Është një lloj drame e stilit të kinematografisë turke, ka shëtitur në jo pak festivale tok me rrëfimin që kapërthen edhe fatin e emigrantes nga Kosova, flet drejtpërdrejt për të dhe bëhet zë për mijëra kosovarë kanë emigruar drejt Evropës dhe vendeve të tjera, shpesh duke punuar në kushte të ngjashme me Lenën, pa sigurim, pa garanci dhe të ekspozuar ndaj shfrytëzimit të heshtur. “Döngü” si bashkëprodhim midis Turqisë e Kosovës ka ardhur edhe në Prishtinë, në “PriFest”, ku kastës së aktorëve u janë bashkuar edhe Ftesa Hazrolli dhe Shpresa Hashimi
Emigracioni e pasiguria në punë, rutina që shndërrohet në shfrytëzim dhe heshtja që mbulon konfliktet e përditshme. Këto janë shtyllat që trajton filmi “Döngü” i regjisorit turk, Erkan Tahhuşoğlu, prodhim i përbashkët i Turqisë dhe Kosovës. Filmi i zhanrit dramë është dhënë premierë rajonale të enjten mbrëma në kuadër të edicionit të 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”, në Prishtinë. Shfaqur për audiencën lokale në “Kino Armata”, ky film konkurron në kategorinë kryesore të filmave të metrazhit të gjatë. Për publikun evropian, emri i filmit në anglisht është “Cycle”.
Ngjarja fokusohet te protagonistja Sevim (Serpil Gül), një grua që ka vite që punon si pastruese ditore. Përveç përkujdesjes për familjen dhe mbesën e saj, ajo kujdeset edhe për zonjën Ayten (Emel Göksu), tek e cila punon. Rrëfimi merr drejtim të errët pas një aksidenti: Lena (Ftesa Hazrolli), kujdestarja e re kosovare e zonjës Ayten, rrëzohet dhe lëndohet rëndë gjatë punës. Pa sigurim shëndetësor dhe tashmë me plagë të rënda, Lena detyrohet të qëndrojë gjatë në spital, ndërkohë që Ayten dhe i biri vendosin ta largojnë nga puna, duke i ofruar vetëm një kompensim minimal. Në këtë mes, Sevim gjendet në një pozitë të ndërlikuar, mes detyrimit moral, solidaritetit me Lenën dhe besnikërisë që ndien ndaj punëdhënëses së saj.
Në këtë kontekst, “Döngü” flet drejtpërdrejt edhe për përvojën kosovare. Për dekada me radhë, mijëra kosovarë kanë emigruar drejt Evropës dhe vendeve të tjera, shpesh duke punuar në kushte të ngjashme me Lenën, pa sigurim, pa garanci dhe të ekspozuar ndaj shfrytëzimit të heshtur. Ky film e vë në qendër pikërisht këtë realitet, duke e mishëruar përmes personazhit të një emigranteje kosovare, të luajtur nga aktorja Ftesa Hazrolli, dhe duke e reflektuar përmes dilemave morale që bart Sevimi.
Si një nga projektet e para të bashkëpunimit kinematografik mes Kosovës dhe Turqisë, për filmin “Döngü”, përveçse regjisor, Tahhuşoğlu është edhe skenarist dhe bashkëproducent. Producentët e tjerë janë: Gazmend Nela, İris Tahhuşoğlu, Selda Taskin dhe Ragip Türk. Ndërkaq, për kolonën zanore të filmit është përkujdesur Idil Ataç. Para një viti është dhënë premierë në festivalin “Adana Altin Koza Film Festival”, në Adana të Turqisë.
Kasta e aktorëve, përveç dy kosovareve: Ftesa Hazrolli dhe Shpresa Hashimi, përfshin edhe emra të njohur të kinematografisë turke, si: Belkis Akçil, Reyyan Sevim Bülbül, Emel Göksu, Süleyman Karaahmet, Gökay Müftüoglu, Yade Nargis dhe Tugçe Yolcu.
Aktorja kosovare, Ftesa Hazrolli, ka thënë për KOHËN se shfaqja në Prishtinë ishte një përvojë krejt tjetër nga festivalet ku ka marrë pjesë më parë në Evropë dhe Turqi.
“Shumë e emocionuar, filmi ka marrë pjesë edhe në festivale të tjera të ndryshme në Turqi dhe Evropë, mirëpo emocionet kanë qenë shumë ndryshe sonte, meqë jam në shtëpi, jam në Kosovë. Publiku është i jashtëzakonshëm, e mirëpritën shumë mirë filmin dhe unë jam shumë e kënaqur, pak e emocionuar, por besoj që kalon me kohën”, ka thënë ajo.
Duke folur për rolin e saj, ajo ka theksuar se Lena është një personazh kompleks, që reflekton sfidat e emigrantëve kosovarë në Turqi.
“Si karakter, unë e kam shfaqur një karakter shumë interesant, Lena, një emigrante kosovare që ballafaqohet me sfidat e saj në Stamboll dhe qysh ajo mbërrin t’i kalojë ato sfida, ku e gjen veten. Është interesant dhe i ftoj të gjithë ta shohin filmin dhe ta vlerësojnë vetë, më së miri”, ka shtuar aktorja, e cila jeton mes Kosovës, Turqisë dhe Britanisë së Madhe. Në film ka edhe dialogë të shkurtër që zhvillohen në gjuhën shqipe, në disa nga skenat ku paraqiten ambientet familjare të kosovarëve.
