Kulturë

Këndi i librit të Kosovës në Bibliotekën e Bullgarisë thellon njohjen

Këndi i librit të Kosovës në Bibliotekën e Bullgarisë thellon njohjen

Këndi i librit të Kosovës në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë përfshin vepra të autorëve shqiptarë dhe botime që trajtojnë historinë, trashëgiminë dhe kulturën shqiptare. Ai do të jetë një hapësirë e përhershme brenda Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, e hapur për lexuesit vendës e të huaj që duan të njihen me letërsinë dhe mendimin kulturor nga Kosova (Foto: BKK)

Biblioteka kombëtare e Bullgarisë “Shën Kirili dhe Metodi” në Sofje, prej së mërkurës, e ka një vend të veçantë edhe për librin shqip. Aty është përuruar Këndi i Librit të Kosovës. “Këndi është i vogël dhe simbolik, por është i rëndësishëm, sepse hap një derë të re të publikut bullgar ndaj letërsisë shqipe në Kosovë, duke qenë një letërsi që ka nevojë për hapjen e rrugëve të reja dhe krijimin e urave të komunikimit me lexuesit e gjuhëve të tjera”, ka thënë drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha

Biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka shënuar arritjen e radhës në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar me hapjen e Këndit të librit të Republikës së Kosovës në bibliotekën kombëtare të Bullgarisë “Shën Kirili dhe Metodi”. Si një nga institucionet më të rëndësishme kulturore të Bullgarisë, aty është përuruar të mërkurën Këndi i librit të Republikës së Kosovës, një nismë që synon të thellojë lidhjet ndërmjet dy vendeve përmes kulturës së librit dhe diplomacisë kulturore.
Ceremonia solemne, e mbajtur në hapësirat e Bibliotekës Qendrore në Sofje, ka mbledhur përfaqësues të institucioneve bibliotekare dhe diplomatike të të dyja vendeve. 

Ky kënd është i 36-i me radhë që hapet në kuadër të programit të Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë për prezantimin e literaturës kombëtare të shteteve partnere dhe synon të funksionojë si urë ndërlidhëse përmes librit dhe dijes. Me këtë rast është theksuar roli që bibliotekat luajnë në ndërtimin e marrëdhënieve kulturore ndërkombëtare. Siç është thënë në këtë ngjarje, letërsia mbetet një nga format më të qëndrueshme të përfaqësimit të një kombi jashtë kufijve të tij dhe një instrument thelbësor për njohjen reciproke ndërmjet popujve.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Kalina Ivanova, dhe ajo e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, kanë vlerësuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe kanë njoftuar për mundësinë e projekteve të përbashkëta në të ardhmen në fushën e librit dhe shkëmbimeve kulturore.
“Siç e dimë, bibliotekat nuk janë vetëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por shërbejnë si institucione për t’i përafruar vendet dhe kulturat, dhe ne sot kemi nderin të hapim në bibliotekën tonë Këndin e librit shqip nga Kosova”, ka thënë drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, Kalina Ivanova, në fjalimin e saj gjatë përurimit, shkruhet në njoftim të faqes së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Këndi i sapohapur përfshin vepra të autorëve shqiptarë dhe botime që trajtojnë historinë, trashëgiminë dhe kulturën shqiptare. Ai do të jetë një hapësirë e përhershme brenda Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, e hapur për lexuesit vendës e të huaj që duan të njihen me letërsinë dhe mendimin kulturor nga Kosova.

Në vazhdim të përurimit është mbajtur takimi ndërinstitucional ndërmjet dy drejtoreshave të bibliotekave kombëtare, ambasadorit të Kosovës në Sofje, Haxhi Bajraktari, dhe përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës. Takimi është përqendruar në bashkëpunimin profesional, digjitalizimin e fondit libror dhe projektet që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë dokumentare dhe përforcimin e rolit të bibliotekave në epokën e informacionit.

“Ky aktivitet po mbahet për të shënuar një përvjetor me rëndësi të veçantë për Kosovën dhe popullin e saj, dhe zgjedhja për ta shënuar këtë ditë në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë nuk është rastësi dhe me të vërtetë jemi të nderuar që jemi sot këtu në një nga monumentet më të rëndësishme arsimore dhe kulturore, një institucion me një arkiv të vlefshëm, me mijëra libra dhe dorëshkrime, duke përfshirë edhe shumë kopje të trashëgimisë së lashtë shqipe”, citohet të ketë thënë ambasadori i Republikës së Kosovës, Haxhi Bajraktari, në fjalimin e tij gjatë përurimit. 

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, e ka konsideruar këtë si një shenjë konkrete të vullnetit të përbashkët institucional për t’i avancuar marrëdhëniet kulturore dhe për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm përmes librit.

