Midis zhurmës e tollovinë e hapjes solemne të “DokuFestit” të premten e kaluar, drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari, kishte thënë prerazi se nuk synojnë ta zbulojnë të vërtetën, por thjesht ta ngacmojnë atë, të shtrojnë pyetje e ta hapin debatin. Një javë pas, një ditë para përfundimit të edicionit të 18-të, është i kënaqur vetëm nëse ia kanë dalë ta bëjnë këtë. Nuk ngutet të dalë me bilance. Por një gjë është e sigurt: me 280 filma, sa janë shfaqur, pyetjet janë të shumta. Dilemat po ashtu. Përzgjedhja e “të vërtetës” u pa si nevojë urgjente. Kur e konkretizuan edhe në një edicion, organizatorët zbërthyen edhe një tjetër të vërtetë, shkruan sot Koha Ditore.
“Se sa i vështirë është përcaktimi i termit ‘E vërteta’ diçka që e bën të nevojshme trajtimin dhe diskutimin në lidhje me të”, thotë Nita Deda, drejtoreshë e Festivalit. “Truth Lies Here” (E vërteta/rrenat shtrihen këtu) si moto e shtrirë gjithandej në imazhin e sivjetmë të ngjarjes, e cila e vë Kosovën në hartën e festivaleve të nivelit botëror, është një gjetje dykuptimëshe që e lë të hapur interpretimin.
E vërteta mund të jetë shpeshherë e koklavitur dhe jo shumë e qartë. Jo çdo gjë që shihet a dëgjohet mund të merret si e mirëqenë. Këtë e ka potencuar festivali edhe në hapjen jokonvencionale me videon dyminutëshe, një lojë e paralajmërim për mendim kritik. “Sivjet ‘DokuFesti’ e ka theksuar temën e së vërtetës për shkak se si ekip kemi menduar që është urgjente që të trajtohet kjo temë”, thotë Deda.
(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)