Ka nisur edicioni i parë i Panairit të Librit për Fëmijë në Prishtinë. Për katër ditë, fëmijët e kryeqytetit do të kenë mundësi që pos ekspozitës së librit të marrin pjesë në shumë aktivitete përcjellëse. Synimet janë që ngjarja të jetë tradicionale. Edicioni i parë është një lloj testi që mat pulsin e lexuesve të rinj, por ende pa u bërë ceremonia e hapjes kanë shpërthyer edhe reagimet. Shoqata e Botuesve të Kosovës kritikon organizatorët për përjashtim të botuesve, monopolizim, teksa përmend edhe konflikt interesi e korruptim
Është aktiviteti i parë i këtij lloji. Në qendër të kryeqytetit nëpërmjet një organizimi modest, për katër ditë fëmijët do të kenë mundësi të përjetojnë Panairin e Librit që u kushtohet atyre. Aktivitetet përcjellëse janë menduar si plotësim i programit të kësaj ngjarjeje. I hapur mesditën e së mërkurës, Panairi i Librit për Fëmijë synon që të shndërrohet në ngjarje tradicionale, ku do të përfshihen më shumë shtëpi botuese. Debutimi është një lloj testi që mat pulsin e lexuesve të rinj, por ende pa u bërë ceremonia e hapjes kanë shpërthyer edhe reagimet. Shoqata e Botuesve të Kosovës kritikon organizatorët jo vetëm për këtë ngjarje, por edhe për ndërhyrje në politika komunale.
Nën organizimin e organizatës ETEA, librarisë “Dukagjini” e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” ngjarja synon që të jetë hapësirë ku fëmijët të kenë mundësi të hyjnë në botën e librit nëpërmjet disa aktiviteteve. Vepra të ndryshme, kryesisht përkthime të autorëve të huaj, janë në dispozicion të lexuesve të rinj.
Agon Ahmeti, i cili udhëheq organizatën ETEA, ka thënë se ajo që është më e rëndësishme është synimi që ngjarja të jetë tradicionale dhe sa më e dinjitetshme.
“Duhet të jetë panair sa më gjithëpërfshirës për fëmijët e krejt qyteteve të tjera e pse jo edhe për vizitorë të jashtëm. Ky panair e ka veç edicionin e parë, e ka pak karakterin e pilotimit në kuptimin se jemi duke parë se çfarë duhet bërë më shumë e çka duhet përfshirë më shumë”, ka thënë ai. Sipas tij, përgatitjet për edicionin e ardhshëm do të fillojnë menjëherë dhe do të ketë bashkëpunim me të gjithë ata dhe ato që janë të interesuar të kontribuojnë në mënyrën e vet. Këtë synim e kanë përmendur edhe bashkorganizatorët. Për faktin se bëhet fjalë për një panair që nuk ka ftuar shumë botues ka reaguar edhe Shoqata e Botuesve të Kosovës. Po jo vetëm për këtë çështje.
Sipas reagimit, Shoqata ditëve të fundit ka pranuar ankesa nga botues të Kosovës në lidhje me ngjarjen, meqë nuk janë informuar dhe nuk janë ftuar për të qenë pjesë e një organizimi të tillë. Në reagim shkruhet se kjo ngjarje organizohet duke u financuar nga mjetet publike, prej Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës. Në këtë rast Shoqata ka treguar se nuk është pjesë e një organizimi të tillë dhe as nuk është ftuar e as njoftuar.
“E kundërshtojmë logjikën e monopolizimit të ngjarjeve kulturore për interesa të një subjekti, cilido qoftë ai. Është për t'u përshëndetur secili organizim që ka për qëllim nxitjen e leximit. Megjithatë, duhet pasur parasysh që një organizim që mbështetet financiarisht nga mjetet publike (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës) nuk guxon të neglizhojë dhe nuk mund të përjashtojë botuesit e Kosovës, duke qenë pikërisht këta punëtorët e paepur të veprimtarisë botuese”, shkruhet në reagim. Shoqata e Botuesve të Kosovës, sipas reagimit, do të drejtojë ankesat e botuesve te institucionet publike që mbështesin këtë organizim, “të cilët duhet të garantojnë të drejtën për pjesëmarrje dhe përfaqësim të të gjithë botuesve, përtej interesave të një subjekti që kërkon monopol”.
“OJQ-të që organizojnë ngjarje duke u mbështetur nga mjetet publike e që arrijnë të ndikojnë deri në krijimin e politikave dhe hartimin e listave të librave që blihen nga institucionet publike (siç ka ndodhur me listën e librave të përzgjedhur dhe tenderuar nga Komuna e Prishtinës) nuk duhet të shërbejnë si lobues e zyrë për subjekte biznesore, sepse një gjë e tillë përbën konflikt interesi e korruptim”, shkruhet në reagim.
Por sipas organizatorëve, planet janë të tjera për vitet që vijnë.
“Është një panair që mungon në trevat tona. Planet janë që të zgjerohet e të marrin pjesë sa më shumë botues. Kemi edhe ngjarje të ndryshme të cilat e hapin diapazonin e fëmijëve. Pastaj do të kemi shkrimtarë nga karvani i shkrimtarëve e ngjarje të tjera”, ka thënë Ilirjana Hasaj nga libraria “Dukagjini”.
Biblioteka e qytetit “Hivzi Sulejmani” gjatë Panairit do të ofrojë disa shërbime për fëmijët që vizitojnë ngjarjen. Madje është ideuar edhe një mundësi që i ofron fëmijët me Bibliotekën.
Sipas zëvendësuesit të drejtorit, Fatime Mehmetaj, ka qenë ide dhe dëshirë e kamotshme e institucionit për të pasur një panair për fëmijë.
“Është shumë e rëndësishme që kryeqyteti ta ketë këtë panair. Një prej aktivisteve tona më të rëndësishme është mundësia që në ditët e ngjarjes fëmijët mund të regjistrohen falas”, ka thënë ajo.
Në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” gjatë ditës së mërkurë ka pasur grupe fëmijësh nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit që kanë frekuentuar hapësirat e Panairit modest. Pritet që ditëve në vazhdim Panairi të jetë nikoqir i shumë fëmijëve, përderisa synimet janë që ngjarja të shndërrohet në ekspozitë të librit që do të vizitohet nga fëmijët e mbarë vendit.
