Kulturë

Institucionet kulturore me mbi 5 milionë euro e pa kushte pune

Buxheti i sivjetmë për shtatë institucione qendrore të kulturës do të jetë 5.2 milionë. Prin Qendra Kinematografike e Kosovës me 1.6 milionë, pasuar prej Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Filharmonisë së Kosovës. Për shumicën prej institucioneve është buxhet rekord, por kushtet mbesin të njëjta e për disa edhe më keq sesa kurrë më parë

Shumica e institucioneve qendrore të kulturës për këtë vit do të kenë buxhet më të lartë sesa në atë paraprak. Përtej kësaj, shpresat janë që gjatë vitit kuleta mund t’iu trashet ende. Por shpresë nuk ka fare që gjatë këtij viti do t’u përmirësohen kushtet infrastrukturore, që asnjëherë nuk kanë qenë në nivel më të ulët.

Buxheti i sivjetmë për shtatë institucione qendrore të kulturës do të jetë 5 milionë e 250 mijë euro.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, Qendra Kinematografike e Kosovës prin me 1.6 milionë euro, pasuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës. Galeria për subvencione dhe transfere e për mallra e shërbime do të ketë 1 milion e 50 mijë euro. Në krahasim me vitin e kaluar ka rritje të dukshme. GKK-ja për 2023-n kishte veç 300 mijë euro. Por sivjet nga buxheti një pjesë do ta përdorë edhe për blerje të veprave të artit.

Filharmonia e Kosovës për vitin e kaluar kishte 800 mijë euro. Gjatë vitit buxheti i kishte shkuar në një milion. Kaq do të ketë edhe sivjet. Për këtë institucion ky është buxhet ideal.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se është buxhet i mjaftueshëm që mundëson liri më të madhe në aspektin kualitativ, kuantitativ e po ashtu edhe për lëvizje.

“Kemi mundësi planifikimi shumë më të guximshëm si në numër koncertesh ashtu edhe në kualitet sa u përket dirigjentëve e solistëve”, ka thënë Jashari. Sipas tij, duke u bazuar në përvojën e vitit të kaluar kur kanë pasur 800 mijë euro e më pas u janë shtuar edhe 200 mijë të tjera, sivjet Ministria e Kulturës e ka parë që institucioni i muzikës klasike ka pasur nevojë më shumë, dhe kjo ka ndikuar në ndarjen e buxhetit për këtë vit.

“Kjo është shumë pozitive dhe na është thënë se ka mundësi rritjeje prapë nëse ka nevojë. Është një trend shumë pozitiv për institucionin tonë. Me këtë buxhet mund të realizojmë shumë më shumë sesa kur kemi pasur buxhetin shumë më të vogël”, ka thënë Jashari. Por kushtet në të cilat punon Filharmonia janë të nivelit më të keq që ka pasur ndonjëherë institucioni. Hapësira e provave çdo ditë e më shumë degradohet, përderisa mbajtja e koncerteve bëhet në salla të marra me qira. Në këtë buxhet hyjnë edhe manifestimet shtetërore ku Filharmonia merr pjesë krahas programit vjetor.

Teatri Kombëtar i Kosovës, prej 400 mijë eurosh sa kishte buxhet vitin e kaluar, sivjet do të ketë 750 mijë. Këtë shifër institucioni nuk e ka pasur asnjëherë.

Drejtori i përgjithshëm i TKK-së, Kushtrim Sheremeti, ka thënë se buxheti i sivjetmë është një prej më të lartëve që institucioni ka pasur.

“Jemi shumë të lumtur që me gjithë kushtet e pavolitshme të punës – për arsye të hapësirës së kufizuar – kemi arritur të dëshmojmë edhe në MKRS se meritojmë buxhet më të denjë për punë”, ka thënë ai. Realisht TKK-ja kurrë nuk ka pasur një gjendje të tillë sa i përket infrastrukturës. Është strukur në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë. Prej korrikut të vitit 2022 ndërtesa është mbyllur për gjoja paraqitje të rrezikut dhe pritet të shkojë në rinovim.

