Pas anulimit të vjetëm prej grevës së aktorëve, festivalit i teatrit shqiptar “Moisiu” është rikthyer në binarë për ta përmbyllur ciklin Shkup-Tiranë-Prishtinë. Perden e këtij edicioni e ka ngritur “Si ta doni” e Shakespeareit, produksion i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, një komedi që hyjnizon dashurinë. E festivali, që në Prishtinë sfidohet prej kushteve, është dëshmi e dashurisë për teatrin. Një aktori të trupës shqiptare ia ka kujtuar edhe batutën e Peter Brookut se “mjafton një hapësirë dhe kur të dalin disa aktorë, aty krijohet teatri”. Një thënie si kjo i shkon fort Sallës së Kuqe të transformuar për këtë festival, e që është larg kushteve të një skene teatrore
Me shfaqjen që përmbys rregullat tradicionale të dashurisë, është hapur edicioni i festivalit të teatrit shqiptar “Moisiu”. I treti më radhë, që në rrethana të zakonshme do të mbahej vitin e kaluar, ka nisur maratonën e dramës të shtunën mbrëma me “Si ta doni” të Shakespeareit, nën regji të amerikanit John Blondell. Improvizimi në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve dhe kushtet aty, kanë qenë pasqyra e infrastrukturës teatrore në vend, ndërsa mbyllja e ciklit të parë të rotacionit Shkup-Tiranë-Prishtinë konsiderohet tregues që Festivali do të jetë i pandalshëm.
Salla e Kuqe lirisht mund të quhet një lloj shpëtuesi i skenës kulturore të vendit, bashkë me ca të tjera më të vogla. Ajo qe transformuar në skenë teatri edhe në prill të vitit të kaluar, kur Kosovës i kishte ardhur radha ta japë premierën e shfaqjes “The best european show” me tekst të Marko Bratush dhe Haris Pashoviqit, i cili e ka bërë edhe regjinë. Bashkëprodhimi ndërkombëtar midis Teatrit të Maltës, JK Opole Theatre nga Polonia, SNG Nova Gorica nga Sllovenia, Teatro Due nga Italia dhe Teatri Kombëtar i Kosovës kishte trajtuar në sekuencat e saj edhe infrastrukturën.
Shfaqja “Si ta doni” nuk e bën këtë. Por sfidat për ta realizuar aty flasin zëshëm, bërtasin madje. Aty pasqyrohet institucioni pa shtëpi, që është imponuar të shfrytëzojë hapësira alternative për të ushtruar aktivitetin pasi objektin e vet e ka nën dry tash e tre vjet si rrjedhojë e renovimeve. Duke nisur që nga akustika e dobët e deri te zbehja e formalitetit midis trupës në skenë dhe publikut, i cili, në shumë raste, mund të vërejë ato skena që do duhej të ishin spontane si dhe një anë të përgatitjeve në prapaskenë.
E si produksion, është dëshmuar për kualitetin e tij përkundër kushteve. I ka sfiduar. Ka sjellë dramën e cila i ngatërron rolet gjinore, natyrën dhe politikën. Reflekton se sa konfuze, por edhe sa e këndshme mund të jetë jeta.
E vendosur në rrethana aristokrate dhe në Pyllin e Ardenit, ajo ndjek fatin dhe fatkeqësinë e Rozalindës. Por shfaqja në përgjithësi është një lojë e kremte e dashurisë dhe eksplorimit të fuqisë transformuese të botës natyrore. E kjo vjen nga fjalimi i famshëm i kësaj shfaqjeje – “E gjithë bota është një skenë” nga personazhi Zhak, të cilin e ka luajtur Erjona Kakeli. Flet për shfaqjen e teatrit në jetë me cilësimet për shtatë moshat e njeriut, që në foshnjëri e deri në vdekje.
Protagonistja Rozalinda, që luhet mrekullueshëm nga aktorja Luli Bitri, nuk është e bija e Dukës. Kjo bëhet e ditur në fillim të shfaqjes dhe krejt kjo si rrjedhojë e xhaxhait të saj, i akuzuar për tradhti, që tashmë ka titullin e Dukës (Dritan Boriçi) i cili ia ka rrëmbyer fronin babait të Rozalindës.
Selia, që luhet nga aktorja Elia Zaharia, një personazh i gruas besnike, të ndjeshme dhe të mençur, e do afër përherë Rozalindën për ta shoqëruar. Si rrjedhojë e lidhjes së tyre shumë të fortë miqësore, kjo e dyta jeton në shtëpinë e saj. Por, Duka ka filluar ta urrejë atë pasi populli e do shumë. Aq sa një ndeshje mundjeje duarsh organizohet se kush do ta fitojë zemrën e saj. E synojnë qëllimin e tyre, ndonëse e dinë se ajo nuk ka një titull tashmë.
Duke parë situatën, xhaxhai i saj i kërkon të qëndrojë 20 milje larg pallatit, përndryshe ajo do të vritet.
