Kulturë

Lufta prek Panairin e Frankfurtit, Kosova vazhdon traditën e pjesëmarrjes

Të pashmangshme janë ndikimet e luftës së Izraelit me Hamasin edhe në Panairin e Librit në Frankfurt, e ato janë dalluar para hapjes zyrtare. Një fjalim i filozofit Slavoj Zhizhek ka bërë bujë, një çmim është shtyrë, por më i madhi panair libri në botë është arenë debatesh. Kosova atje vazhdon traditën e nisur qysh më 2002, teksa prezanton botimet e reja. “Fjalët bashkojnë botën”, është motoja e ato që vijnë prej atje, janë thirrjet për paqe

Trazirat botërore gjithnjë kanë ndikuar në art e në ngjarjet e kulturës. Vazhdimisht prej aktiviteteve kulturore dalin thirrje për paqe. Vragat e konfliktit me mijëra të vrarë midis Izraelit e Hamasit kanë nisur të vërehen edhe në atë që konsiderohet ngjarja më e madhe e librit në botë – Panairi i Frankfurtit në Gjermani.

Një fjalim i filozofit Slavoj Zhizhek, ku përmendet konflikti në Lindjen e Mesme dhe shtyrja e dorëzimit të një çmimi letrar për shkrimtaren palestineze Adania Shibli kanë shkaktuar jo pak reagime krejt në fillim të edicionit të 75-të të ngjarjes.

Sivjet, siç është bërë traditë, aty zë vend edhe shtandi i Kosovës, shtetit që kohëve të fundit ka pasur jo pak vëmendje sa u përket konflikteve, sidomos pas agresionit të Serbisë nëpërmjet një grupi terrorist muajin e kaluar.

Libri në kohë mizore dhe të dhimbshme

Konfliktet zënë vend edhe në letërsinë që prezantohet në Panairin që është hapur të mërkurën për botues, shkrimtarë, përkthyes, kritikë e gazetarë, kurse prej të dielës do të hapë portat edhe për publikun e gjerë. Sivjet janë më shumë se 4200 botues nga 95 vende që prezantohen në këtë ngjarje, përderisa rreth 6 mijë përfaqësues mediatikë ia kanë mësyrë Frankfurtit. Me Slloveninë si të ftuar nderi e filozofin Slavoj Zhizhek aty, gazetarët kanë pasur për çfarë të raportojnë qysh një ditë para hapjes nën moton “Fjalët bashkojnë botën”.

Derisa ka folur në ceremoninë e hapjes së Panairit, Zhizhek nuk e ka lënë pa e prekur temën e luftës midis Izraelit e organizatës terroriste Hamas. Sipas raportimit të mediave botërore, ai fillimisht ka dënuar sulmet terroriste të Hamasit ndaj popullatës izraelite, por gjithashtu ka theksuar se është thelbësore të merret parasysh sfondi historik dhe të dëgjohen palestinezët për të kuptuar më mirë konfliktin. E në këtë rast ka ngjallur reagime të forta në audiencë. Të nivelit sa që Uwe Becker, komisioneri i antisemitizmit i shtetit gjerman të Hesses, ku ndodhet Frankfurt am Main i është kundërpërgjigjur filozofit slloven duke e akuzuar për relativizmin e krimeve të Hamasit. Madje Becker është larguar disa herë nga salla, por është kthyer me insistimin politikanëve lokalë.

Krahas “telasheve” me Zhizhekun, Panairi sivjet është duke u kritikuar goxha si organizim që “mbyll gojën” e krijuesve palestinezë. Shkrimtarja dhe eseistja me origjinë palestineze, Adania Shibli, e cila jeton midis Berlinit dhe Jerusalemit, më 20 tetor do të pranonte çmimin “LiBeraturpreis” për vitin 2023, një çmim vjetor që u jepet shkrimtareve nga Afrika, Azia, Amerika Latine apo bota arabe. Por befas të premten shoqata “LitProm” që ndan çmimin njoftoi se do të shtynte ceremoninë e ndarjes së tij “për shkak të luftës së nisur nga Hamasi, nën të cilën po vuajnë miliona njerëz në Izrael dhe Palestinë”. Në njoftimin e vet “LitProm” kishte bërë të ditur se kishte ndërmarrë hapin për të shtyrë ceremoninë si një “vendim i përbashkët” me autoren. Por agjencia që menaxhon Shiblin në një përgjigje për “The Guardian” ka bërë të ditur se vendimi nuk ishte marrë me pëlqimin e saj dhe se nëse ceremonia do të ishte mbajtur, ajo do të kishte shfrytëzuar rastin për të reflektuar mbi rolin e letërsisë në këto kohë mizore dhe të dhimbshme.

