Kulturë

Një shekull i luftës për liri me 150 dokumente në ekspozitën për 17 Shkurtin

Përmes ekspozitës dokumentare dhe fotografike, është shënuar në Tiranë 13–vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, zgjodhën ta kujtojnë në Kalanë e Tiranës këtë ditë historike për shtetin e dytë shqiptar në Evropë.

“Kosova në Arkivin e Shtetit Shqiptar” është titulli i ekspozitës që nxjerr në pah lëvizjet e dy vendeve, organizohet për herë të parë nga Arkivi i Shtetit, në bashkëpunim me atë të Kosovës. 150 dokumente mes Shqipërisë dhe Kosovës, që prej vitit 1912, janë ekspozuar për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës shtet.

Image

Rezoluta mbi ngjarjet dhe situatën në ish-Jugosllavi, dokumente që tregojnë përpjekjet dhe procesin e ngritjes së shkollave të para shqipe në Kosovë, ndikimi dhe kontributi i intelektualëve për çështjet shqiptare, vijnë si dëshmi për të treguar rrugën e përbashkët të formimit të identitetit kombëtar. Në këtë ekspozitë janë shfaqur edhe dokumente të pjesëmarrësve nga Kuvendi i Vlorës, të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për Komunitetin Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës. Këto janë vetëm një pjesë e vogël e mijëra dokumenteve që ruhen në dy arkivat shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë.

”Momentet më të rëndësishme janë kryengritjet e veriut, që i paraprijnë shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Pastaj, është aktiviteti i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, me seli në Shkodër. E më pas, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, hapja e shkollave shqipe në Kosovë dhe arrijmë deri te rezolutat e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, që janë bërë kur ka filluar procesi i shkatërrimit të ish-Federatës Jugosllave, si dhe luftën e fundit të UÇK-së”, ka thënë Bedri Zyberaj, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Image

Ka thënë se ka qenë një moment i rëndësishëm që duhet shfrytëzuar, sepse mundësi të tilla për ndihmë nga jashtë, shqiptarët nuk i kanë pasur më parë.

“Këtu duhet pak më këmbëngulës të jemi, t’i shfrytëzojmë këto mundësi që të mos e lëmë të na ikë ky disponim i favorshëm që është nga vendet e demokracisë botërore”, ka thënë Zyberaj me rastin e hapjes së ekspozitës.

Nëpërmjet ekspozitës pasqyrohet edhe kontributi i profesorëve nga Shqipëria, që kanë ligjëruar në vitet ’70 e ‘80 të shekullit të kaluar. “Veprimtaria e personaliteteve më të rëndësishme që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Shqipërisë, duke filluar te vitet ‘70 për kontributin që shumë nga profesorët tanë kanë dhënë në Universitetin e Prishtinës dhe të gjithë veprimtarinë që kanë shfaqur personalitetet për të çuar dije dhe kulturë përgjatë Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Elsa Saka, drejtore e Evidencës dhe Komunikimit në Arkivin Qendror të Shtetit në Shqipëri. Ekspozita me dokumente, që rrëfen mbi një shekull histori, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 19 shkurt në Kalanë e Tiranës.

Image