Hazrolli ka treguar se është gjithmonë e hapur për bashkëpunime vendore dhe ndërkombëtare dhe se projektet me të cilat ajo punon e lidhin shpeshherë me vendlindjen.
“Kam shumë qejf, edhe pse tash disa vite u bënë që nuk jetoj më në Kosovë, mirëpo gjithmonë ka projekte që më vijnë, skenarë që unë i lexoj dhe mundohemi të bashkëpunojmë. Qysh vazhdon ta shohim, mirëpo unë jam mes Stambollit, Londrës e Kosovës, kudo që ka projekte, kudo që na përshtatet të punojmë së bashku me një ekip të mirë, me një producent, me një skenarist e me një regjisor të mirë, unë jam gjithmonë e hapur”, ka thënë ajo.
Regjisori Erkan Tahhuşoğlu ka treguar se lidhja e tij me Prishtinën kishte nisur dy vjet më parë, gjatë një procesi postproduksioni.
“Para dy vjetësh erdha këtu për një proces postproduksioni dhe prej atëherë kam thënë se kam shumë dëshirë të jem në ‘Prishtina Film Festival. Sot jam këtu dhe jam shumë i lumtur ta takoj audiencën e Prishtinës, kam kënaqësinë të jem këtu”, ka thënë ai, duke bartur nënshkrimin edhe për skenarin e filmit, për të cilin ka fituar çmimin për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Ankara.
Përveç atij çmimi, filmi është shpërblyer edhe në festivale të tjera. Në të njëjtin festival është shpërblyer edhe Serpil Gül si aktorja më e mirë. Për të njëjtin rol dhe të njëjtin çmim, ajo e ka fituar edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Turk në Frankfurt dhe në Festivalin e Filmit në Adana, në të cilin Erkan Tahhuşoğlu është shpërblyer me Çmimin për Regjisorin më të Mirë dhe Çmimin për Skenarin më të Mirë. Për regji, filmi është shpërblyer edhe në Festivalin e Filmit në Bosfor.
Ai ka shpjeguar se motivimi për filmin lidhet me mënyrën se si njerëzit e klasës punëtore shpesh nuk e njohin veten si të tillë dhe as të drejtat e tyre.
“Gjithmonë më kanë penguar renditjet e klasave shoqërore. Ne jemi punëtorë, nuk jemi borgjezë dhe ka shumë punëtorë, jo vetëm në Turqi, por gjithkah në botë, një pjesë e tyre fillimisht nuk e dinë se janë punëtorë. Pastaj, edhe nëse e dinë se janë punëtorë, nuk i njohin të drejtat e tyre”, ka thënë ai. Kështu, kinemaja shndërrohet në një pasqyrë të hidhur të kushteve të punës që njohin jo vetëm emigrantët në Turqi, por edhe ata në Evropë e më gjerë. Se ky mesazh shfaqet në Prishtinë, përmes një bashkëprodhimi ku përfshihen edhe aktore vendore, i jep filmit një domethënie edhe më të thellë, atë të ballafaqimit me një “plagë” sociale.
Producentja e filmit, İris Tahhuşoğlu, e ka përshkruar shfaqjen në Prishtinë si një moment të veçantë, për shkak të përfshirjes së aktoreve kosovare në produksion.
“Është shumë e veçantë që shfaqet filmi në Prishtinë, sepse aktoret kosovare janë shumë të emocionuara, edhe ne jemi shumë të emocionuar bashkë me to. Është një moment magjik shfaqja këtu”, ka thënë ajo, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërkufitar.
Nga publiku, regjisori kosovar Ilirian Himaj e ka vlerësuar filmin si shembull suksesi të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.
“Mendoj se është një storie suksesi e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë, në këtë rast filmi është edhe bashkëprodhim i Kosovës. Po mendoj se ky është suksesi i festivaleve, që i lidh njerëzit dhe krijon bashkëpunime. Sa i përket asaj se çka trajton filmi, dallon shumë prej shijeve të mia, por nuk do të thotë se filmi nuk vlen në zhanrin e vet. Jemi mësuar me këtë lloj kinematografie që na vjen nga Turqia dhe Irani, që është minimaliste dhe tashmë atje kjo njihet si një lloj i veçantë i kinematografisë. Me këtë lloj, Turqia prezantohet çdo ditë dhe çdo vit gjithkah nëpër botë”, ka thënë ai, duke e vendosur filmin në traditën e kinemasë minimaliste të rajonit.
Përtej kornizës së tij si bashkëprodhim mes Kosovës e Turqisë, filmi “Döngü” gjen rezonancë të veçantë në shoqërinë kosovare. Rrëfimi i Lenës dhe i dilemave të Sevimit pasqyron realitete që kosovarët i njohin mirë: emigracionin si domosdoshmëri, punën e pasiguruar si përditshmëri dhe shfrytëzimin e “normalizuar” si rregull të pashkruar. Në këtë kuptim, shfaqja e filmit në “PriFest” nuk është vetëm një prezantim artistik, por edhe një reflektim nga pasqyra e reales që publikun e vë përballë vetes dhe historive që i mban në heshtje.