshllëkun: një marrëdhënie që e bën të dukshme mungesën, ikjen, udhëtimet e ndërprera e të përsëritura që bartin pas vetes njerëzit në lëvizje. Ekspozita ka sjellë para publikut një trajtim të rafinuar të traumës ndërbreznore të emigrimit, duke e vendosur atë në një raport të drejtpërdrejtë me kujtesën personale. 

Një nga veprat më të ndjeshme ka qenë qilimi i madh me siluetën e një figure mashkullore, që përngjan me fantazmën e një pranie të munguar. Ashtu siç ka rrëfyer vetë autorja, kjo hije është gdhendur si shenjë e largësisë së të atit, i cili për shumë vjet ka qenë emigrant.

“Im atë, gjatë rritjes sime nuk ka qenë prezent në Shqipëri për shkak të punës së tij, ka qenë emigrant dhe për mua ishte e rëndësishme që gjatë ekspozitës të reflektoja për këtë mungesë të tij”, ka thënë ajo duke e përshkruar atë figurë si një lloj pranie të pashuar në hapësirën shtëpiake.

Qilimi i dritë-hijes, që qëndron pezull në strukturën e galerisë, ka krijuar efektin e një dërrase kujtese që rri mes intimitetit dhe distancës. Ai ka sjellë në sipërfaqe të gjitha ato figura atërore që, për shkak të emigrimit, kanë ngelur të pranishme vetëm në formë hijeje.

Në anën tjetër të hapësirës, një qilim i gjatë, i copëtuar në skaje dhe i mbushur me tekstin “Does it end with an escape?”, është shtrirë përgjatë dyshemesë, duke përngjarë me një shteg. Forma e tij ka ndjekur marrëdhënie të thyer me mjedisin, njësoj si rrugët që përshkojnë refugjatët, duke i vënë në dukje fragmentimet e tyre, devijimet dhe pengesat.

“Inspirimi im ka qenë me rrugëtimin e refugjatëve gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015”, ka thënë Qose, e cila gjatë rezidencës së saj në Krakow të Polonisë ka nisur ta ndërtojë këtë cikël punësh. Vetë vendosja e qilimit, ka theksuar ajo, lidhet me hartën e një udhëtimi tipik emigrator: nga Turqia drejt Greqisë, për në Ballkan dhe më tutje në Evropën Qendrore. Vepra ka sjellë qetësinë e vrullshme të një rruge që nuk është e ndërtuar për t’u përshkuar, por që megjithatë mbetet e vetmja.

Në pjesën qendrore të ekspozitës është vendosur instalacioni më poetik i saj: një video-projeksion i shoqëruar me silueta të varura dallëndyshesh, që lëkunden lehtë nga lëvizja e ajrit. Ornamenti i tyre – origami të krijuara nga fletë pasaportash të skaduara – ka sjellë një kontrast të ftohtë mes simbolit të lirisë dhe dokumentit që e përcakton kufizimin e saj.

“Në kufirin midis Shqipërisë dhe Malit të Zi… dallëndyshet ndërtojnë foletë e tyre në godinën e kufirit”, ka treguar autorja, duke e përshkruar këtë skenë si absurditet të pastër simbolik. Në hapësirën e “Galerisë 17”, dallëndyshet rrëshqasin mes projektorit dhe murit duke krijuar përshtypjen e një qielli të fragmentuar, njësoj si realitetet e migrimit që ndahen mes dëshirës për të kaluar kufirin dhe pamundësisë për të kapërcyer sistemet që e rrethojnë.

“Instalacioni është i ndërtuar me fletë pasaportash, të cilat janë të skaduara… hija e tyre është pak a shumë si flamuri i Bashkimit Evropian. Për mendimin tim, BE-ja është akoma në një hije për çështjen e kufijve”, ka shtuar Qose, duke i zhvendosur dallëndyshet nga metafora në kritikë.

“Inspirimi im ka qenë me rrugëtimin e refugjatëve gjatë krizës së emigrantëve të vitit 2015”, ka thënë Redina Qose, e cila gjatë rezidencës së saj në Krakow të Polonisë ka nisur ta ndërtojë këtë cikël punësh. 

Ekspozita i ka hapur rrugë edhe një leximi të jashtëm, që ka ardhur nga artisti vizual Olson Lamaj, i cili e ka cilësuar punën e autores si “shumë premtuese” dhe të gatshme për të vendosur biseda rreth politikës së kufijve në një nivel universal.

“Pas dy vitesh po vij ta shoh ekspozitën e Redinës… një artiste shumë interesante që hap diskutimin mbi kufijtë, mbi perceptimin personal dhe social-politik të vendit tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se Qose po ndërton një gjuhë vizuale që e lidh përvojën individuale me struktura të gjera shoqërore.

Sa i përket punës së dallëndysheve, ai e ka përshkruar si “shumë poetike”, pikërisht për shkak të kontradiktës midis natyrës së lirë të shpendëve dhe ndalimit të lëvizjes njerëzore që simbolizon ndërtesa e kufirit. Lamaj, i cili është artist vizual nga Shqipëria ka marrë pjesë edhe vetë në një nga ekspozitat e edicionit të parë të “Pop-up Art Week”. Praktika e tij artistike lidhet shumë me historitë vizuale dhe se si historitë lokale mund të kalojnë në një këndvështrim më universal dhe kështu e ka vlerësuar edhe përdorimin e tekstilit nga autorja, të cilin e quan medium intim që kërkon kohë dhe përqendrim, duke e parë si një përpjekje për të rikthyer traditën brenda frymës së artit bashkëkohor.

Në këtë edicion të “Pop-up Art Week”, ekspozita e Qoses ka sjellë një zë të ri që ka lidhur qartazi përjetimet intime të emigrimit me tensionet e sotme shoqërore të Evropës. Në hapësirën e “Galerisë 17”, veprat e saj kanë marrë formën e tregimeve të ngadalshme që zgjaten në errësirë. Dhe pikërisht ky tension e ka bërë ekspozitën të duket si një thirrje për të kuptuar jo vetëm se kah shkojnë dallëndyshet, por edhe se kah po shkon vetë Evropa me politikat e saj të lëvizjes, kontrollit dhe përjashtimit.