Në anën tjetër, nëpërmjet një letre të hapur e të nënshkruar nga më shumë se 350 shkrimtarë, midis tyre irlandezin Colm Tóibín, laureatin e “Pulitzerit”, Hisham Matar e historianin britanik William Dalrymple, organizatorët e Panairit janë këshilluar se kanë “përgjegjësi të krijojnë hapësira për shkrimtarët palestinezë që të ndajnë mendimet, ndjenjat, reflektimet e tyre mbi letërsinë në këto kohë të tmerrshme, mizore...”. Jo pak vende të botës myslimane kanë anuluar pjesëmarrjen.

Kosova me botime të reja

Por përtej përplasjeve që kanë për burim konfliktet, Panairi i Librit në Frankfurt është një festë e vërtetë. Atje tashmë tradicionalisht merr pjesë edhe Kosova duke u prezantuar nëpërmjet Shoqatës së Botuesve. Sipas njoftimit të Shoqatës, Shtandi i shtetit më të ri në Evropë mban numrin 4.1 dhe ndodhet në sallën F96. Po në këtë ambient janë edhe shtandet e Ukrainës, shteteve skandinave, botës arabe, shteteve baltike, Belgjikës, Holandës e të tjera. Sivjet audienca e Panairit që mbahet në atë që është kryeqyteti financiar gjerman posedon botimet e reja të botuesve të Kosovës, si “Buzuku”, “KOHA”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Skanderbeg Books”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë. Aty zënë vend edhe botime të institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës. Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se të shtunën, në aktivitetin gjithëditor, shënohen përvjetorët e Ernest Koliqit, Petro Markos, Jakov Xoxës e Teki Dërvishit. Po ashtu, do të promovohen autorët Ag Apolloni, Rita Petro, Loreta Schillok, Sadije Aliti, Mechthild Henneke dhe Jetlira Avdijaj. Që të gjithë janë në Panair dhe do të takohen me lexuesit dhe me të interesuarit e tjerë.

Image
Përtej përplasjeve që kanë për burim konfliktet, Panairi i Librit në Frankfurt është një festë e vërtetë. Atje tashmë tradicionalisht merr pjesë edhe Kosova, duke u prezantuar nëpërmjet Shoqatës së Botuesve të Kosovës (Foto: SHBK)

Rushdie, laureat i Çmimit të Paqes

Sivjet Çmimi Gjerman për Librin i është ndarë shkrimtarit austriak, Tonio Schachinger. Romani i tij “Në kohë të drejtpërdrejtë” rrëfen historinë e një adoleshenti vjenez që pushton botën me lojërat kompjuterike. Ceremoni e veçantë llogaritet ndarja e Çmimit të Paqes nga Shoqata Gjermane e Botuesve dhe Librashitësve për shkrimtarin e njohur Salman Ruzhdie. Në mungesë të Rushdie – i cili vitin e kaluar i kishte bërë ballë një sulmi me thikë – në emër të tij do të flasë shkrimtari gjerman Daniel Kehlmann. Vitin e kaluar këtë çmim e kishte pranuar shkrimtari i njohur ukrainas Serhij Zhardan.

Panairi i Frankfurtit nisi të mbahej në vitin 1949, si një shenjë e rifillimit të jetës kulturore në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore. Në edicionin e parë numëronte 205 botues gjermanë. Tash është simbol global i njerëzve të letrave. Por jo rrallë edhe ka nxitur alamet debatesh. Më 1959 Günter Grass me romanin e tij “Daullja e llamarintë” shkaktoi debate të mëdha, kurse në vitin 1998 ishte një fjalim i Martin Walserit pas marrjes së Çmimit të Paqes ndezi reagime të forta. Walseri aty do të thoshte se gjermanëve iu mbahet para syve e shkuara nacionalsocialiste, dhe se kjo nuk ndihmon për ta mbajtur vazhdimisht në kujtesë kritike epokën nacionalsocialiste. Edhe asokohe përfaqësuesit e hebrenjve kishin reaguar. Kryesuesi i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Ignatz Bubis, do ta akuzonte atë për “zjarrvënie shpirtërore”. Por ambientet e tilla janë hapësira mendimesh e dialogu. Këtë edhe e ka potencuar drejtori i Panairit sivjet pas debatit të nxitur nga slloveni Zhizhek. Juergen Boos, pas krejt diskutimeve midis Zhizhekut e të pranishmëve, ka thënë se qe i lumtur që fjalimi i filozofit mund të mbahej në tërësi, në emër të lirisë së shprehjes.

“Është e rëndësishme që ne të dëgjojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Boos. Ka folur prerazi duke thënë se dënojnë fuqishëm luftën barbare terroriste të Hamasit kundër Izraelit dhe se kanë mendjen te viktimat, familjet e tyre dhe te të gjithë njerëzit që vuajnë në Izrael dhe Palestinë për shkak të kësaj lufte.

“Panairi i Frankfurtit ka qenë gjithmonë për njerëzimin, fokusi i tij ka qenë gjithmonë në diskursin paqësor dhe demokratik”, ka shtuar ai.