Ceremonia solemne, e mbajtur në hapësirat e Bibliotekës Qendrore në Sofje, ka mbledhur përfaqësues të institucioneve bibliotekare dhe diplomatike të të dyja vendeve (Foto: BKK)

“Këndi është i vogël dhe simbolik, por është i rëndësishëm, sepse hap një derë të re të publikut bullgar ndaj letërsisë shqipe në Kosovë, duke qenë një letërsi që ka nevojë për hapjen e rrugëve të reja dhe krijimin e urave të komunikimit me lexuesit e gjuhëve të tjera është e rëndësishme pikërisht sepse krijohet një derë e tillë, si për studiuesit e ballkanistikës, si për lexuesit bullgarë që kanë interesim për letërsinë shqipe”, ka thënë drejtoresha Rogova-Gaxha në një përgjigje për KOHËN.

Ajo ka treguar se ideja për këtë bashkëpunim ka nisur qysh prej vitit të kaluar, ku është diskutuar në një takim për hapjen e këtij këndi.

“Ideja e parë ka nisur në një takim që e kemi pasur në Kongresin e Drejtorëve të Evropës Juglindore në Ankara të Turqisë në tetor të vitit të kaluar, pastaj Bujar Deskaj, zëvendësambasador i Kosovës në Sofje të Bullgarisë më ka kontaktuar për nisjen e këtij bashkëpunimi dhe hapjen e këndit dhe para dy javëve, ambasadori i tanishëm, Haxhi Bajraktari, e ka konkretizuar këtë punë. Ai është takuar me drejtoreshën e Bibliotekës së Bullgarisë, që hapja e këtij Këndi të librit të Kosovës të bëhet pikërisht sot, si nderim për muajin e çlirimit të Kosovës”, ka shpjeguar drejtoresha idenë për themelimin e këtij këndi.

Numri më i madh i ekzemplarëve është bartur të mërkurën. Një pjesë e konsiderueshme është ekspozuar brenda Bibliotekës Kombëtare të Bullgarisë, ndërsa pjesa tjetër është dërguar në Bibliotekën e Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes.

“Sot e kemi dërguar një numër më të madh të librave, një pjesë e tyre është ekspozuar në Këndin e librit, kryesisht botimet e Bibliotekës Kombëtare, botimet e Akademisë së Shkencave të Kosovës, por edhe botime individuale, të cilat prezantojnë fusha të ndryshme të kulturës, artit dhe shkencës në Kosovë, ndërkaq një pjesë tjetër të librave i kemi dërguar në bibliotekën e degës së ballkanistikës në Universitetin e Sofjes në Bullgari”, ka thënë tutje Rogova-Gaxha.

Teksa ka treguar se ky bashkëpunim mes dy bibliotekave është shumë serioz, ajo ka theksuar se përfaqësuesit bullgarë janë ftuar për të marrë pjesë në Javën e Bibliotekës në Kosovë.

“Shumica e titujve janë në gjuhën shqipe, ka edhe libra shqip të përkthyer në gjuhën angleze. Janë diku rreth 100 tituj librash. Ky është vetëm hapi i parë. Takimi që u mbajt sot pas përurimit të këndit është zhvillimi i një bashkëpunimi serioz mes dy bibliotekave kombëtare, të Kosovës dhe të Bullgarisë. I kemi ftuar sot që ata që të marrin pjesë në Javën e Bibliotekës në Kosovë, edhe si mysafirë, edhe me kumtesa për bibliotekari dhe që pikërisht gjatë Javës së Bibliotekës të përgatisim një marrëveshje konkrete bashkëpunimi, me qëllimin e dërgimit të ekipit tonë për hulumtim të materialeve me interes për historinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare, pra një ekip hulumtues në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë”, ka thënë ajo.

Mundësinë për ta bërë një gjë të ngjashme edhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nuk e ka përjashtuar, derisa ka spikatur rëndësinë e literaturës së vjetër bullgare në zbardhjen e së kaluarës në Ballkan.

“Ideja e këtyre këndeve të vogla që janë të vendosura atje është shumë interesante dhe e rëndësishme, sepse hap një derë të re drejt një kulture tjetër. Edhe neve si Bibliotekë Kombëtare na ka pëlqyer ideja shumë, dhe ndoshta në një të ardhme mund ta krijojmë një të tillë, por sigurisht që ne jemi të hapur dhe shumë të interesuar për këto bashkëpunime. Janë gjëra pak komplekse, por me vullnet dhe me guxim realizohen, ekspozimi i literaturës së vjetër bullgare në Bibliotekën Kombëtare në Kosovë, apo i dokumenteve të vjetra, me të cilat na lidh historia, pra e shkuara në Ballkan, domethënë të shohim se si ta konkretizojmë këtë bashkëpunim në të ardhmen”, ka thënë ajo. 

Në thelb, Këndi i Librit nga Kosova në Bibliotekën Kombëtare të Bullgarisë është një ftesë për njohje, një mundësi për dialog dhe një shenjë se kultura mund të bëjë atë që politika shpesh e ka të vështirë: të afrojë njerëz, të hapë dritare përtej paragjykimeve dhe të krijojë ura në vend të mureve.