Sheremeti ka thënë se TKK-ja, ndër të tjera, ka nisur një rrugë edhe të ndërkombëtarizimit të punës dhe hapjes së vetes në raport me rajonin dhe botën, andaj ky buxhet do të jetë bazë e mirë për realizimin e objektivave.

“Përpos prodhimit të shfaqjeve, ndër të tjera ky buxhet do të përdoret edhe për aktivitete të tjera, si bashkëprodhimet, programet edukative, turnetë e pjesëmarrjet në festivale ndërkombëtare, si dhe organizimin e festivalit ‘Moisiu’”, ka thënë Sheremeti. Sipas tij, shpresojnë shumë se në bazë të performancës dhe projekteve të reja, në rishikim do të mund ta shtojnë buxhetin.

“Gjithashtu do të punojmë që ta shtojmë të njëjtin edhe përmes bashkëpunimit me partnerë të tjerë, si dhe me sponsorë të ndryshëm që janë të gatshëm ta mbështesin institucionin më të lartë e më produktiv në Kosovë – Teatrin Kombëtar te Kosovës”, ka thënë ai.

Njëjtë si Teatri, edhe Baleti Kombëtar i Kosovës është duke punuar në kushte të pazakonta. Institucioni që shfrytëzonte hapësirat e TKK-së, ushtrimet i mban në ambientet e ansamblit “Shota” e shfaqjet i jep në amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Kur i duhet hapësirë më e madhe paguan qira për sallë. Buxhetin do ta ketë të njëjtë sikurse vjet. Fiks 300 mijë euro. Por shpresojnë në mundësi të rritjeve gjatë vitit, sikurse vitin e kaluar.

“Pavarësisht që ky është një buxhet bazë i ndarë për fillimvit, uroj dhe shpresoj që në rast se kemi nevojë për buxhet shtesë, MKRS-ja do të na mbështesë, siç ka bërë në dy vjetët e fundit”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi.

Buxhet të njëjtë sikurse vitin e kaluar do të ketë edhe ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”. Janë 200 mijë euro të ndara për këtë institucion. Te Qendra Kinematografike e Kosovës ka lëvizje të vogël. Nga 1.5 milionë që kishte për subvencione vitin e kaluar, sivjet ka 1.6 milionë.

Progres është shënuar edhe te Opera e Kosovës. Institucioni që nuk posedon ansambël rezident, por punon me projekte, sivjet do të ketë 350 mijë euro. Janë 150 mijë euro më shumë se vitin e kaluar.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, në total MKRS-ja do të ketë 88 milionë e 118 mijë e 721 euro. Janë 31 milionë e 100 mijë e 860 euro më shumë se që kishte më 2023. Por nga kjo rritje kultura nuk ka përfituar as një të tretën. Trashëgimia kulturore bashkë me kulturën për vitin 2024 do të kenë 9 milionë e 931 mijë euro më shumë. Pos subvencioneve dhe transfereve të kategorisë “përkrahja e kulturës” – prej ku subvencionohet kultura e pavarur – që ka pësuar zbritje buxheti, krejt kategoritë e tjera kanë rritje. Te subvencionet e transferet e “përkrahjes për kulturën” do të jenë minus 350 mijë euro nga 5 milionë e 250 mijë sa ishin për vjet.

Sipas Ligjit, kultura në tërësi do të ketë 8.5 milionë euro më shumë nga 17.6 sa i kishte më 2023. Prej tyre 11.4 milionë do të shkojnë në investime kapitale. Pavarësisht shifrave, tabelat e Ligjit tregojnë se planet e MKRS-së për projekte kapitale të kulturës nuk janë duke shkuar mirë. Prej 19 projekteve të planifikuara, 14 janë të bartura.