Kulturë

Jon Fosse – nobelisti i dramës njerëzore, zëri i asaj që s’thuhet

“Çmimi ‘Nobel’ për letërsi për vitin 2023 i është ndarë shkrimtarit norvegjez Jon Fosse për dramat dhe prozën e tij inovative që i jep zë të pathënshmes”, është një pjesë e arsyetimit të Komitetit të “Nobelit”, kur Fosse u shpall fitues. Në Kosovë njihet nëpërmjet dramës së tij “Nana dhe fëmija”, por ka edhe një episod kur ia mbajti anën Peter Handkes, përkrahësit të Slobodan Milosheviqit. “Pavarësisht se kredibiliteti i çmimit ‘Nobel’ është rrënuar këto vitet e fundit, sidomos pasi me këtë çmim është nderuar edhe Peter Handke, vlerësimi i punës së një dramaturgu është lajm i mirë. Është dëshmi e forcës teatrore”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj. Shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se “poetika dramatike e tij dallohet për fokusin nën majën e Ajsbergut, duke gjurmuar atë që nuk thuhet, por që mendohet vazhdimisht”

Jon Fosse pak para orës 13:00 të së enjtes ishte duke drejtuar makinën e tij në një prej hapësirave më të bukura natyrore që ka Evropa, nëpër Sognefjord në perëndim të Norvegjisë. Derisa po çante rrugët nëpër pjesët ku Deti Verior depërton duke krijuar mrekulli natyrore, qetësinë ia prishi zilja e telefonit. E me ta hapur atë, do të merrte lajmin e madh: Atë se është laureati i sivjetshëm i “Nobelit” për letërsi. Lajmin ia ka dhënë sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, Mats Malm. Pas bisedës së shkurtër, ku edhe janë marrë vesh që të flasin më vonë për teknikalitetet e pranimit të çmimit në dhjetor, Malm ka dalë para gazetarëve që lajmin ta ndajë edhe me botën.

“Çmimi ‘Nobel’ për letërsi për vitin 2023 i është ndarë shkrimtarit norvegjez Jon Fosse për dramat dhe prozën e tij inovative që i jep zë të pathënshmes”, ka thënë Malm. Më pas ka rrëfyer edhe për bisedën telefonike që ka pasur me dramaturgun i cili deri të enjten pasdite ka qenë laureat i disa prej çmimeve kryesore letrare në botë, pos “Nobelit”. E menjëherë pas kësaj ka qenë radha e kryetarit të Komitetit të “Nobelit”, Anders Olsson, i cili ka dhënë arsyetimin e gjatë për vendimin e sivjetmë, nëpërmjet të të cilit Fosse bëhet norvegjezi i katërt që merr çmimin prestigjioz. Pas shpërndarjes së lajmit, transmetuesi publik norvegjez, NRK, ka marrë një deklaratë të shkurtër nga Fosse.

“U befasova kur më telefonuan, por në të njëjtën kohë, jo. Ishte një gëzim i madh për mua marrja e asaj telefonate”, ka thënë shkurt ai buzë një prej kanaleve që ka krijuar Deti Verior.

“Minimalizmi Fosse”

I lindur në Haugesund të Norvegjisë më 1959, Fosse është rritur në Strandebarm, në Bregun Perëndimor rural të Norvegjisë. Në adoleshencën e tij të hershme, ai aspironte të bëhej rock-kitarist. Por kishte edhe një dëshirë tjetër: të qenit shkrimtar. Dhe kjo e fundit i peshoi më rëndë. Romanin e parë “Raudt, svart” e botoi më 1983. Paraprakisht u bë baba më 1979, dhe një vit më pas u kurorëzua me të ëmën e fëmijës. Studimet në master i përfundoi në Universitetin e Bergenit në vitin 1987 për letërsi krahasimtare. Hovi i tij i shkrimit nuk është ndalur prej viteve ’80, njëjtë sikurse ai i martesave. Është kurorëzuar edhe dy herë të tjera. Por të enjten, Komiteti i “Nobelit” është ndalur veç te krijimtaria letrare e Fosses.

