Nëse ka pasur disidencë letrare shqipe dhe kush janë emrat e saj, është një pyetje e kahershme e cila ende vazhdon t’i ndajë studiuesit. Shembuj ka me bollëk, por mospajtimet lindin nëse ajo që krijohej në kohën regjimit komunist, ishte disidencë e mirëfilltë. Në konferencën “Disidenca letrare shqipe” në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës janë paraqitur kumtesa që ofrojnë ndihmesë në këtë aspekt e qasjet e ndryshme e fusin disidencën midis realitetit dhe trillimit ani pse vetë titulli i konferencës anon nga e para
Diskutimet për disidencën letrare shqipe kthehen herë pas herë në ambiente të ndryshme. Për disa studiues ajo ekzistonte. Nganjëherë edhe sforcohen leximet midis rreshtave për të paraqitur disidencë por në disa raste në letërsinë shqipe ka edhe ngjyra të kundërshtimit të sistemit të pas Luftës së Dytë Botërore. Për shumë studiues s’kishte disidencë të mirëfilltë.
Në konferencën “Disidenca letrare shqipe” në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës janë paraqitur kumtesa që ofrojnë ndihmesë në këtë aspekt. Studiues nga Kosova e Shqipëria kanë paraqitur pikëpamjet e tyre. Vetë titulli i konferencës në njëfarë forme pranon se ka pasur disidencë.
Por për kryetarin e ASHAK-ut, Mehmet Kraja, në Kosovë s’kishte disidencë ideologjike e në Shqipëri s’kishte disidencë të mirëfilltë.
Si udhëheqës i Akademisë, Kraja ka folur i pari, sikur për t’i dhënë vulë se disidencë në kuptimin e parë të fjalës nuk kishte e pastaj për t’i lënë të tjerët të paraqesin qëndrimet e tyre.
Akademik Kraja ka sqaruar se shpjegimi i parë i fjalës disidencë vjen nga kuptimi i saj në latinisht “dissidens”, që përbëhet nga dy fjalë, “dis” që domethënë kundër dhe “sedere”, të qëndrosh. Ka sqaruar se bëhet fjalë për qëndrim kundër. Në këtë rast ka shtuar se në shekullin XX qëndrimi kundër u lidh kryesisht me regjimet socialiste të Evropës Lindore, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, ku personalitete publike si Solzhenjicini dhe Saharovi morën famë botërore, pastaj në Çekosllovaki, Haveli dhe “Kartën 77”, ndonëse sipas tij, në një kuptim më të gjerë disidenca do të duhej të lidhej me sfidën që i bëhet rendit ekzistues dhe me qëndrimet e pavarura intelektuale.
Më pas ka ngritur pyetjen se a kishte disidencë në të dy përvojat letrare të letërsisë shqipe, në Shqipëri dhe në Kosovë dhe çfarë ishte ajo.
“Në Kosovë nuk kishte disidencë ideologjike të mirëfilltë, sepse Kërlezha që më 1952 proklamoi pluralizmin e metodave në ish-Jugosllavi, pra largimin ideologjik të këtij shteti nga ‘socializmi real’ dhe realizmi socialist i Bashkimit Sovjetik. Edhe Kosova ishte e përfshirë në këtë ndarje ideologjike, prandaj shkrimtarët e Kosovës nuk mund të kishin përballë një armik ideologjik, por një armik tjetër më domethënës: armikun nacional”, ka thënë ai.
Sipas tij, që socializmi jugosllav të bëhej më i denjë për jetën e njerëzve edhe në Kosovë, e kishin ngritur zërin shkrimtarë si Hivzi Sulejmani që ishte edhe prokuror, me romanet “Njerëzit” dhe “Fëmijët e lumit tim” dhe Sinan Hasani, politikan i niveleve të larta jugosllave, me romanin “Era dhe Lisi”. Sipas Krajës, kjo mund të quhet përballja e vetme dhe e fundit e përvojës letrare kosovare me ideologjinë socialiste.
