Kulturë

“Etno Fest” përmbyllet pas gjashtë ditëve të kthimit të traditës

Prishtinë, 27 gusht – Më parë oxhaku ishte simbol i gjallërisë së shtëpisë. Shtëpi e gjallë quhej ajo shtëpi ku “oxhaku qet tym”. Në edicionin e nëntë të festivalit “Etno Fest”, për të treguar gjallërinë e festivalit dhe për të nxitur diskutim rreth shtëpisë tradicionale, zakoneve, arkitekturës e shumë elementeve të tjera, ishte ndezur po ashtu një zjarr.

Zjarri bënte që nga oxhaku të dilte tym, si lajmërues që edicioni i sivjetmë po niste rrugëtimin. Në të njëjtin zjarr, po ashtu, u poqën flija, u bë pjekja e bukës në çerep, u lye qengji me baltë e u pjek në gropë të prushit, duke sjellë kështu traditën e përgatitjes së ushqimeve. Ndezja e zjarrit tregonte po ashtu që organizatorët e Festivalit kishin hapur dyert e veta për mysafirët, shkruan sot Koha Ditore.

Theksoi traditën e mikpritjes e që po ashtu ishin në qendër të edicionit të sivjetshëm. Njëlloj si kohë më parë kur shtëpia ishte e hapur për mikun, kalimtarin, por edhe për armikun nëse ai trokiste e kërkonte strehim, “Etno Fest” mirëpriti të gjithë ata që morën rrugën për në Kukaj nga 20 gusht deri më 25 gusht. Drejtori i festivalit, Fadil Hysaj, që në hapje iu tha mysafirëve “Mirë se ju ka pru Zoti, shtëpia është e juaja”. Fjalia e tij përshëndetëse aludoi edhe në sloganin e sivjetshëm të Festivalit që ishte “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”.

Drejtori artistik, Ilaz Hysaj, ka thënë se si organizatorë mendojnë se kanë arritur edhe këtë edicion atë që kanë pasur synim që nga fillimi.

“Përcjelljen e frymës identitare të arteve dhe kulturës tradicionale, duke i ndërlidhur me trendët modernë dhe duke iu dhenë këtyre të fundit një identitet ashtu siç e kanë shumica e popujve me kulturë”, ka thënë Hysaj. Sipas tij, kjo u arrit përmes performancave të shumta, ku ritet, muzika dhe baladat e vjetra janë shoqëruar më ndërhyrje të tingujve kontemporanë nga Liburn Jupolli.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")