Kulturë

Martin Camaj – figura që ndriçon shqipen edhe pas një shekulli

Studiuesit Behar Gjok

Studiuesit Behar Gjoka dhe Anton Nikë Berisha kanë thënë se vepra e Camajt meriton lexim të shumëfishtë, përkushtim kritik e nderim të gjuhës që përfaqëson. Botuesi e shkrimtari Abdullah Zeneli, që kishte pasur rastin ta takojë Camajn në Frankfurt, ka vënë theksin te ndërlidhja e përhershme të autorit me veprën e tij

Duke shkruar në gegërisht e madje edhe në arbërisht, Camaj jo vetëm që ka ruajtur një dimension të rëndësishëm të gjuhës shqipe, por ka krijuar një poezi të thellë që flet me të gjitha shtresat e lexuesit, nga ai më i zakonshmi deri te shtresa elitare

Në mesin e aktiviteteve letrare që po mbahen në kuadër të Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë, një diskutim i veçantë i është kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Martin Camajt – njëri prej emrave më të shquar të letërsisë shqipe të mërgatës. Nën dritën e përvjetorit, pjesëmarrësit kanë sjellë mendime për rolin e Camajt në letrat shqipe, për veçantinë e gjuhës së tij të shkruar, si dhe për nevojën që vepra e tij të lexohet me vëmendjen që e meriton.

Studiuesit Behar Gjoka dhe Anton Nikë Berisha kanë prurë dy qasje që janë ndërthurur në thelbin e njëjtë: vepra e Camajt meriton lexim të shumëfishtë, përkushtim kritik e nderim të gjuhës që përfaqëson. Duke shkruar në gegërisht e madje edhe në arbërisht, Camaj jo vetëm që ka ruajtur një dimension të rëndësishëm të gjuhës shqipe, por ka krijuar një poezi të thellë që flet me të gjitha shtresat e lexuesit, nga ai më i zakonshmi deri te shtresa elitare.

Studiuesi Behar Gjoka ka theksuar se Martin Camaj kishte shkruar në gegërisht, gjuhë të cilën e konsideronte po aq shqipe sa çdo tjetër, dhe se kjo zgjedhje ka qenë çështje preference, jo ndikim modern.

“Martin Camaj ka shkruar në gegërisht, pra shqip, sepse edhe gegërishtja është shqip. Mendoj që kontributi dhe fjala e ndezur e gegërishtes prej Martin Camajt të gjitha herët do të duhej nënvizuar dhe jo të kundrohet në atë situatën që ka shkruar në kahen moderne. Jo... ai ka shkruar në atë gjuhë që i ka pëlqyer, madje i ka edhe dy-tri tekste në arbërisht”, ka thënë Gjoka gjatë diskutimit.

Ai ka shtuar se poezia e Camajt buron nga një vetmi e thellë dhe lexohet në të njëjtën gjendje të brendshme, ndërsa vepra e tij përfiton nga qasjet e ndryshme – si letrare, kritike dhe gjuhësore.

“Poezia shkruhet në atë vetminë hyjnore dhe poezia e Martinit lexohet në vetminë hyjnore. Natyrisht në dialogun dhe veprën letrare të gjerë është edhe kontributi i studiuesit, është edhe kontributi i kritikut, si dhe kontributi i gjuhëtarit që e bën këtë në përmasa të shumëfishta”, ka thënë ai.

Anton Nikë Berisha ka theksuar se “duhet një përqendrim pak më i madh, edhe kur lexohet, edhe kur flitet për të”, duke iu referuar Martin Camajt. Ai ka ngritur dilemën nëse njihet letërsia shqipe, duke thënë se njohja e vetes është çelësi për ta kuptuar edhe tjetrin.

“Ne nganjëherë kemi një mëdyshje, a i njohim autorët tanë apo s’i njohim, se ç’është e vërteta ne edhe veten nuk e njohim, se ai që bën përpjekje ta njohë vetveten mirë, i çel shtigjet që ta njohë edhe tjetri”, ka thënë gjatë diskutimit studiuesi Anton Nikë Berisha.

Berisha ka vënë në pah se në letërsi nuk ka hierarki të prerë, por ka vetëm vlerësim për veprat në bazë të përmbajtjes artistike dhe shijes së lexuesit.

“Ne jemi mësuar të themi se filani është më i madhi. Në letërsi nuk ka më i madhi, aty ka: ky është i madh për shkak se vepra e tij artistike ka këtë vlerë, është i madh edhe ky tjetri, siç shkruan Viktor Hygo se nuk shkruhet për Shekspirin se ky është më i madhi... Gjithçka varet prej shijes së atij që flet dhe që interpreton”, ka treguar ai duke marrë shembull edhe shkrimtarë ndërkombëtarë.

Sipas tij, leximi është themeli i çdo interpretimi letrar dhe vepra e Camajt kërkon lexime të shumta për të kuptuar thellësinë e saj.

“Akti i leximit është kryesor, kush nuk e di këtë dhe kush nuk mbështetet këtu, në letërsi është i humbur, dhe jo vetëm një lexim. Nëse mendon se me një lexim do të flasësh për veprën e Martinit, është e pakuptueshme. Martini shkruan art, nëse je i shtresës së ulët, e gjen veten aty, nëse je i shtresës elitare, e ke aty. Porosia është leximi”, ka thënë Berisha.

Një koment shtesë i botuesit e shkrimtarit Abdullah Zeneli, që kishte pasur rastin ta takonte Camajn në Frankfurt, ka vënë theksin mbi ndërlidhjen e përhershme të autorit me veprën e tij, si një kthim që nuk ndalet kurrë.

“Profesor Martinin kam pasur fatin ta takoj në 1986-n në Panairin e Librit në Frankfurt dhe ajo që më ka bërë shumë emocionues është lidhja me veprën dhe rikthimi i tij në letërsinë shqipe pas një kohe të gjatë. Shkrimtari gjithmonë i kthehet veprës së tij”, ka dhënë koment për Camajn botuesi e shkrimtari, Zeneli njëri nga organizatorët e parë të Panairit të Librit.

Diskutimi për Martin Camajn, në 100-vjetorin e lindjes së tij, ka sjellë jo vetëm kujtimin e një prej zërave më të veçantë të letërsisë shqipe, por edhe një thirrje për rikthim te leximi i vëmendshëm, i thelluar e i ndjeshëm. Në thelb, ky diskutim ka shërbyer edhe si rikujtim se letërsia nuk është vetëm çështje emrash, por përjetimesh, shtresimesh dhe leximesh që ndryshojnë me kohën, por që gjithmonë kërkojnë një lexues të gatshëm t’i dëgjojë në heshtje e me përulësi. Në këtë përvjetor, Camaj është shfaqur jo si figurë e ngrirë në kohë, por si autor që vazhdon të rritet me secilin që e lexon me shpirt të hapur.