“Në Shqipëri diçka e ngjashme mund të thuhet për romanin ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’ të Dritëro Agollit, por me nivel shumë më të lartë artistik. Në vitet vijuese, nga vitet ’50 deri në vitet ’90, politika në Kosovë u kujdes për disidencën nacionale dhe i dha mbështetje pa rezervë letërsisë moderne, të paangazhuar, sepse ajo natyrshëm e ndihmonte propagandën anti-Shqipëri, ku nacional-socializmi ishte bërë ideologji kombëtare, ndërsa realizmi socialist ishte metodë zyrtare e shkrimit të letërsisë”, ka thënë akademik Kraja. Ka përsëritur se në Kosovë kishte disidencë nacionale. Sipas tij, përmes rrëfimeve historike, mesjetare ose të antikitetit, shkrimtarët kosovarë, përmes alegorive dhe metaforave, synonin të përballeshin me realitetin e zymtë nacional. Ka marrë një shembull personal.
“Kështu, derisa shikoja nga dritarja e banesës sime në katin e pestë patrullat e policisë që kujdeseshin për orën policore në ‘Kodrën e Diellit’ më 1982, në njëvjetorin e demonstratave, unë shkruaja ‘Udhëzime për kapërcimin e detit’, një alegori ‘kodër pas bregu’ për atë që ndodhte para syve të mi”, ka thënë ai duke shtuar se këtë e bënë edhe shumë shkrimtarë të tjerë, përfshirë edhe disa prej atyre që janë identifikuar në paradigmën e kësaj konference.
Sipas tij, kjo disidencë nacionale shkonte deri aty, saqë disa shkrimtarë tanët me emër, u shfaqën të dyzuar. Ka thënë se gjatë ditës flisnin serbisht në mbledhjet e partisë, në mbrëmje i jepnin krah disidencës nacionale.
“Pra, bashkëjetonin me persekutorin, duke kërkuar hapësirat jashtëzakonisht të ngushta ku mund të vegjetonin”, ka thënë ai. Kapitullin me Kosovën e ka mbyllur duke thënë se nuk u burgos asnjë shkrimtar për vepër letrare, por disa prej tyre u burgosën dhe u persekutuan për aktivitetin e tyre ilegal. Sipas tij, as në Kosovë e as në Shqipëri pas rënies së socializmit, nuk doli pothuajse asnjë vepër e rëndësishme e letërsisë, e shkruar në periudhën e ndalesave të mëdha ideologjike apo nacionale. Në këtë rast ka nënvizuar autocensurën dhe përvojën e paktë letrare.
Sipas tij, mund të gjenden disa tendenca disidence, por disi embrionale, të parealizuara në formë të qartë, si kundërvënie regjimit. Ka përmendur shkrimtarët e persekutuar në Shqipëri si Trifon Xhagjika, pastaj Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela. Por ka thënë se e ka të vështirë të thotë se cili prej tyre mund ta mbajë atributin e disidentit. Ka thënë se nga këta, shquhet Blloshmi, i pushkatuar nga vetë shkrimtarët e Shqipërisë, sepse ekspertizën e poezisë së tij “Sahara” e bënë Xharxhiu dhe Çuli.
Është ndalur edhe te rasti i Kasëm Trebeshinës dhe promemories së tij që nuk është gjetur deri më tash. “Ndërkaq, sa i përket veprës së tij letrare, konsideroj se vetëm romani ‘Mekami’ ka elemente të disidencës në kuptimin burimor të kësaj fjale, sepse ngrihet hapur kundër shqiptarizmës. Ndërkaq, urrejtja ndaj Kadaresë nuk besoj se përbën disidencë”, ka thënë Kraja.
Menjëherë pas tij fjalën e ka marrë akademik Sabri Hamiti. Ende pa e nisur referimi e tij, sikur ka pasur një kundërpërgjigje për Krajën.
“Po ekziston disidenca letrare shqiptare. Përndryshe përse ta mbajmë një konferencë të tillë këtu? Patjetër që ekziston”, ka thënë ai.
Sipas tij, ndërgjegjja që i vret të gjithë është fakti se janë vrarë njerëzit që kanë shkruar literaturë. Në referimin e tij me titull sikurse të konferencës, akademik Hamiti ka numëruar disa raste. Midis tyre Lazër Shanton e vrarë më 2 mars 1945.
“Arrestohet në shkurt të vitit 1945. Pushkatohet pa gjyq në moshën 54-vjeçare. Nuk i dihet varri. Kishte talente për muzikë e sidomos për poezi”, ka thënë ai. Më pas ka përmendur Trifon Xhagjikën, i ekzekutuar më 23 dhjetor 1963.
“E dënuam me vdekje kurse ai gjakatarëve u lexoi poezinë ‘Atdheu është lakuriq’. Pra në proces të dënimit e ka lexuar”, ka thënë derisa ka ofruar disa raste ku regjimi ka persekutuar krijues për shkak të krijimtarisë së tyre.