E maskuar si një i ri me emrin Ganimet, kërkon strehim në pyll bashkë me kushërirën e saj, Selian. Kënga “Moj e bukura More” derisa vazhdon dinamika e ngjarjes, e hap skenografinë e përshtatur me imazhin e pyllit. Dritat e kaltra për qiellin e pafundmë, mjegull dhe plot imazhe kafshës. Të maskuar si të rinj të varfër, të dyja nisen për në ekspeditën e tyre dhe takojnë një bareshë nga e cila kërkojnë strehim dhe ushqim. Bëhet e ditur se plani për arratisje nuk është hartuar si duhet.
Por rrëfimi qendror aty është ajo se si pylli bëhet vend intrigash romantike. Aty Rozalinda teston dashurinë e burrit që dashuron, Orlandos, që luhet nga aktori Genti Deçka.
Në skenat e shfaqjes ka përplot poezi. Por poetika është edhe në rreshtat e tekstit dramaturgjik.
“T’u përgjigjesh pyetjeve të të dashuruarve është sikur të numërosh grimcat e diellit”, thotë Selia kur pyetet nga Rozalinda se si të veprojë pas letrave të dashurisë nga Orlando. E në pyll takohet me të gjersa, e maskuar si Ganimet, tenton ta bindë atë se nuk është dashuruar.
Me deklaratat e saj që shfaqin indiferencën e shtirur ndaj dashurisë, ngjall të qeshura të mëdha te publiku që ka mbushur Sallën e Kuqe, të shtunën mbrëma. Megjithatë i fluturon mendja kur ka Orlandon përreth. Në një moment shkëputet nga roli i saj si Ganimet dhe nis të shprehë ndjenjat, duke kërkuar kurorëzim aty për aty, bashkë me kërkesën që Selia të jetë “prifti” për ta bekuar dashurinë e saj për Orlandon.
Por skena ndërpritet shpejt dhe shfaqen njerëzit e pyllit si dele që e marrin për kot jetën, e lëre më poezinë, poetikën. Parodia me fenë vjen kur hyn një prift i dehur për të kurorëzuar një çift të dashuruar.
Drama e radhës është kur vjen lajmi se Orlando është vrarë rrugës nga shtazë të egra, bashkë me shaminë e gjakosur që i jepet Rozalindës.
Papritmas performanca e ngadaltë skenike i çon ata drejt ndërtimit të skenografisë së thjeshtë ku secili sjell diçka: karrige, tavolinë, lule, shishe rakie e gota. Katër çifte në fund kurorëzohen. Midis tyre, Rozalinda me Orlandon dhe Selia me Oliverin, që luhet nga aktori Lulzim Zeqja.
“Sa për rolin, unë jam vëllai i keq, të themi. Është një rol që më shkon për shtat. Konsideroj se kam bërë një punë të mirë, ndonëse këtë e vlerëson publiku. Unë jam ndarë i kënaqur”, ka thënë Zeqja, duke zgjuar kujtimet e një ngjarjeje të pasluftës së hershme.
“Në Prishtinë vij me shumë qejf. Kam ardhur direkt paslufte. Kemi ardhur në Javën Shqiptare këtu kur kemi pasur një shfaqje goxha të mirë. Ka qenë një nga javët që kam pasur emocione shumë të mëdha, sepse Kosova sapo ishte çliruar. Sa herë vij, vij me këtë kënaqësi. Gjej njerëz me goxha emocion dhe një pritje të jashtëzakonshme, si në shtëpinë time”, është shprehur ai.
Dashuria kurorëzohet nën ritmet e këngës “Simply the best” nga Tina Turner me përplot efekte që krijojnë atmosferën harmonike në skenë që mbyll rrëfimin e shfaqjes.
Aktori Laert Vasili ka luajtur si Adami, Oliver e si vëllai i Orlandos. Ka thënë se Shakesperei me shfaqjen “Si ta doni” sjell dashurinë si antonim të luftës e barbarisë.
“Mbi fabulën e shfaqjes mund të them këtë, që Shakespearei me komedinë ‘Si ta doni’ na sjell ndërmend edhe një herë atë që krijuesi, Zoti i madh, thotë se dashuria është një dhe nëse dashuroheni, atëherë në botë nuk ka më luftëra, nuk ka gjenocid, nuk ka barbari, nuk ka dhunë, është vetëm dashuria e Zotit që krijoi gjithë këtë rruzull ku ne e kemi fatin të jetojmë”, është shprehur aktori Vasili.
Kapërcimi nga roli në rol është i lehtë për të. Kështu ngjan me një aktor profesionist, sipas tij, e veçmas përgjegjësia është më e madhe duke qenë pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar. E ka vlerësuar organizimin e edicionit derisa ka kërkuar falje për atë që e ka quajtur masakër dialektesh.
“Jam shumë i prekur për organizimin që më në fund arrin të bëhet në viset e Dardanisë, në Ulpianën e vjetër që sot i thonë Prishtinë. Është një mrekulli që po organizohet në viset e Shqiptarisë. Një festival në gjuhën shqipe, në gjuhën tonë amtare. Duhet t’u kërkojmë falje gjithë folësve të gegërishtes, sepse masakrën e kemi bërë ne me toskërishten, por besoj se do ta rregullojmë gjatë kohës sonë jetike”, ka thënë aktori Laert Vasili.

