Ajo çfarë ka shpalosur Orkestra Harkore e solistët janë prej xhevahireve më të çmuara të trashëgimisë muzikore shqiptare, të cilat Opera e Kosovës zotohet që me të tilla ngjarje t’i kultivojë e t’i ruajë. Koncertin që synon ta shndërrojë në tradicional, “Kosova në tinguj” e ka pasuruar me premierën para publikut vendor të veprës “Suitë për orkestër harkore” të Valton Beqirit
Institucionet e muzikës klasike të Kosovës sjellin skenën më elitare muzikore të krejt botës. Repertori është tejet i gjerë dhe përfshin kultura të vendeve të ndryshme. Por ajo shqiptare është e patejkalueshme.
Opera e Kosovës për të dytin vit ka sjellë koncertin “Kosova në tinguj”, me të cilin synon ta mbajë traditën. Ajo çfarë ka shpalosur të enjten Orkestra Harkore e solistët janë prej xhevahireve më të çmuara të trashëgimisë muzikore shqiptare, të cilat synon që me të tilla ngjarje t’i kultivojë e t’i ruajë.
Kushtet janë përherë refren në skenën kulturore të vendit. Tash është bërë krejt normale të interpretohet në salla që janë urë lidhëse e kalimtarëve me hapësira të tjera. Zhurmat, akustika e dobët, vapa, dihet që i përcjellin këto ngjarje dhe publiku, megjithatë, nuk heziton të jetë aty ku muzika e mirëfilltë jehon.
Në të tilla kushte ka qenë aty edhe për koncertin “Kosova në tinguj” të Orkestrës Harkore të Operës së Kosovës me solistë këngëtarë e instrumentistë.
Koncerti në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ka nisur me “Suitë për orkestër harkore” nga Valton Beqiri. Kjo vepër ka qenë edhe e veçanta e koncertit. Pas premierës botërore në Osaka të Japonisë në kuadër të “Expo2025”, ku Kosova u promovua edhe nëpërmjet kulturës muzikore ku u pati interpretuar nga një kuartet me instrumentistë të Filharmonisë së Kosovës, u soll edhe në Prishtinë.

Vepra ka nisur me ritme harmonike e gjatë zhvillimit janë luajtur edhe tema që fillimisht e ulin ritmin e gradualisht ngrihen derisa arrijnë në pikën më të lartë, me të cilën edhe përmbyllen.
Dirigjenti i këtij koncerti, Edon Ramadani, ka thënë se përgjegjësia e tyre kësaj here ka rënë te po kjo vepër.
“Veçori e këtij koncerti ka qenë edhe vepra e parë që është sjellë premierë në Kosovë, sepse është interpretuar prej një kuarteti harkor para pak kohësh në Japoni. Ishte një përgjegjësi pak më e madhe ndaj asaj vepre, meqë u interpretua për herë të parë. Veprat e tjera i kemi interpretuar edhe vitin e kaluar. Kësaj here ka qenë edhe më kënaqësi, sepse repertori ka qenë tanimë i performuar”, ka thënë maestro Ramadani.
Repertori këtë vit është po i njëjti me atë çfarë ishte shpalosur në maj të vitit të kaluar. Ramadani ka thënë se synojnë ta zgjerojnë këtë repertor që përfshin vepra të aranzhuara nga ai, si dhe kompozitori Valton Beqiri.
“Po mundohemi, edhe pse arsyeja e këtij koncerti është iniciuar si rrjedhojë e një vizite të gazetarëve të huaj të themi të drejtën. Pastaj e pamë që është shumë e nevojshme të merremi me repertorin tonë. I mblodhëm disa aranzhime dhe disa i punuam ekstra për atë koncert. Po e shohim që po pëlqehet shumë nga publiku, por në të njëjtën kohë po e rrisim opusin e aranzhmaneve për këtë formacion të caktuar për ta prezantuar kulturën tonë muzikore edhe jashtë vendit”, ka thënë dirigjenti Ramadani.
Është shprehur i kënaqur me rezultatin e koncertit.
“Natyrisht me një orkestër të tillë, me një energji të tillë të të rinjve, isha shumë i kënaqur me interpretimin e tyre, duke e shtuar edhe shkëlqimin e tri sopranove tona të mrekullueshme që i kemi, për të pasur edhe duartrokitje që kishte sonte”, ka thënë ai më tej.
Sopranoja Kaltrina Miftari ka interpretuar këngët tradicionale “Asaman”, “Lamtumirë” të Muharrem Qenës dhe “Kroi i fshatit tonë” të Kristo Konos.
Këngët, po aq të bukura, “Pranvera filloi me ardh” të Tonin Harapit, “Mallëngjimi” të Rashid Krasniqit, si dhe “E kujtoj atë takim” të Pranvera Badivukut i ka interpretuar sopranoja Adelina Paloja.
