Kulturë

Konkursi për projekte filmike në fundvit sjell risi e prish ritmin

Me hapjen e konkursit për projekte filmike tek në dhjetëditëshin e fundit të vitit, Qendra Kinematografike e Kosovës, sipas një pjese të regjisorëve, prek atë që është kërkuar vazhdimisht: mbajtja e vazhdimësisë me produksione filmike. Për QKK-në, shkak i vonesave janë rregulloret që kanë dalë prej Ligjit të ri për kinematografi përderisa konkursi i tanishëm vjen edhe me risi. Njëra prej tyre edhe mbështetja e studentëve, e cila konsiderohet si hap me peshë dhe i domosdoshëm

Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet një rekord e ka të sigurt: atë për vonimin e konkursit për subvencionimin e projekteve filmike. Nuk ia ka dalë që të hapë deri në ditën e 20-të të dhjetorit duke bërë që procesi të mos përfundojë sivjet. Arsyetim për këtë janë telashet administrative me hartimin e akteve nënligjore si derivat i Ligjit të ri për kinematografi. Vonesa e konkursit shihet edhe si një vit i humbur pasi në kushte normale projektet e përzgjedhura tashmë do të ishin në ndonjë tjetër fazë. Konkursi do të jetë i hapur deri më 24 janar.

Të mërkurën, kur edhe është hapur konkursi, QKK-ja ka njoftuar se këtë vit ka edhe risi. Sipas njoftimit, janë edhe dy kategori të reja: ajo e zhvillimit të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar, si dhe kategoria për film të shkurtër studentor. Por në realitet kategoria e parë ka ekzistuar edhe më herët, por ka qenë për projekte deri në 60 minuta, kurse tash lejohet edhe mbi këtë kohëzgjatje.

“Po ashtu, risi e kësaj thirrjeje është edhe zgjerimi i mbështetjes në bashkëprodhimin minor ku këtë vit përfshihet edhe filmi dokumentar. E njëjta vlen edhe për kategorinë post-produksion për film të metrazhit të gjatë, të cilit i shtohet edhe filmi dokumentar”, shkruhet në njoftim. Përtej kësaj, sipas QKK-së, tash e tutje skenaristët kanë mundësinë të aplikojnë për mbështetje si skenaristë të pavarur në kategorinë për zhvillim të skenarit. Në përgjithësi janë 12 kategori ku mund të aplikohet. Konkursi pranon projekte për film të metrazhit të shkurtër artistik, të metrazhit të gjatë për regjisorët debutues , film të metrazhit të gjatë dokumentar, film të metrazhit të gjatë artistik, film të shkurtër studentor, zhvillim të skenarit për film të metrazhit të gjatë artistik dhe të animuar. Më pas si kategori janë edhe ato për film të metrazhit të gjatë të animuar, post-produksion për film të metrazhit të gjatë artistik dhe dokumentar, zhvillim të projektit për film të metrazhit të gjatë artistik, dokumentar dhe të animuar, film të shkurtër të animuar dhe film të metrazhit të shkurtër dokumentar.

Në prill të këtij viti QKK-ja është bërë edhe me drejtuese të re. Regjisorja Blerta Zeqiri, që ka marrë mandat katërvjeçar si drejtoreshë, ka thënë se janë duke punuar shumë që të miratohen rregulloret në mënyrë që të hapet konkursi.

“Vonesa është për arsye se miratimi i Ligjit të ri është përcjellë me nevojën për rregullore të reja dhe pa u bërë rregulloret nuk kishim mundësi të hapnim konkursin”, ka thënë ajo të mërkurën.

Pas tentimeve tash e më shumë se një dekadë, kinematografia është bërë me ligj të ri në qershor të këtij viti kur me 75 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për kinematografi duke zëvendësuar Ligjin për kinematografi, që ishte në fuqi prej vitit 2004.

Sipas Zeqirit, planet janë që prej vitit që vjen QKK-ja të hapë dy konkurse brenda vitit, një në qershor e tjetri në nëntor.

“Është më e lehtë për filmbërësit që të aplikojnë kur kemi dy konkurse në vit. Ideja është që të jetë një konkurs në nëntor në mënyrë që të mund të përfundojë procesi deri në mars në mënyrë që filmat që përzgjidhen e të mund të kenë kohë për të aplikuar nëpër fonde të tjera për bashkëprodhus. Në mars e në prill hapen konkurset nëpër botë”, ka thënë Zeqiri. Sipas saj, në qershor do të krijohej një tjetër mundësi për filmbërësit në mënyrë që të mos presin për një konkurs në vit.