Aktori Dritan Boriçi, i cili gjithashtu luan si Frederik, ka theksuar suksesin e shfaqjes në Tiranë. Duke iu referuar kushteve në infrastrukturë e edhe kërkesave të trupës së aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se festivali nuk do duhej të ndërpritej në asnjë formë.
“Për kushtet, aktorët duhet të ndjekin batutën e Peter Brookut që thotë ‘Mjafton një hapësirë dhe kur të dalin disa aktorë, aty krijohet teatri’. Por ajo që më pëlqen, është që kjo iniciativë nuk po ndërpritet dhe ‘Moisiu’ nuk duhet të ndërpritet për çfarëdolloj gjëje. Është gjithmonë gabim të ndërpritet. Mund të kemi mllef, gjërat tona, por nuk do të godasim një iniciativë gjithëkombëtare. Është festivali më i madh i gjuhës shqipe dhe kjo nuk duhet të ndërpritet në asnjë lloj forme”, ka thënë aktori Boriçi.
E drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se ky edicion i festivalit të dramës shqipe “Moisiu”, që po realizohet në Prishtinë, e hap rrugëtimin e gjatë të kësaj ngjarjeje.
“Në maj të 2022-s e kemi filluar këtë iniciativë. Në atë takim që ka ndodhur në Pragë, gjatë konferencës së European Theatre Convention e kemi pasur një diskutim: nëse arrijmë ta mbyllin ciklin e rotacionit të parë, ky festival nuk do të ndalet kurrë. Kjo punë është dedikim i një besatimi me këta tre miq, e dy ish-drejtues të teatrove në Shkup e Tiranë”, ka thënë Sheremeti.
Ka theksuar improvizimet. Ka thënë se e kanë nisur me këmbë të mbarë edicionin, ndonëse kushtet nuk janë të mira.
“Jemi shumë të lumtur që sot filluam me festivalin ‘Moisiu’ në Prishtinë ku mbyllet edhe cikli i parë i rotacionit pas Shkupit dhe Tiranës, e tash edhe Prishtina. Dorën në zemër kushtet nuk i kemi më të mira për shkak se nuk kemi as hapësirë teatrore, por ia dolëm disi edhe ta improvizojmë Sallën e Kuqe, ta shndërrojmë në skenë teatri, edhe ta përdorim Amfiteatrin. E përfunduam shfaqjen e parë. Duket të jetë me këmbë të mbarë dhe shpresoj që kështu do të vazhdojë deri në fund dhe pastaj ta kurorëzojmë me natën e fundit, që do të jetë ceremonia e ndarjes së çmimeve”, ka thënë Sheremeti, drejtues i TKK-së që e bashkorganizon Festivalin me Teatrin Kombëtar në Tiranë dhe Teatrin Shqiptar të Shkupit.
Çdo mbrëmje, nga 22 deri më 27 nëntor jepen shfaqje teatrale nga teatrot shqiptare ku marrin pjesë Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar në Tiranë, Teatri i Qytetit në Preshevë, Teatri “Hadi Shehu” i Gjakovës, teatri “A.Z. Çajupi” i Korçës, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Teatri i Qytetit të Gostivarit, Teatri i Qytetit të Tetovës dhe teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren.
Pas dramës së Shakespeareit në Sallën e Kuqe, publiku është zhvendosur në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar ku është shfaqur “Një dorëzim në Spokan” nga Teatri i Qytetit të Preshevës. Shfaqja kap një fragment të historisë së shoqërisë moderne dhe e shndërron në tragjikomedi. Me tekst të britanikut Martin McDonagh, komedia e zezë mbërrin kulmin sa të shndërrohet në komedi. Qeshja është thirrje për njohjen e natyrës njerëzore që s’e pranon tjetrin me ngjyrë ndryshe të lëkurës. Personazhi me dorë të këputur vihet në kërkim të saj, vënia e flakës nuk është akt flijimi, por edhe thirrje për të djegur paragjykimet ndaj tjetrit.
E të dielën mbrëma është shfaqur “Vojçeku” nga Teatri i Gjakovës “Hadi Shehu” me tekst të Georg Büchnerit nën regji të Zana Hoxhës. Aty bashkëjetojnë çmenduria, efekti i punës çnjerëzore, alkoolizmi dhe jo vetëm. Fundi është tragjik, e në realitet është alarm. Drama është portret i fuqishëm dhe thellësisht emocional i vuajtjes dhe efektit shkatërrues të padrejtësive në shoqëri.
Festivali mbarëkombëtar i teatrit mbyllet më 27 nëntor me ndarjen e çmimeve. Në juri janë regjisorja e aktorja Drita Kaba-Karaga si dhe aktorët Arben Bajraktaraj, Arben Derhemi e Helidon Fino.
“Moisiu” e vazhdon dramën në Shkup, vitin e ardhshëm.