Nën regji dhe me skenar të Ilirjan Himajt e me producente Teuta Krasniqin, “Ngryk” ka ndezur ekranin e “Kino Armatës” dhe ia ka “prerë” shiritin festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”. Është një kërkim i vrazhdë lirie, që në disa raste ndjell monotoni tek synon ta godasë realitetin me një rrëfim fantazie që merr frymë prej përditshmërisë. “PriFesti” i sivjetmë në Kategorinë Ballkanike sjell gjashtë filma, në atë të Filmit të Mesëm 4 filma, në Kategorinë e Filmit të Shkurtër 7 filma, përderisa Austria është në fokus
Portreti ia shpalos rrëfimin që bart pas vetes qysh në sekondat e parë të filmit. S’i ndahet kurrë asaj çehres së një të riu që e ka përplasur jeta fort. Që edhe ka bërë një krim të madh pa dëshirë. Në sytë e Agut lexohet drama tragjike e tij. Dhe ajo dramë s’ndryshon as kur merr guximin për të kërkuar medoemos lirinë. Bart një ngjyrë të vetme fund e krye të 107 minutave në ekran. Era ka më shumë ngjyra. Vuan, qesh, ka shpresë, zhgënjehet e është më luftarake. Një kërkim i vrazhdë lirie nën titullin “Ngryk” ka hapur edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë, “PriFest”.
Një pjesë e komunitetit kinematografik vendor, bashkë me disa mysafirë ndërkombëtarë janë bashkuar për të 17-n herë në Prishtinë, për festivalin më të madh të filmit të gjatë artistik në vend. I gjatë – për dikë më shumë sesa që është e nevojshme – është edhe filmi që ka hapur këtë edicion.
Nën regji dhe me skenar të Ilirjan Himajt e me producente Teuta Krasniqin, “Ngryk” ka ndezur ekranin e “Kino Armatës” dhe ia ka “prerë” shiritin festivalit, që prej ditës së 9-të deri në ditën e 14-të të këtij muaji sjell rrëfime kinematografike në disa kategori.
“Ngryk” në zhargonin vendor shkon përtej përqafimit. Marrja ngryk bëhet për ndonjë gëzim të madh a hidhërim të pafund. I pafund është edhe pushteti që disa njerëz gëzojnë brenda rrëfimit. E vetë filmi s’e ndan fantazinë prej realitetit. Mospasja e një kufiri të tillë del të jetë një prej qëllimeve të regjisorit, por edhe e lodhshme për disa shikues. Agu (Valmir Krasniqi) dhe Tina (Era Balaj) jetojnë në një realitet të vrazhdë. Egërsia shoqërore duket sikur i ka bërë që njëri të personifikojë ariun e tjetra drenushat. Agu është punëtor në një pyll arinjsh. Duket se shpesh më shumë dëshirojnë të jenë kafshë sesa njerëz. Një incident pa dashje, Agun e ka shndërruar në vrasës dhe ndërgjegjja s’e lë rehat. E Tina është një vajzë e re që ia ka mësyrë qytetit me ëndrrën për t’u bërë këngëtare. I ndan një korridor. Vrima e oxhakut nga banesa në banesë shndërrohet në urën prej ku Agu sheh dhunën ndaj Tinës. Dikur kameriere e tash e mashtruar nga një ministër (Astrit Kabashi) ajo është shndërruar në lodër seksuale të tij. Ka besuar se njeriu i pushtetshëm e ka ndërmend ta ndihmojë. Por kur ai zhvesh pantallonat, ndërron muhabeti. Kafshërorja e një pushtetari zhvishet po aty. Mënyra se si është paraqitur në ekran lë për të kuptuar se autori i filmit, nëse s’ka parë, ka dëgjuar pak për rrëfim të tillë. E shpërfaq atë me skena të zgjatura duke u munduar ta prekë fort e ta zgjojë njëfarë indinjate te publiku. Por kjo edhe mund të japë kundërefekt. Tragjikja fund e krye, nganjëherë kthehet në monotoni. S’ka jetë brenda filmit. Regjisori e di këtë dhe duket se s’është pishman.

“Rezistenca artistike në ditët e sotme është shumë e vështirë. Është e pamundur të mos ndikohesh nga lajmet, të mos ndikohesh nga trendët e filmit. Ne e shohim se shumica e festivalit kanë trendë të caktuar. Janë në kërkim të një ekzotikeje, por mendoj se duhet një rezistencë artistike për të rrëfyer atë që do të rrëfesh”, ka thënë ai. Ka treguar se përpiqet të mos ndikohet nga trendët e realitetet shoqërore e politike e prekin.