Kryetari i Komitetit, Anders Olsson, ka thënë se krijimtaria e laureatit të sivjetmë përfshin një sërë zhanresh dhe përbëhet nga një mori dramash, romanesh, vëllimesh me poezi, ese, vepra për fëmijë dhe përkthime.

“Ndërsa ai është sot një nga dramaturgët më të inskenuar në botë, duke u bërë gjithnjë e më i njohur edhe për prozën e tij. Romani i tij debutues ‘Raudt, svart’ (1983), sa rebel aq edhe i papërpunuar emocionalisht, hapi temën e vetëvrasjes dhe në shumë mënyra, u bë zë për punën e tij të mëvonshme”, ka thënë ai.

Si përparim të madh të tij në dramë e ka përshkruar inskenimin e bërë në Paris më 1999. Regjisori i njohur Claude Régy kishte inskenuar dramën “Nokon kjem til å komme” (Dikush do të vijë).

“Në reduktimin rrënjësor të gjuhës dhe veprimit dramatik, ai shpreh emocionet më të fuqishme njerëzore të ankthit dhe pafuqisë në termat më të thjeshta të përditshme. Nëpërmjet kësaj aftësie evokon humbjen e orientimit të njeriut dhe se si kjo në mënyrë paradoksale mund të sigurojë qasje në një përvojë më të thellë, duke e bërë atë inovator të madh në teatrin bashkëkohor”, ka thënë Olsson.

Në këtë rast ka thënë se e përbashkët me pararendësin e tij të madh në letërsinë norvegjeze, Nynorsk Tarjei Vesaas, është se Fosse ndërthur lidhje të forta lokale, si gjuhësore ashtu edhe gjeografike, me teknikat artistike moderniste.

“Në të vërtetë, ka ngrohtësi dhe humor të madh në punën e tij, dhe një cenueshmëri naive ndaj imazheve të tij të zymta të përvojës njerëzore”, ka thënë Olsson.

Në romanin e tij të dytë “Stengd gitar” (Kitarë e mbyllur) Fosse, sipas Olsson-it, paraqet një variacion rrëqethës në një nga temat e tij kryesore, momentin kritik të moszgjidhjes. Historia që shpaloset në këtë vepër nxjerr në pah jetën e një nënë të re e cila braktis banesën e saj. Ajo ka nevojë për ndihmë, por nuk ia del ta kërkojë atë shkaku i fëmijës.

“Ndërsa ajo e gjen veten, në terma kafkiane, ‘përpara ligjit’, ndryshimi është i qartë: Fosse paraqet situata të përditshme që dallohen menjëherë nga vetë jeta jonë. Ashtu si me librin e tij të parë, romani është përmbledhur në një stil që është njohur si ‘minimalizmi Fosse’”, ka thënë Olsson.

Shkrimtari norvegjez njihet për minimalizmin e tij në krijimtari. Madje në mediat botërore të enjten ka pasur edhe tituj që e kanë përshkruar si “shkrimtar të qetësisë”. Ai është një shembull se si nëpërmjet një gjuhe krejt lokale, një krijues arrin të trajtojë tema universale të cilat përkthehen dhe inskenohen gjithandej Evropës e përtej saj.

Gjuha në të cilën shkruan Fosse është “Nynorsk”, një nga dy format e shkruara të gjuhës norvegjeze. Tjetri version është “Bokmål”. Versioni në të cilin shkruan nobelisti përdoret vetëm nga 15 për qind e popullatës së shtetit nordik, që sipas regjistrimit të 2021-tës numëron 5.4 milionë banorë. Të gjithë norvegjezët mësojnë të dyja gjuhët e shkruara në shkollë. Gjuha kryesore që mësohet në çdo distrikt shkollor përcaktohet nga referendumi lokal dhe “Nynorsk” është më i zakonshmi në pjesën perëndimore të Norvegjisë Perëndimore, vend ku është rritur Fosse. Në këtë version ka shkruar veprat e tij, prej të cilave romanet si “Blod. Steinen er”, “Flaskesamlaren”, “Bly og vatn”, “To forteljingar”, “Melancholia I”, “Melancholia” II” e dramat si “Natta syng sine songar”, “Eg er vinden”, “Plays Five” “Plays Six”.

