Albanologjia e kishte përcjellë si hije në çdo hap të jetës. Në Shkup, në Prishtinë, në Berlin e në çdo mjedis universitar e akademik ku shqipja është kryefjalë. Me një kontribut që shtrihet në një hark kohor prej tridhjetë vjetësh, profesori nga Universiteti i Kalabrisë, Giovanni Belluscio, ishte bërë referencë në studimet mbi fonetikën, fonologjinë dhe dialektologjinë shqiptare. Të dielën, në Cosenza të Italisë, Gianni – siç e quanin miqtë e tij albanologë – ka vdekur në moshën 58-vjeçare. Lajmi është afishuar të hënën në faqen e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Në njoftim, profesor Belluscio cilësohet si “mjeshtër i fonetikës eksperimentale” që ka realizuar një sërë punimesh me vlerë për fonetikën e shqipes.
“Si mjeshtër i punës studimore në terren, kërkimet e tij i ka përqendruar në studimet dialektore, veçanërisht të arbëreshëve të Italisë, në fonetikën eksperimentale të aplikuar mbi shqipen dhe të folmet arbëreshe, por edhe në leksikologji dhe leksikografinë e shqipes, sociolinguistikë, si edhe analizë teksti lidhur me konkordancat elektronike të teksteve letrare shqipe”, thuhet në njoftimin e Fakultetit të Filologjisë, raporton KOHA.
Ndërsa jepet një sinopsis mbi interesimet e gjëra të tij mbi albanologjinë, sipas kumtesës, “albanologjia nuk ka një tjetër studiues të kalibrit të tij që do ta zëvendësojë në fushën e fonetikës dhe të studimeve në terren”.
Ismajli: Belluscio, studiuesi i përgatitur
Vetëm një ditë pas vdekjes, shëmbëllesa e Giannit tek ata që e njohën nga afër është ai i një njeriu të përkorë, gazmor e të dashur për të gjithë. Në fonetikën eksperimentale – aty ku ishte vokacioni i tij – një nga të rrallët studiues në hapësirën shqipfolëse.
“Gianni Belluscio ishte një nga më të përgatiturit prej arbëreshëve në studimet albanistike, në fushën e fonetikës eksperimentale në veçanti dhe në atë të komunikimeve në përgjithësi”, ka vlerësuar akademiku dhe gjuhëtari Rexhep Ismajli. Sipas tij, Belluscio i përkiste brezit të studiuesve pas Francesco Altimarit dhe Matteo Mandalàs, duke qenë nxënës i profesorit John Trumper.
“Ka bërë shumë punë në fushën e studimeve eksperimentale, si dhe në përgatitjen e veprës së disertacionit të Eric Hampit të përkthyer në italisht, si dhe studime të tjera me interes. Sigurisht ai ishte më i përgatituri në hapësirat tona sa i përket studimeve të fonetikës eksperimentale”, ka vijuar më tej akademik Ismajli.
Gjuhëtari nga Prishtina ka evokuar edhe vizitat e shpeshta të studiuesit arbëresh gjatë edicioneve të Seminarit për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, si dhe në konferenca të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
“Ka qenë një njeri tejet korrekt, i urtë dhe aktiv në të gjitha veprimtaritë ku merrte pjesë. Nuk ishte aspak eksesiv”, ka kujtuar akademik Ismajli, ndërsa e ka cilësuar vdekjen e tij si humbje të madhe.
“Duke qenë një gjuhëtar i formuar, ai natyrisht se lë një vend të zbrazët. Ai kishte rrethin e vet në Kalabri dhe kolegët e tij do të vazhdojnë, por pa ndihmën e tij”.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.