Kulturë

Muzeu “Dritëro Agolli”, kujtim për kolosin dhe traditat

Muzeu “Dritëro Agolli” do të jetë një qendër kulturore e gjallë ku do të ekspozohen dorëshkrime, objekte personale, fotografi dhe dokumente arkivore

Muzeu “Dritëro Agolli” do të jetë një qendër kulturore e gjallë ku do të ekspozohen dorëshkrime, objekte personale, fotografi dhe dokumente arkivore

Si vënie e gurit themeltar për muzeun “Dritëro Agolli” është cilësuar edhe ngjarja e radhës në fshatin Menkulas të Devollit, vendlindjen e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, e cila ka pasur karakter riti fetar dhe vjen pas asaj të qershorit, kur autoritetet nisën punimet për objektin në nderim të poetit të shquar.  Ky projekt kulturor, përtej simbolikës, është një akt konkret vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm të Agollit në letrat shqipe dhe një hap përpara në përçimin e këtyre vlerave tek brezat e rinj. Në ritin e kurbanit në themele të muzeut morën pjesë edhe kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Baba Mondi dhe Elona Agolli, vajza e shkrimtarit.
“Dritëroi është një nga figurat e kombit shqiptar, ka lënë një vepër të shkëlqyer, ku ka frymëzuar shumë shqiptarë për të përballuar vështirësitë. Falënderoj familjen, arkitektin dhe të gjithë dashamirësit e tij që po bëjnë këtë muze, për këtë figurë kaq madhe të Shqipërisë. Ishte një personalitet i madh. Zoti na nderoftë të gjithëve, Amin!” , citohet të diele të ketë thënë Baba Mondi.

Ndërsa, Elona Agolli, me emocion ka sjellë për të pranishmit copëza nga jeta personale e të atit, duke e rikujtuar jo vetëm si një kolos të letrave, por si një baba.

“Jam e nderuar që marr pjesë në ritin e kurbanit, një rit bektashian. Edhe rrënjët e familjes sime i përkasin këtij besimi, por edhe moralit bektashian. Gjyshërit e Dritëros dhe gjyshi im, Rizai, i përkisnin besimit bektashi. Përherë në familjen e tim eti këndoheshin këngët e bektashizmit, recitohej Abaz Aliu i Naim Frashërit. Jam e lumtur, pasi me realizimin, bërjen realitet të muzeut për Dritëro Agollin në fshatin e tij të lindjes, do të ketë një mundësi dhe hapësirë të posaçme dedikuar traditave të familjes bektashiane, historisë familjare të shkrimtarit”, citohet të ketë thënë ajo. 

Muzeu “Dritëro Agolli” do të jetë një qendër kulturore e gjallë ku do të ekspozohen dorëshkrime, objekte personale, fotografi dhe dokumente arkivore. Ajo synon të bëhet një pikë referimi për çdo vizitor dhe të ri që dëshiron të njohë nga afër jetën dhe veprën e këtij personaliteti të shquar të kulturës shqiptare.

Punimet për muzeun “Dritëro Agolli” kishin nisur në qershorin e sivjetmë kur prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, kishte bërë të ditur se ky projekt vjen falë një bashkëfinancimi nga Këshilli i Qarkut në Korçë dhe Bashkisë së Devollit. Në atë ceremoni, ku ishin të pranishëm autoritetet vendore, ishte vendosur guri themeltar për projektin e paralajmëruar kaherë e tash, siç ishte përshkruar, “është konceptuar si një muze që i shkon për shtat një kolosi të letërsisë shqipe dhe një devolliu të mirë, atij që e ngriti lart emrin e Devollit dhe të devollinjve kudo”.

Kostoja e projektit në atë fazë ishte 19 milionë lekë (rreth 85 mijë euro) dhe punimet pritet të përfundohen për gjashtë muaj. 

Dritëro Agolli vdiq më 3 shkurt të vitit 2017 në moshën 85-vjeçare. 

I lindur më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, Agolli shquhet si njëri që nëpërmjet vargjeve nxiti dashuri për jetën, për tokën, atdheun, vendlindjen e për njeriun. Sharmi i tij krijues është vërejtur herët, qyshkur ishte gjimnazist në Gjirokastër. Asokohe poezitë e tij zinin vend në faqet e gazetës “Rinia”. E vite më pas u shndërrua në njërin prej mjeshtërve më me nam të letërsisë shqipe. 

Pas gjimnazit Agolli kishte ndjekur studimet jashtë vendit. Studenti i Shën Petërburgut në moshën 25-vjeçare, u kthye nga Bashkimi Sovjetik dhe nisi punën në Tiranë, fillimisht si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”. Publicistika e tij përbëhet nga mijëra artikuj, fejtone, ese dhe reportazhe. Për shumë vjet Agolli ka dhënë kontribut edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe. Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Vëllimet poetike ndër më të njohurat të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”, “Pelegrini i vonuar” e të tjera. Krijimtaria e tij bëri që të cilësohej si inovator i poezisë shqiptare sa i përket gërshetimit që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjuhës shqipe. Romanet e tij nuk mbetën vetëm të tilla, por u shndërruan edhe në skenarë filmash

Projektet kinematografike shqiptare si “I teti në bronz”, “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top” e të tjera janë bazuar në romanet e Agollit.