Video e animuar “Kosova 1989-1999” e dhënë në kuadër të edicionit të 12-të Javës së të Drejtave të Njeriut, organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë, është përcjellë me një diskutim për atë periudhë. Gazetari, politikani e shkrimtari Veton Surroi bashkë me gazetarin e shkrimtarin Tim Judah kanë diskutuar për të kaluarën e aktualitetin. “Bombardimi e përkrahja amerikane, e të tjera, nuk mund të vinin nëse nuk do të kishte një ndërlidhje konceptuale edhe të vlerave midis lëvizjes së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Veton Surroi
Vitet ’90 përbëjnë dekadën më dramatike të Kosovës. Nën okupim të regjimit serb, shqiptarët zhvilluan diçka që për shumëkënd dukej surreale: një lloj shteti paralel në krye me dr. Ibrahim Rugovën.
Por, vija e rezistencës paqësore bashkë me atë të armatosur dhe intervenimin e aleancës ushtarake të botës demokratike - NATO-s, ka pikën kur Perëndimi ktheu sytë nga Kosova dhe kohën kur NATO-ja intervenoi ushtarakisht për të ndalur krimet serbe kundër shqiptarëve. Ajo që njihet si “Kërcënimi i Kërshëndellave” i presidentit amerikan George Bush – i njohur edhe si Bushi i Vjetër – më 1992 dha rezultatin praktik në marsin e 1999-s, kur aleatët perëndimorë bombarduan ish-Jugosllavinë. E krejt kjo histori është diskutuar në kuadër të edicionit të 12-të të Javës së të Drejtave të Njeriut, organizuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë.
Të mbledhur në “Kino Armata” në kryeqytet, gazetari, politikani e shkrimtari Veton Surroi bashkë me gazetarin e shkrimtarin Tim Judah kanë diskutuar për të kaluarën e aktualitetin. Por, para diskutimit të moderuar nga gazetarja Serbeze Haxhiaj, të pranishmit kanë parë një lloj filmi të animuar të titulluar “Kosova 1989-1999” me autor Shkëlzen Gashin e animacion të “Flammorum Animation Studio”. Kjo video shkon përtej kohës që e ka të përcaktuar në titull, pasi prek ngjarje deri te viti 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë bëri publik mendimin këshillëdhënës se Deklarata e Pavarësisë është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Videoja ka përmbledhur disa prej fragmenteve të ngjarjeve kryesisht të viteve ’90. Në rreth 25 minuta aty lihen jashtë shumë nuanca të historisë së asaj kohe. Madje në disa raste edhe zhvillime shumë domethënëse. Është njëfarë pasqyre e përgjithshme, e cila edhe në realizimin si animacion lë shumë për të dëshiruar. Në këtë anë u takon atyre prodhimeve që në zhargonin e të rinjve – moshës që kryesisht merret me animacion – mund të konsiderohet si “cheap”. Suprimimi i Autonomisë së Kosovës më 1989, më pas themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, masat represive mbi shqiptarë, fjalimet e Slobodan Milosheviqit në Kosovë, protestat e deri te lufta, janë një pjesë e pasqyrimit që videoja ia bën asaj kohe. Jepen të dhëna për viktimat, më pas bombardimet e NATO-s, shpalljen e Pavarësisë e shkohet deri te mendimi i GJND-së, që edhe e ka vulosur Pavarësinë e Kosovës.
Pas shfaqjes së dokumentarit Veton Surroi – i cili qe akter i rëndësishëm i rezistencës paqësore gjatë viteve ’90 – ka thënë se Slobodan Milosheviqi nuk është se fitoi mbështetjen e serbëve e as nuk mund t’i thuhet diktator. Sipas Surroit, gjendja e Serbisë ishte më e rëndë se kaq. Për të, Milosheviqi ishte produkt i shoqërisë serbe ku krejt akterët e asaj shoqërie kishin arritur konsensus për ardhjen e tij dhe të bëmat e mëpastajshme.
“Historia nuk është statike. Historia është akt i përditshëm dhe projeksion i përditshëm i ardhmërisë. Njerëzit e shkruajnë historinë në bazë të rrethanave të reja”, ka thënë Surroi. Sipas tij, në filmin e animuar që është shfaqur të enjten mbrëma, mungojnë disa detaje, por një është shumë i rëndësishëm.
“Presidenti Bush në fund të vitit 1992 e deklaroi ‘Kërcënimin e Kërshëndellave’. Ky ishte akt unikal i veprimit unilateral amerikan. Kërcënimi thoshte: Nëse Serbia ndërmerr aksione ofensive kundër shqiptarëve të Kosovës, Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën të ndëshkojnë unilateralisht Serbinë”, ka thënë ai. Sipas Surroit, ky kërcënim u zbatua më 1999 jo në formë unilaterale, por si pjesë e Aleancës së NATO-s.
