Kulturë

“In the making II” me kukulla në mbrojtje të ambientit

Janë fëmijët që nëpërmjet veprave të tyre – kukulla të punuara nga materiale që nuk i përdorin më – lansojnë ftesën për të ndërvepruar me botën përreth. Të udhëhequr prej artistit Dardan Zhegrova, kreativiteti i tyre merr një tjetër kah, një lloj aktivizmi në mbrojtje të ambientit. “In the making II”, e tejkalon procesin tek bëhet thirrje për vetëdijesim

“Galeria 17” është ambienti ku u jepet zë temave të ndryshme. Mbrojtja e ambientit është prej kryesoreve. Por tek ekspozita “In the making II” janë fëmijët ata që thërrasin për mbrojte të ambientit nga tekstilet.

Rreth 80 fëmijë e të rinj janë angazhuar në punëtorinë e udhëhequr nga artisti Dardan Zhegrova duke dizajnuar, qepur e punuar kukulla prej më të ndryshmeve. Janë dhjetëra krijime artistike e si mozaik secila bart mesazhin e vet. Por kësaj radhe jo veç për mbrojtje të ambientit.

“Fëmijët që kanë ardhur – kanë qenë rreth 80 e diçka fëmijë – të shkollave, të mëhallës e të qytetit e nga gjithkah dhe secili ka sjellë një maicë, këmishë a çka do që nuk e ka përdorur në shtëpi, e mandej me këtë e ka krijuar një kukull. Ideja ka qenë që të përdoret kreativiteti si njëfarë forme alternative për me folë për ekologjinë ose për ruajtjen e ambientit”, ka thënë Zhegrova. Edhe pse tema nuk është e njëjtë, ai i ka dhënë një kah tjetër ekspozitës dhe për këtë ka vendosur aty për aty.

“Më duket me rëndësi ta përmend që shumë fëmijë janë duke vdekur, duke u vrarë në Palestinë, kështu që ndoshta është mirë t’ua dedikojmë këtë atyre fëmijë”, ka thënë ai.

Ekologjia queer është një prej shtyllave të “Galerisë 17” që funksionon në kuadër të fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”. Kjo ekspozitë, po ashtu, hyn te politikat e fondacionit që midis të tjerash ka në fokus edhe mbrojtjen e ambientit bashkë me rolin e artit në këtë aspekt. Ftesë për ndërveprim me botën natyrore duke pranuar bashkëprezencën, një çështje thelbësore e bashkëjetesës dhe ndërveprimit në rrjetin e ekosistemeve sot, është përshkrimi që “Shtatëmbëdhjetë” ia bën ekspozitës. Duket krejt e thjeshtë në shikim të parë, por kap një temë, meqë në të tashmen dhe jo vetëm është sfidë globale.

“Duke iu referuar krizës klimatike, ne duhet pranuar, që të gjithë kemi rol aktiv, pa përjashtim, kështu që i bëjmë thirrje vetes para së gjithash të reflektojmë dhe të veprojmë në dekolonizimin e të kuptuarit të natyrës dhe botës natyrore; duke u bërë jehonë dallimeve dhe duke përqafuar lulëzimin e shumë specieve”, është përshkrimi që i bëhet këtij projekti që finalizohet me “In the making II”.

Sipas Fondacionit, ideja e kukullës me shkop vjen nga kujtimet personale, që në fëmijërinë e artistit, “kur ai ishte rreth gjashtë vjeç dhe përdorte shkopinj druri nga grumbulli i tyre, që përdorej për t'u djegur për ngrohje, mbetje pëlhurash nga projektet e qepjes së nënës së tij dhe çdo gjë tjetër, shtrirë përreth për t'iu dhënë kukullave karakterin dhe tiparet e fytyrës”.

“Kjo nevojë për të pasqyruar identitetin e tij në një kukull – frymëzoi këtë projekt për të argëtuar idenë se çfarë është e mundur të ndodhë dhe për të hapur një 'portal' të një realiteti ku çdokush mund të jetë kushdo dhe çfarëdo që e imagjinon veten”, shkruhet në përshkrim.

Sihana Klisurica, menaxhere komunikimi në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”, ka thënë se ekspozita është një reagim.

“Në mundohemi që përmes personave, artistëve e kuratorëve që i ftojmë në ekspozitë, të trajtojmë në forma të ndryshme temën e ambientit, sikur kjo sonte që e prek më shumë tekstilin duke marrë parasysh që tekstili është një prej ndotësve më të mëdhenj të ambientit, kur dihet prodhimi në masë i tekstilit, e pastaj kjo shkakton edhe atë që forma e materiale që përdoren të kenë shumë mikroplastikë që më pas të përfundojnë në oqeane e shpërbërja e tyre në natyrë merr kohë më të gjatë”, ka thënë Klisurica. Përdorimi i materialeve të tekstilit të sjella nga fëmijët është njëfarë riciklimi më vete dhe vjen si thirrje për më shumë riciklim e më pak ndotje për ambientet ku rriten fëmijët. Siç e përshkruan nikoqiri dhe nismëtari i këtij projekti, ekspozita një shfaqje, e treguar nga fëmijët këtë herë, “shërben si një mësim për të rriturit/rriturat se si ta shohin botën në planetin Tokë. Ata na ftojnë të ndërveprojmë me botën përreth nesh duke pranuar bashkëprezencën, një çështje thelbësore e bashkëjetesës dhe ndërveprimit në rrjetin e ekosistemeve sot”.