Inskenimi në Kosovë dhe episodi me Handken

Në vëllimin e tij prej pesë dramash të vitit 2005 gjendet edhe “Nëna dhe fëmija”. Fosse njihet si dramaturg bashkëkohor. E një regjisor bashkëkohor do ta inskenonte atë në Kosovë.

“Nana dhe fëmija” që trajton një temë universale – që është ajo e abortit dhe braktisjes së fëmijës – qe inskenuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 2015. Nën regjinë e të ndjerit Bekim Lumi, për herë të parë në shqip kjo dramë do të fliste nëpërmjet kastës së aktorëve Bujar Ahmeti, Meli Qena May-Linda Kosumoviq dhe Donikë Ahmeti. Në versionin e Lumit, Fosse kishte hyrë në teatrot shqiptare, për t’u inskenuar më vonë edhe nga Ema Andrea e Dino Mustafiq në Shqipëri.

Dramaturgu më i përkthyer i Kosovës e njëkohësisht më i inskenuari në kontinentin e vjetër, Jeton Neziraj të enjten ka thënë se Jon Fosse ka qenë emër i njohur për teatrin evropian për vite të tëra dhe dramat e tij janë vënë në skenë gjerësisht në teatro anekënd Evropës.

Ka kujtuar se Fosse është inskenuar në Kosovë dhe në Shqipëri.

“Kështu që, çmimi ‘Nobel’ për të nuk vjen rastësisht. Është befasi e këndshme që sivjet ky çmim i ndahet një dramaturgu, megjithëse Fosse shkruan edhe romane. Pavarësisht se kredibiliteti i çmimit ‘Nobel’ është rrënuar këto vitet e fundit, sidomos pasi me këtë çmim është nderuar edhe Peter Handke, vlerësimi i punës së një dramaturgu është lajm i mirë. Është dëshmi e forcës teatrore”, ka thënë Neziraj. Por në këtë rast ka shtuar edhe diçka.

“Përndryshe, ajo çfarë është pikëlluese në qëndrimet e Fosses është mbështetja që i ka dhënë Peter Handkes”, ka thënë Neziraj.

Më 2019 bota e shkrimtarëve dhe e intelektualëve ishte ndarë me të madhe nëse duhej dhënë “Nobel” Handkes ose jo, pasi shkrimtari austriak publikisht ishte përkrahës i Slobodan Milosheviqit dhe mohues i gjenocidit që shteti serb kishte bërë në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës. Handke edhe tash vazhdon ta mohojë gjenocidin e njohur ndërkombëtarisht edhe nga institucione të thirrura për këtë çështje. Më 2019, Fosse e kishte renditur veten në krah të Handkes. Por larg debatit për Handken, Fosse ka nam si dramaturg.

“Emër që ka ruajtur kontinuitetin me dramën e Ibsenit”

Shkrimtari e profesori i letërsisë Ag Apolloni ka thënë se Jon Fosse ishte dramaturg i mirënjohur para se ta fitonte çmimin “Nobel”. Edhe ai ka përmendur se për publikun shqiptar ai njihet sidomos me dramën “Nëna dhe fëmija”, të realizuar në Tiranë dhe Prishtinë.

“Poetika dramatike e tij dallohet për fokusin nën majën e Ajsbergut, duke gjurmuar atë që nuk thuhet, por që mendohet vazhdimisht. Prandaj kësaj here duket që edhe arsyetimi i ‘Nobelit’ kapte esencën e poetikës së tij. Jon Fosse ka qenë mjaft prodhimtar këta tridhjetë vjetët e fundit, dhe me siguri ndër më të inskenuarit e shekullit 21”, ka thënë Apolloni. Ka treguar se te dramat e tij ai vlerëson atmosferën intime të një teatri kamertal, situatat në të cilat personazhet vuajnë duke mos mundur ta heshtin e as ta thonë atë që i mundon.

