Kulturë

Kosova me tri shanse për “Zemrën e Sarajevës” që çon drejt “Oscarit”

Kosova me tri shanse për “Zemrën e Sarajevës” që çon drejt “Oscarit”

Në Festivalin e Filmit në Sarajevë – i cili prej sivjet është edhe kualifikues për çmimin prestigjioz “Oscar” – Kosova ka përfaqësim të trefishtë në tri kategori të ndryshme: në kategorinë e filmit të gjatë, si bashkëprodhuese e filmit malazias “Vidra”, e me përfaqësim të plotë, me “Mua besoj më shpëtoi portreti”, nën regji të Alban Mujës dhe “Sytë e Bernës”, nën regji të Ermal Gërdovcit me skenar të Patrik Lekajt. Janë zgjedhur në mesin e mbi një mijë filmave

Njihet si njëri prej festivaleve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore, prej sivjet është kualifikues edhe për çmimin “Oscar”, në tapetin e kuq të tij kanë shkelur emra të shquar të kinematografisë botërore, e Kosova – ndonëse ende e prezantuar me fusnotë – nuk është e panjohur për Festivalin e Filmit në Sarajevë dhe për çmimet e tij, “Zemrën e Sarajevës”. 

Të mërkurën kjo ngjarje madhore ka shpallur filmat garues për edicionin e 31-të. Janë 50 filma nga të katër anët e botës në garën zyrtare në të cilën Kosova ka përfaqësim të trefishtë: një bashkëprodhim dhe dy filma prodhim vendor. 

“Vidra”, nën regji të Srgjan Vuletiqit dhe skenar të Stefan Boshkoviqit, në të cilin Kosova është bashkëprodhuese të cilit i prin Mali i Zi, pasuar nga Bosnjë-Hercegovina, Italia dhe Kroacia garon në kategorinë kryesore – atë të filmit të gjatë tok me tetë filma të tjerë. Do të jepet premierë botërore në SFF që mbahet prej 15 deri më 22 gusht.  Producent i Kosovës i këtij filmi është Fatmir Spahiu, i cili po ashtu është edhe në kastën e aktorëve sikurse edhe Edona Reshitaj e Aurita Agushi e në staf janë Pëllumb Ballata, Nol Selmani. Qendra Kinematografike e Kosovës e ka financuar si bashkëprodhim minor. Përshkruhet si dramë që shpalos historinë e Hanës, një adoleshente introverte e cila është fshehurazi e dashuruar me Balshën. “Përmes personazhit të Hanës, publiku përballet me një udhëtim kompleks emocional të mbushur me shpresë, zhgënjime, trishtim, duke luftuar për veten dhe qëndrimet e veta”, shkruhet në sinopsis. 

Por me përfaqësim të plotë, Kosova ka në garë dy filma: “Mua besoj më shpëtoi portreti”, nën regji të Alban Mujës dhe “Sytë e Bernës”, nën regji të Ermal Gërdovcit me skenar të Patrik Lekajt. I pari garon në kategorinë e dokumentarëve, në SFF jepet premierë rajonale, e “Sytë...” në garën e filmave të shkurtër, do të jetë premierë botërore. 

Për futjen në garë të tre filmave ka njoftuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës. Për “Vidra” ka shkruar se që nga faza e zhvillimit ka tërhequr vëmendjen e platformave dhe ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare: “Është përzgjedhur për ‘Cinefondation’ – L’Atelier në Festivalin e Kanës, ka fituar çmimin kryesor ‘Eurimages Co-Production Development Award’ në ‘CineLink’, është shpërblyer me ‘Best Pitch Award’ në ‘When East Meets West’ dhe është përzgjedhur për ‘Work in Progress’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Një element i veçantë i filmit është përfshirja e të rinjve në rolet kryesore – të gjithë nxënës të shkollave të mesme”, ka shkruar QKK-ja në tri njoftime të ndara për të tre filmat, afishuar në rrjete sociale. Siç njoftohet në ueb-faqen zyrtare të SFF-së, është premierë botërore. Për “Mua besoj më shpëtoi portreti” ka shkruar se “pas shumë sukseseve nëpër festivale ndërkombëtare, filmi i shkurtër dokumentar do të shfaqet në Programin Konkurrues (Competition Programme – Documentary Film) të Filmit Dokumentar në Sarajevo Film Festival 2025”.

Në garë ka edhe 20 filma të tjerë dokumentarë. “Mua...” e nisi mbarë qysh me premierë botërore në shkurtin e sivjetmë. “Goditi” në “Berlinale”, ku rrëfeu histori mbijetese. Protagonisti rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e kasapit serb. Është rrëfimi i piktorit Skënder Muja, babait të autorit të filmit. U shfaq në kuadër të programit “Forum Expanded” të edicionit të 75-të njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë filmike botërore. Prej aty, në prill vazhdoi në “Go Short” në qytetin Nijmegen të Holandës e qershori e gjeti në “Vienna Shorts” dhe në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Hamburg. 

Për “Sytë e Bernës”, Sarajeva do të jetë takimi i parë me publikun.  

