E para operë e Kosovës, “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit, sonte vjen premierë. Në vetvete bart peshën e një ngjarjeje historike, por njëkohësisht shpalos edhe kontrastin. Skena është gjigante, por në sallë private, që rrit edhe koston e një produksioni të tillë. Kushton 300 mijë euro. Rikthehet para publikut pas premierës së vitit 1979 në Tiranë. Regjisori i saj, Nikolin Gurakuqi, thotë se “Goca...” dëshmon dinjitetin kombëtar. “Inskenimi i kësaj opere është ngjarje e madhe për historinë e artit në Kosovë”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi
E shtuna e tretë e korrikut të vitit 1979 në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë ka qenë e rezervuar për një shfaqje nga Kosova. Për herë të parë një operë me autor nga Kosova do të jepej në kryeqytetin e Shqipërisë. Të dielën e 22 korrikut të atij viti ishte dhënë repriza e parë. Ditët e javës dhe bashkë me datat janë i vetmi shënim dore në posterin e asaj kohe që në anën e djathtë mban vulën “Arkivi”. Me libret e Ajmone Dhomit e të Jusuf Buxhovit dhe muzikë të Rauf Dhomit, “Goca e Kaçanikut” do të dërgonte në Tiranë një fragment historie jo veç të muzikës nga Kosova. Gati 45 vjet më vonë, kjo shfaqje inskenohet në Kosovë.
Me një skenë gjigante – rëndom me improvizime në salla private – Opera e Kosovës sonte (e premte) do të ketë premierën, ndërsa reprizën e parë dhe të vetme për këtë kohë, të dielën. Me portretin e Idriz Seferit në prapavijë në njërën prej skenave, bëhet e ditur se aty shpaloset historia e një pjese lindore të Kosovës, atje ku ishte baza e heroit që veproi në shekullin e 19-të dhe të 20-të.
Nën regji të Kadri Metohut më 1979, pjesë e shfaqjes si figurant asokohe ishte edhe i riu Nikolin Gurakuqi. Tash, pas një karriere të gjatë si profesionit i regjisë, Gurakuqi ka barrën e regjisorit.
Pas një muaji punë, “Goca e Kaçanikut” – kompozuar prej maestro Dhomit më 1971-1972 – do të jepet para publikut si produksioni i tretë i Operës së Kosovës, institucion i themeluar në gusht të vitit 2021. Në rolin kryesor, atë të Pafikës, sopranoja Adelina Paloja, shfaqja ecën nëpër histori individuale e kolektive të popullit të Kosovës. Bëhet fjalë për një vajzë e cila shoshit të ardhmen dhe vret tradhtarin që mundohet t’u hapë rrugë osmanëve që ta pushtojnë vendin e saj. Me kostume shqiptare të përgatitura nga Vesa Kraja e masivitetin që sjell në skenë Baleti Kombëtar i Kosovës, shfaqja, me aq sa është parë në prova, del të jetë tejet reprezentative pos simbolikës që bartte si premierë dhe si opera e parë e Kosovës. Biletat për premierë janë shitur dy orë pasi kanë qenë në dispozicion, përderisa edhe për reprizë interesimi është i madh.
“Kjo është një vepër që trajton qëndresën heroike të popullit të Kaçanikut që të mos i lejojnë ushtritë armike të kalojnë Kaçanikun dhe ta pushtojnë Kosovën. Sigurisht që në qendër qëndron figura heroike e vajzës së plakut dhe plakës që janë dy fshatarë të zonës. Ajo është e edukuar si shqiptare e ndershme dhe patriote. Kjo është linja që dominon gjithë veprën”, ka shpjeguar regjisori Gurakuqi derisa ka folur për shfaqjen ku edhe skenografia e përbërë nga gardhet tradicionale kthen frymën e shekujve të kaluar në skenë.
Sipas Gurakuqit, linjë tjetër është ajo e tradhtarit. Personazhi i Rusbashit bashkëpunon me oficerin turk dhe ia tregon sekretet. Ai zbulohet dhe vritet nga Pafika. Ajo bën një akt heroik”, ka thënë Guraku në emisionin “Express” të KTV-së, të enjten. Gurakuqi, i cili njihet si regjisor operash në Shqipëri, ka shtjelluar se mesazhi i shfaqjes është i qartë.
“Mesazhi kryesor që kam dashur të jap unë si regjisor është se kush e shkel këtë tokë ka gjetur, gjen dhe do të gjejë vdekjen. E lidh të shkuarën dhe të tashmen dhe kuptohet se kush është e tashmja”, ka thënë ai pak para se të niste prova e së enjtes mbrëma, ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Gurakuqit, tradita kompozicionale operistike në Kosovë ka në gjirin e vet një vepër shumë të bukur. E ka përshkruar “Gocën...” si krijimtari me frymë kombëtare, muzikë melodioze e ngjyra të bukura.
“Transmeton qëndresën kombëtare kundër pushtuesit. Para pak kohësh shkelën territorin forca të huaja. Unë jo vetëm që e kam mbështetur këtë, por edhe e kam himnizuar. Baletin e kam futur për ta monumentalizuar veprën. Ata që vijnë do të shohin dinjitetin kombëtar aty e po ashtu veten e vet brenda dinjitetit”, ka thënë ai.
Periudha historike së cilës i referohet vepra, përkon edhe me kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të mbajtur më 1878. Në 100-vjetorin e Lidhjes, “Goca e Kaçanikut” – e bazuar në novelën e Milto Sotir Gurrës – ishte dhënë në Prizren dhe Prishtinë si version koncertal. Tash vjen tamam shfaqja. E adaptuar nga Edon Ramadani, i cili edhe është dirigjent i Orkestrës, 90 për qind e kastës është vendore.
Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë së inskenimi i kësaj opere është ngjarje e madhe për historinë e artit në Kosovë. Ka përmendur faktin se shfaqja do të jepet në një sallë private pasi vendi nuk ka një teatër opere. Shfaqje më vete do të mund të ishin tentimet e dështimet gati dydekadash për ta ndërtuar këtë objekt. Por kjo nuk e zbeh madhështinë e “Gocës...”. Mund ta rrisë vetëm çmimin e saj. Krejt produksioni, sipas të dhënave të institucionit, prek shifrën e 300 mijë eurove. Entuziazmi përtej kastës ka prekur edhe publikun. Tregues është fakti i shitjes së biletave për premierë.
“Është një tregues i mirë që e kanë pranuar shumë mirë dhe me padurim operën e parë kosovare dhe kjo e shton përgjegjësinë e institucionit që të ketë më tepër tituj operistikë gjatë vitit, sepse publiku po e dëshiron një aktivitet të tillë”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të Operës, Meriton Ferizi. Planet janë që shfaqja të rikthehet në vjeshtë e të jepet edhe në Shkup e Tiranë, që rrëfimi i shpalosur në të, të prekë masë më të gjerë të publikut.