Paloja, e cila ka interpretuar dy prej këtyre tri këngëve edhe vitin e kaluar në të njëjtin koncert, është shprehur e emocionuar me pjesëmarrjen në koncert.
“Ishte një emocion i mrekullueshëm si përherë kur bashkëpunojmë me institucionin e ri, por edhe jo të ri, sepse dihet që gjenerata të tëra kanë kontribuuar në formimin e institucionit të Operës së Kosovës. Në thelbin e kësaj, ne kemi përzgjedhur sonte një repertor shqiptar, i cili me shumë kërshëri pritet nga audienca e Kosovës”, është shprehur ajo derisa kultivimin e këngës shqipe e ka konsideruar si obligim.
“Ne interpretuam veprat, mbase ndër më të bukurat që ka pafund muzika jonë e kultivuar artistike për vokal dhe në këtë rast për orkestër të harqeve. Jam e lumtur dhe e përmbushur që pas një agjende të ngjeshur që kisha, të kthehem para këtij publiku dhe ta transmetojmë me zemër plot muzikën tonë të bukur shqiptare të cilën e kemi obligim”, ka thënë sopranoja Paloja.
Kompozitorja Pranvera Badivuku, autore e këngës “E kujtoj atë takim” të cilën e ka interpretuar sopranoja Paloja, është shprehur e nderuar me interpretimin e këngës së saj në koncertin e Operës.
“Ishte për mua nder, pasi për të satën herë kjo këngë ekzekutohet dhe interpretohet nga këngëtarë të ndryshëm. Më erdhi mirë që Adelina, të cilën si fëmijë e kam përcjellë në hapat e saj në zhvillimin e muzikës, e interpretoi mjaft bukur. Po ashtu edhe këngëtaret, si Kaltrina Miftari e Zana Abazi ishin të mrekullueshme. Mund të them se e gjithë mbrëmja ishte e përkryer”, është shprehur Badivuku, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së këngëve popullore.
“Besoj se është traditë e mirë që këngët të përsëriten, dhe kjo përcjell një mesazh edhe te të rinjtë që të kultivohet dhe të mos humbet tradita jonë popullore”, ka thënë ajo më tej.

E sopranoja Zana Abazi-Ramadani ka interpretuar këngën tradicionale “O moj bukuroshe”, “Me lule t’bukura” të Tish Daijas dhe “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.
“Nuk janë aq të lehta edhe për nga interpretimi, por këto këngë lirike janë kthyer në këngë pothuajse operistike. Për mua është kënaqësi, sepse janë ritmet tona, jemi rritur me to dhe janë interpretimi e këndimi më të afërt me ne”, ka thënë sopranoja Abazi-Ramadani duke uruar që ky repertor të depërtojë edhe jashtë trevave shqiptare.
“Kam dëshirë që këto vepra të mos mbeten vetëm këtu, por edhe të transmetohen nëpër Evropë, të këndohen dhe t’u tregojmë edhe vendeve të tjera që kemi kulturë shumë më të madhe dhe shumë më të vlefshme seç e njohin ata Kosovën dhe vendin tonë”, ka thënë ajo më tej.
Ëmbla Dana me flaut ka interpretuar “Bareshën” e Rexho Mulliqit, ndërsa me klarinetë, Lum Haxhijakupi ka sjellë ritmet e këngës “Sa bukur na ka dal’ nusja” nga Thoma Simaku.
Tri sopranot, Miftari, Paloja e Abazi-Ramadani janë bërë bashkë në interpretimin e këngës “Valsi i lumturisë” të Avni Mulës, me të cilën është mbyllur koncerti.
Ngjarja të cilën Opera synon ta bëjë traditë të institucionit nisi majin e vitit të kaluar. Formacioni qe gati i ngjashëm edhe në këtë koncert që u mbajt në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në Pallatin e Rinisë. Edhe ky koncert qe drejtuar nga maestro Edon Ramadani, me soliste sopranot Adelina Paloja, Besa Llugiqi dhe Zana Abazi–Ramadani. Qe konsideruar si nxitës për pasurimin e literaturës së këngës shqipe dhe me të njëjtin qëllim erdhi edhe sivjet.
Ngjarjet e fundit në të cilat Opera e Kosovës qe e përfshirë ishin ato me peshë për skenën klasike të Kosovës. Këtë muaj, fillimisht përkrah Orkestrës së Operës e asaj të Filharmonisë së Kosovës, interpretoi ylli botëror i operës, Ermonela Jaho, e më pas formacione të Operës, së bashku me ato të Filharmonisë e të Baletit bashkuan forcat për kantatën skenike “Carmina Burana” të Carl Orffit.