Në mungesë të akademik Rexhep Ismajlit një pjesë të shkurtër të kumtesës së tij “Disidenca në gjuhësi” e ka lexuar anëtari korrespodent i Akademisë, Nysret Krasniqi. Akademik Ismajli për referimin e tij kishte zgjedhur rastin e Selman Rizës dhe atë të Eqrem Çabejt. Nga ajo që është lexuar prej kësaj kumtesë, janë përshkruar telashet që Çabej kishte me mendësinë e viteve ’50 sa i përket studimeve mbi gjuhën. Çabej e Riza i takonin shkollës perëndimore dhe në thelb paraqisnin problem për kupolën e pushtetit të kohës në Shqipëri.
“Disidentizimi i Çabejt shprehej përmes rikujtimit se nuk mund të merrej asnjë vendim i vlefshëm në këtë fushë pa u vjelë dhe studiuar të gjitha dialektet. Më tej disidentizimi i Çabejt lidhej me kritikat për traditën e studimeve historike krahasuese”, ka shkruar akademik Ismajli në kumtesë.
Studiuesja e letërsisë dhe ish-drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Përsida Asllani, nëpërmjet kumtesës së saj ka folur për kujtesën si akt disidence. Ka marrë shembullin e klerikut Zef Pllumi.
“Vepra dëshmuese e Zef Pllumit është luftë në zemër të historisë, është luftë brenda arkivës si institucion i kujtesës dokumentuese. ‘Rrno vetëm me tregue’ është antiarkiva e histerisë shqiptare të shekullit XX”, ka thënë midis të tjerash ajo.
Kurse shkrimtari e studiuesi Stefan Çapaliku ka folur për krijimtarinë e Zef Zorbës i njohur si regjisor, përkthyer e poet. Do të arrestohej më 1946, e pas lirimit më 1951 e kishin punësuar si llogaritar në një ndërmarrje ku edhe doli në pension.
“Në këtë kumtesë dëshiroj të vërtetoj se Zef Zorba është një nga rastet e vetme të letërsisë shqipe që nuk është shpallë disident si rrjedhojë e përmbajtjes së veprave të tij sesa për shkak të formës dhe estetikës së tyre”, ka thënë Çapaliku. Sipas tij, kemi të bëjmë me një fenomen letrar i cili ishte i papranueshëm për dogmën e realizmit socialist jo se kishte pasqyruar realitetin me sy të errët por se i kishte dhënë forma të paqarta e të panjohura.
“Shkurt i dënuar për formë”, ka thënë ai. Sipas Çapalikut, në rastin e Zorbës termi disidencë letrare paraqet një formë të qartë mospajtimi të shprehur me mënyrën se si manipulon fjalën e shkruar.
“Ai na ofron një gjuhë delikate rezistence”, ka thënë Çapaliku.
“Herezia e Arshi Pipës”, ka qenë titulli i kumtesës së shkrimtarit dhe studiuesit Ag Apolloni. Duke e kundruar Pipën si poet, filozof e kritik, Apolloni ka thënë se si refuzues sistematik i stalinizmit shqiptar, ai është një model i shqiptarit që s’thyhet e s’lodhet duke e denoncuar diktaturën, si pasojë e përvojave të tij personale dhe e njohurive intelektuale.
“Të gjitha tekstet heretike të tij u botuan jashtë Shqipërisë, ose u ruajtën atje, ku ai shfrytëzonte çdo rast për të dëshmuar se çfarë po ndodhte brenda saj. Edhe pse karriera akademike po i ecte mbarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai asnjëherë nuk e tradhtoi misionin e tij për ta goditur vazhdimisht regjimin shqiptar, duke u bërë kështu kritikuesi më i ashpër i atij regjimi dhe informuesi më i madh mbi atë regjim”, ka thënë Apolloni duke shtuar ndër të tjera se Pipa ka rreth vetes aurën e disidentit, ndërsa Kadaresë i atribuohet etiketa e konformistit.Gjatë ditës së mërkurë gati 30 studiues kanë paraqitur kumtesat e tyre për temën “Disidenca letrare shqipe”. Punimet e tyre pritet të bashkohen në një botim të veçantë. Pavarësisht mospajtimeve e pikëpamjeve të ndryshme, deri diku të gjithë janë pajtuar se disidencë kishte, ose të paktën ngjyra të saj.