“Është një rrugëtim psikologjik drejt zemërimit, të kaluarës dhe një katarsisi të errët. E përndjekur nga trauma dhe e rraskapitur nga pagjumësia, Berna zhytet në vizione të dhunshme ku kufiri mes reales dhe hakmarrjes zhduket. Filmi është pjesë e ‘Competition Programme - Short Film’ dhe do të konkurrojë në mesin e 10 filmave të tjerë të përzgjedhur në këtë kategori”, ka shkruar QKK-ja për këtë film në të cilin rolet kryesore i kanë: Arta Selimi, Tristan Halilaj, Ervin Shala, Gramos Malaj dhe Altin Vraniqi.
Festivali i Filmit në Sarajevë ka njoftuar se prej 50 filmave garues në katër kategori, 16 filma do të kenë premiera botërore. Sipas njoftimit, ekipi i përzgjedhjes së filmave, i udhëhequr nga Izeta Gragjeviq, drejtoreshë artistike e Festivalit të Filmit në Sarajevë, mori në shqyrtim një mijë e 36  filma: 195 filma artistikë, 291 dokumentarë dhe 550 filma të shkurtër dhe studentorë.

“Programet e edicionit të 31-të Festivalit të Filmit në Sarajevë bashkojnë autorë të cilët, secili nga perspektiva e vet dhe në formate dhe zhanre të ndryshme, eksplorojnë se si jetojmë dhe si mbijetojmë brenda kornizave shoqërore komplekse dhe të paqëndrueshme. Shtylla kurrizore e programeve të këtij viti janë filmat që, duke tejkaluar kufijtë kombëtarë, u qëndrojnë besnikë historive universale që formësojnë jetën tonë. Në këtë gamë –  nga temat që merren me të tashmen deri tek ata që vënë në pikëpyetje të kaluarën –  kjo përzgjedhje hap hapësirë që, përmes historive të filmave, të kujtojmë atë që të gjithë kemi të përbashkët: nevojën për të kuptuarit, për afërsi e mirëkuptim”, citohet të ketë thënë Gragjeviq, sipas njoftimit të SFF-së. 

Prej këtij viti Festivali i Filmit në Sarajevë (SFF) ka marrë statusin e “festivalit kualifikues të filmit” për çmimet “Oscar”. Ky status do të thotë që filmat fitues në kategoritë e përzgjedhura do të mund të kualifikohen për nominimet për çmimin më të madh në kinematografi.

“Pas përfshirjes në listën e festivaleve prestigjioze botërore në vitin 2019, fituesit e të cilëve në kategorinë e filmit të shkurtër kualifikoheshin automatikisht për t’u konsideruar për nominim për çmimin ‘Oscar’, tash e tutje atë privilegj e kanë edhe fituesit e ‘Zemrës së Sarajevës’ për dokumentarin më të mirë të metrazhit të gjatë”, thuhej në njoftimin e marsit të sivjetmë kur SFF-ja shënoi këtë arritje. 

“Academy Awards” e kishte përfshirë kategorinë “festivalet kualifikuese të filmit” për të nxjerrë në pah filmat që janë shpërblyer në festivalet relevante botërore. 

“Sipas vendimit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit, fituesit e ‘Zemrës së Sarajevës’ për dokumentarin më të mirë, ‘Zemrës së Sarajevës’ për filmin më të mirë të shkurtër dhe fituesi i kandidimit për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit në kategorinë e filmit më të mirë të shkurtër, kualifikohen automatikisht për nominim për ‘Oscar’. Kjo njeh suksesin e arritur nga fituesit e çmimeve në SFF dhe nëse i plotësojnë rregullat e tjera të Akademisë kualifikohen për t'u konsideruar për nominimin për çmimet ‘Oscar’”, thuhej në njoftim.

Në SFF, kinematografia e Kosovës ka një kapitull të veçantë. Vetëm vitin e kaluar, “Si e verdhë e sëmurë”, nën regji të Norika Sefës, mori “Zemrën e Sarajevës” për dokumentarin më të mirë të shkurtër. Në vitin 2021, Sefa me filmin e saj “Në kërkim të Venerës” kishte marrë çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”. Vjet në garë kishte qenë edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës. Në vitin 2020, “Exil” i Visar Morinës mori “Zemrën e Sarajevës” për filmin më të mirë. Në atë edicion pjesëmarrës ishin edhe “Galaktika e Andromedës” i regjisores More Raça, “Zana” i Antoneta Kastratit dhe “Vera andrron detin”, i regjisores Kaltrina Krasniqi. Në vitin 2020 Kosova shënoi sukses të trefishtë: “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa vend” – ia dolën të merrnin ndër çmimet kryesore të evenimentit të njohur të filmit. Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – pjesë e kastit të filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit – kishin marrë “Zemra e Sarajevës” për aktoren më të mirë”. Pos “Në kërkim të Venerës” me “Përmendje speciale për barazi gjinore”, “Pa vend” i Samir Karahodës mori “Special Jury Mention”. 

Historia e SFF-së nisi më 1995, pikërisht kur Sarajeva mbahej e rrethuar nga forcat ushtarake serbe. Angelina Jolie, Brad Pitt, Robert de Niro, Orlando Bloom, Morgan Freeman, Gerard Depardieu, Benicio del Toro, janë disa prej emrave që i ka mirëpritur ky festival.