“Njëherë në vit është shumë pak. Kjo është praktikë që e kanë shumica e fondeve që ne nuk e kemi pasur deri më tash”, ka thënë Zeqiri.

Por për një pjesë të komunitetit të kinematografisë ky vit ka shkuar pa konkurs.

“Kjo do të thotë një vit i humbur. Mbështetja e projekteve të reja do të fillojë të realizohet diku kah mesi i vitit 2024 e që do të prolongojë me siguri edhe konkursin e vitit 2024”, ka thënë regjisori Agim Sopi. Sipas tij, sido që të ndodhë, nëse drejtoresha e re do të sjellë një fryme tjetër dhe nuk do të favorizojë “klanin e vjetër, i cili deri tani ka zhvatur buxhetin e shtetit për më shumë se 10 vjet në format më të vrazhda korruptuese, atëherë do ta ketë shumë vështirë që ta krijojë një rend cilësor e meritor”. Sipas tij, drejtoreshës Zeqiri do t’i duhej një punë “vetmohuese për të çliruar energjitë e ndrydhura që do të rikthejnë profesionalizmin dhe dinjitetin krijues të nëpërkëmbur nga matrapazët politikë, të cilët kanë funksionuar me logjikën përjashtuese dhe me logjikën e seleksionimeve negative në përmbajtjet kinematografike”.

“Sinqerisht i uroj zonjës Zeqiri kurajë dhe vullnet profesional në punën e madhe për ta kthyer në binarët ligjorë QKK-në, e cila deri më tash – në kohën e Arben Zharkut dhe të Lum Çitakut – ka shërbyer veç si instrument politik për zhvatjen e buxhetit publik”, ka thënë Sopi të mërkurën vonë.

Regjisori e profesori universitar, Jeton Ahmetaj, ka thënë se me aq sa ai di, po të ishte varur konkursi nga QKK-ja, do të shpallej më herët, por si duket ngecjet janë procedurale në Ministrinë e Kulturës.

“Por mirë është që u shpall konkursi dhe në këtë konkurs ka risi, si mbështetja e studentëve të regjisë së filmit, që është për t’u përshëndetur, kur dihet se ata janë e ardhmja e kinematografisë. Drejtoresha Zeqiri ka bërë një hap shumë pozitiv që duhet të përshëndetet”, ka thënë ai. Sipas Ahmetajt, sfidat e studentëve për të siguruar buxhet kanë qenë të tmerrshme.

“Si duket vuajtjeve të tyre u erdhi fundi me këtë vendim shumë pozitiv nga QKK. Unë si profesor i regjisë se filmit nuk mund të jem më i gëzuar kur i di sfidat me të cilat jemi përballur tani e 25 vjet”, ka thënë ai.

Në kushte normale, QKK-ja do të duhej ta hapte konkursin në fillim të vitit. Vjet është hapur më 15 korrik. Por, procedurat deri në finalizim kishin zgjatur deri në fund të dhjetorit. Më 2021 konkursi qe hapur në fund të shtatorit, përderisa më 2020 në korrik. Sa i përket vitit 2021, asokohe QKK-ja kishte telashet financiare. Sivjet, sikurse vitin e kaluar, buxheti për subvencione sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore është 1.5 milionë euro.

Vitin e kaluar Qendra Kinematografike e Kosovës e kishte vazhduar trendin e rritjes së projekteve filmike, të cilat i mbështet me subvencione. Përderisa në vitin 2021 janë përkrahur 22 projekte kinematografike, për vitin 2022 numri ka shkuar në 26. Institucioni më i lartë kinematografik i shtetit e ka mbajtur ritmin në përkrahjen e filmave të metrazhit të gjatë artistik. Sikurse më 2021, edhe më 2022 janë përkrahur nga pesë projekte.

Në nëntë kategori QKK-ja kishte kualifikuar 51 projekte si të plota e që do të shqyrtoheshin nga juritë. Synimet e institucionit që për më shumë se një vit ishte pa drejtor janë që numri i projekteve që përkrahen të rritet në vazhdimësi.

“Hatixhe and Shaban a story of money and shame” me producent Eshref Durmishin dhe regjisor e skenarist Visar Morinën, “Jerëm” me skenar e regji të Ismet Sijarinës, “Azil”, nën regji të Jeton Ahmetajt e skenar të Jeton Nezirajt dhe “Me fjalë të tjera” me skenar e regji të Valbona Jasharit, janë projektet për filma të gjatë artistikë që ishin përzgjedhur për t’u përkrahur me konkursin e vitit të kaluar.