“Pjesë e arritjes së këtij ‘Kërcënimi të Kërshëndellave’ ka qenë lëvizja apo rezistenca paqësore e Kosovës. Do të thotë, ‘Kërcënimi i Kërshëndellave’ ka qenë përgjigjja pozitive, shpërblim për veprimin e Kosovës në formë paqësore. Historia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa këtë ndërlidhje midis lëvizjes paqësore dhe SHBA-së, e cila në fund kulmoi me vizitën që bëmë në krye me dr. Ibrahim Rugovën në Washington më 1998”, ka thënë Surroi. Sipas tij, bombardimi i ish-Jugosllavisë më 1999 ka ardhur pas një ndërlidhjeje konceptuale.
“Bombardimi e përkrahja amerikane e të tjera nuk mund të vinin nëse nuk do të kishte një ndërlidhje konceptuale dhe të vlerave midis lëvizjes së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai. Në fund të viteve ’90, kur në Kosovë shpërtheu edhe lufta, në shoqëri pos lëvizjes paqësore qe edhe ajo e rezistencës me armë. Surroi ka thënë se në fund të fundit kjo lëvizje paqësore dhe njerëzit e kësaj lëvizjeje në njëfarë forme hynë dorëzanë për lëvizjen e armatosur, e cila kishte lindur si pjesë e lëvizjes së grupeve marksiste e leniniste. Por dy polet ishin bashkuar në rastin tejet vendimtar, kohën e negociatave dhe Marrëveshjes së Rambouillet.
“Gradualisht lëvizja paqësore dhe lëvizja e armatosur u integruan në një lëvizje të vetme, e cila garantonte se Kosova pas çlirimit do të jetë pjesë e Perëndimit”, ka thënë Surroi, i cili është një prej nënshkruesve të asaj marrëveshjeje që solli edhe lirinë e Kosovës. Sipas Surroit, rasti i Kosovës është unikat. Ka sqaruar se Reçaku, Srebrenica dhe Ruanda kanë një vijë të përbashkët, sepse presidenti Clinton u ndje jashtëzakonisht keq për faktin se gjatë presidencës së tij ndodhi Ruanda, gjenocidi që vrau afro 900 mijë njerëz brenda javësh.
“Reagimi në Srebrenicë ishte i gatshëm pasi ndodhën dy gjenocide brenda një presidence. Dhe, kur ndodhi Reçaku ky ishte sinjali që preku thellë në tolerancën amerikane të veprimeve të armatosura”, ka thënë Surroi. Në perspektiven e tij është tejet e rëndësishme që të dihet historia pak e detajuar, më e thelluar e më e avancuar se që është mësuar deri më tani. Këtë e ka thënë edhe në kuptimin e planifikimit që bën për të ardhmen një shoqëri ose shtet.
Gazetari e shkrimtari Tim Judah, i cili është njohës shumë i mirë i rastit të Kosovës, Ballkanit e po ashtu ka mbuluar shumë konflikte, përfshirë edhe luftën në Ukrainë, ka thënë se ka një dallim të madh midis të raportuarit nga Ukraina dhe kohës së raportimit nga Kosova. Ka sqaruar se më 1998-1999 deri në kohën e bombardimeve gazetarët e huaj kanë pasur mundësi që në Kosovë të takojnë të gjitha palët dhe të pasqyrojnë perspektivat e krejt grupeve. Ka kujtuar se asokohe ai ka mundur të takonte Surroin si kryeredaktor të “Kohës Ditore”, më pas pushtetin serb, refugjatët nëpër male e deri te trupat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Por në Ukrainë, pos anës së ukrainasve s’ke mundësi tjetër. Rusët nuk japin leje e arrestojnë gazetarë.
Është një realitet krejt tjetër”, ka thënë ai. Sa i përket dallimit që ka në Kosovë e Ballkan prej vitit 1999 e deri më tash, ai ka thënë se situata ka krejt tjetër pamje.
“Është e vështirë të imagjinohet ndryshimi që ka ndodhur. Asokohe ishin qytetet të vogla. Por kishte edhe aspekte surreale. Kishte një president dhe një jetë paralele politike. Nuk përshkruhet sa surreale ishte ajo. Tash shokohem nga zhvillimi e ndërtimi që shoh. Ajo kohë tash duket një histori e largët.
Krejt regjioni ka ecur shumë përpara dhe madje me shumë shpejtësi”, ka thënë Judah, i cili është edhe autor i disa librave për zhvillimet në këto anë. Dyshja Surroi e Judah janë dëshmitarë e akterë të shumë zhvillimeve në ditët e vështira të Kosovës. Diskutimi i tyre përtej përshkrimit të asaj kohe ka qenë edhe njëfarë analize këshillëdhënëse se si duhet vepruar në situata të ndryshme gjeopolitike. E po ashtu se si duhet ruajtur aleatët në ditë të vështira.