“Jon Fosse është një emër që ka ruajtur kontinuitetin me dramën e Ibsenit, e që në shumë raste e vërejmë jehonën e këtij ndikimi. Në këtë vazhdimësi ka edhe shumë risi, sigurisht”, ka thënë Apolloni.

Ka kohë që Fosse krahasohet me bashkëkombësin e tij, dramaturgun e regjisorin Henrik Ibsen. Madje edhe është laureat i çmimit “Ibsen”. Gjatë një karriere prej dekadash, Fosse ka frymëzuar krahasime pos me Ibsenin edhe me Samuel Beckett e deri te kantautori i njohur i “Beatles”, George Harrison.

Më 2015 Damion Searls, një prej përkthyesve të Fosses në anglisht, kishte shkruar se norvegjezi mund të përshkruhet duke pasur në mendje katër krijuesit e njohur norvegjezë dhe “pak si ‘Beatles’”.

“Për Petterson është Ringo i fortë, gjithmonë i besueshëm, Dag Solstad është John, eksperimentalist, njeriu i ideve, Karl Ove Knausgaard është Paul, i lezetshëm dhe Fosse është George, i qetë, mistik, shpirtëror, ndoshta mjeshtri më i mirë i të gjithëve”, kishte shkruar ai.

Kështu kishte thënë derisa kishte bërë një analizë të veprave të tij që rezultojnë si punë e lirë dhe ekzistenciale, shpesh duke u fokusuar në jetën e brendshme të personazheve mjaft të vetmuar. Pritshmëritë janë që “Nobel” t’ua rrisë edhe më namin dramave të Fossenit. Pas këtij çmimi dramat e tij do të gjejnë më shumë skena në botën anglishtfolëse e sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa i përket Evropës ka kohë që ka bërë bujë.

Të enjten aktori Erik Ulsfby, drejtor artistik i Teatrit Norvegjez, nëpërmjet linjës telefonike i ka thënë “The New York Times” se shumë nga shfaqjet e Fosses, që nga vitet ‘90, ishin pjesë e repertorëve të teatrit atje për shkak të “cilësisë dhe rëndësisë së tyre”.

Të shkruara në gjuhën “Nynorsk”, ato janë minimaliste në stil dhe në një “gjuhë të ngritur që është e largët nga jeta e përditshme”. “Por Fosse është shumë i fortë në diskutimin e marrëdhënieve dhe vepra e tij bart emocione të thella”, ka thënë ai. Ulfsby sivjet kishte organizuar një festival të punës së Fosses, ku morën pjesë disa mijëra adhurues. Ai ka thënë se shfaqja e tij e preferuar ishte “Dream of Autumn”, në të cilën një çift takohen në një varrezë, me sa duket për herë të parë dhe më pas bëhet e qartë se ata kanë kaluar jetën së bashku.

“Shfaqja i dha atij një ndjenjë të të qenit pjesë e diçkaje më të madhe si në aspektin e besimit ashtu edhe në aspektin e një lidhjeje me natyrën”, ka thënë Ulsfby.

Fosse gjatë karrierës së tij të deritashme ka shkruar gjithnjë duke treguar brendësinë e personazheve. Por telashet e tyre të brendshme me stil i ka nxjerrë në pah si probleme kolektive. Kësisoj edhe është parë te “Nana dhe fëmija” kur e kishte inskenuar Bekim Lumi. Përderisa ky minimalizëm ka arritur të prekë edhe teatrot shqiptare, pas “Nobelit” veprat e Fosses – që nuk del të jetë përkthyer në shqip – do të vazhdojnë t’i “japin zë të pathënshmes” edhe më. Në krejt botën.