“Ndoshta reflektimi im artistik është i tillë saqë mundohem të kem elemente përrallore brenda rrëfimit, në mënyrë që të ketë distancë nga realiteti dhe filmi të mos tingëllojë si lajmet e mbrëmjes”, ka sqaruar ai. Sipas tij, filmi është fryt i fantazisë së tij dhe beson që sa më shumë fantazi, është më film. Vetë e ka bërë edhe montazhin. Për të, politikanët që e konsiderojnë veten mbretër të një vendi, veprojnë sikurse në film. Janë edhe vrasës.
“Agu dhe Tina janë personifikim i dy kafshëve, ariut dhe drenushës. Paradoksalisht ata shoqërohen mes vete dhe kërkojnë lirinë e egër”, ka thënë ai.
Aktori Valdrin Krasniqi shihet se ka jetuar me rolin dhe e ka vuajtur atë.
“Për një aktor në rol kryesor duhet të përgatitet personazhi te vetja. Përpara këtë pjesën emocionale nuk e kam kuptuar sesa mund të merret me vete errësira e personazhit dhe të jetosh me atë gjë për një kohë të gjatë. Pas këtij filmi e marr më seriozisht këtë pjesë”, ka thënë ai. Sipas tij, tema është aktuale dhe shkon përtej Kosovës.
Për aktoren Era Balaj roli ishte shumë sfidues.
“Ka qenë sfiduese ta sjell vijën e dhimbshme midis ëndrrës dhe realitetit. Por njëkohësisht kënaqësi e madhe”, ka thënë ajo në konferencën për media të mërkurën, një ditë pas premierës botërore të “Ngryk”.
Zelli për të shpërfaqur anën e errët të një realiteti shoqëror dhe atë fantazinë ku njeriu kërkon liri të egër sikurse e kanë kafshët e bën filmin pak konfuz.
“Nganjëherë i pakuptueshëm. Role identike nga fillimi në fund dhe lojë jo e mirë me kuadro. Film me të cilin ndoshta nuk duhej hapur festivali”, ka thënë një prej anëtareve të industrisë së filmit që ka shkelur edhe festivale me nam.
Në realitet të vrazhdë gjendet edhe “Kino Armata”. Rozafa Maliqi, që i prin grupit që e mbajnë në “këmbë” hapësirën, ka lexuar një deklaratë nëpërmjet së cilës ka kërkuar ndihmë për ta mbajtur gjallë atë mjedis. E pas saj, në hapje të festivalit ka folur ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, në emër të institucionit që e ka përkrahur më së shumti ngjarjen. Çeku, ministër në detyrë, njëherësh deputet e po ashtu edhe kandidat për kryetar të Prishtinës, i është kthyer një premtimi të kahershëm. Ende pa e marrë pozitën e ministrit në mars të vitit 2021, kishte folur për rrjetin e kinemave publike. Prapë atë e ka përmendur të martën mbrëma.

“Ne si institucione i kryejmë detyrimet tona ndaj një sektori që ka punuar gjatë, shpesh me vetëmohim dhe moti e ka merituar këtë mbështetje, andaj më në fund edhe institucionet, jo veç me buxhet besoj unë, por edhe me Ligjin e ri të kinematografisë, skemën e rabatit e aktivitetin më të ri të QKK-së, që është rrjeti i kinemave publike të Kosovës, një përpjekje në vazhdim, shpejt besoj e konkretizuar”, ka thënë ai. Ka lavdëruar komunitetin e filmit dhe, sipas tij, bashkëpunimi midis institucioneve dhe skenës së pavarur po jep rezultate të mëdha.
E, Qendra Kinematografike e Kosovës si mbështetëse e filmit hapës të festivalit ka shtuar një koktej e në festival organizon edhe punëtori me aktorë.
“Edhe sivjet kemi punëtori me aktorët që do të mbahen me personalitetet evropiane të filmit”, ka thënë drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri.
Festivali që tashmë ka goxha traditë edhe në këtë edicion sjell rrëfime në disa kategori. Filma vendorë, rajonalë e nga vende të ndryshme evropiane do të jepen në ngjarjen e themeluar nga producentja Vjosa Berisha, e cila vdiq më 2022. Kujtimi për të është i përhershëm në “PriFest”. Sivjet edhe me një mural – të realizuar nga artistja Eremira Murati e njohur si Orange Girl – krahas hotelit “Grand” pikërisht në ndërtesën ku kryqëzohen rrugët “Garibaldi” e “Johan V. Hahn”. Emri i saj mbetet gjithnjë i kryqëzuar me festivalin.