“Absoluticioni – Dialog në errësirë” si trilogji e tij është vepra fituese e edicionit të 14-të të ekspozitës çmimi “Muslim Mulliqi 2023”. Bashkohen “Mëkati 1” dhe “Mëkati 2”, që erdhi 18 vjet pas më 2022 për të vazhduar me “Absolucioni” të vitit 2023, që ia jep edhe titullin këtij triptiku të Hajredinit. Triptiku bashkë me vepra të tjera të Hajredinit do të ekspozohen në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Wuppertal. Ekspozitën e ka titulluar “Dialog në errësirë”, ashtu siç e mbante titullin edhe ajo personale e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës në mars të vitit 2022
Janë valixhe që, pos të tjerash, me vete bartin edhe rrëfime refugjatësh e azilantësh. Midis tyre edhe rrëfimin e vetë autorit të tyre. Në dimensione të ndryshme pikturat e Driton Hajredinit kanë nga një copëz historie të secilit bashkëkombës të tij. Por ai nuk e ka lanë me kaq. Përjetimet e viteve ‘90, pasuar prej asaj që kishte ndodhur në Kosovë më 1998 dhe 1999, refugjatin kosovar në Gjermani do ta thyenin keqas. Me t’u çliruar Kosova më 1999, Driton Hajredini do të mbushej shpresë. Mendonte se kishte ikur koha kur banorët e Kosovës do të përballeshin me diskriminime. Por shpejt do të merrte vesh se tash izolimi përballë shteteve evropiane do të ishte diskriminimi i radhës. E me këtë fakt ai do të prekte kufijtë e durimit. Do të futej në Katedralen e Münsterit në Gjermani.
“A është mëkat që kam lindur shqiptar në Kosovë?”, do ta pyeste ai priftin. “Ndoshta mund të thuhet se mos është ndonjë dënim”, do t’i përgjigjej kleriku nga kabina e tij ku bashkëbisedon me ata që i rrëfehen. Kamera e Hajredinit krejt bashkëbisedimin në errësirë do ta “përkthente” në veprën “Mëkati”. Dhe “dënimi” i përmendur nga prifti ka vazhduar në raport me lëvizjen e lirë deri në fund të 2023-s. Izolimi do të shkonte aq gjatë sa Hajredini do të realizonte edhe dy video të tjera me priftin. “Absoluticioni – Dialog në errësirë” që si trilogji e tij është vepra fituese e edicionit të 14-të të ekspozitës çmimi “Muslim Mulliqi 2023”. Tash bashkohen “Mëkati 1” dhe “Mëkati 2”, që erdhi 18 vjet pas më 2022 për të vazhduar me “Absolucioni” të vitit 2023, që ia jep edhe titullin këtij triptiku të Hajredinit.
Triptiku bashkë me vepra të tjera të Hajredinit do të ekspozohen në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Wuppertal.
Driton Hajredini (54) është një lloj Hitchcocku i pikturës. Ose së paku në një cikël. Sorrat e tij kanë njëfarë ngjashmërie me ato të filmbërësit Alfred Hitchcock. Por kanë një tjetër dimension. Janë pjesë e radhës së valixheve që nuk dinë të sosur. Historia personale e piktorit që jeton midis Kosovës dhe Gjermanisë, e të qenit refugjat si afro një milion shqiptarët e Kosovës në fund të shekullit të kaluar, janë pjesë e ekspozitës nëpërmjet valixheve dhe korbave. Me vaj në pëlhurë këtë dialog midis shpendëve e mjeteve të udhëtarëve e ka zhvilluar në errësirë.
Me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Hajredini në javën tjetër do të shpalosë një pjesë të rrëfimit të tij artistik në sallën e kampusit universitar të qytetit gjerman. Ekspozitën e ka titulluar “Dialog në errësirë”, ashtu siç e mbante titullin edhe ajo personale e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës në mars të vitit 2022.
“Është një ekspozitë pothuajse retrospektive. Janë rreth 70 për qind e veprave që i kam pasur në ekspozitën personale në GKK”, ka treguar ai.
Sipas Hajredinit, më mirë se kritiku i artit e filozofi Shkëlzen Malqi s’ka kush që i përthekon veprat e tij.
Sipas Maliqit, video “Mëkati” i Driton Hajredinit sigurisht se ndjek po ato rrugë të demaskimit të paragjykimeve të botës së pasur perëndimore ndaj të huajve, që kanë treguar në veprat e tyre edhe disa artistë të tjerë shqiptarë, sidomos Sislej Xhafa dhe Adrian Paci.
“Mirëpo në këtë vepër unë e shoh edhe një dimension tjetër më përgjithësues. Vendosjen e kamerës në qoshkun e rrëfimit Hajredini nuk e ka bërë thjesht për të pasur një intrigë interesante dhe me humor për faktin se adresa së cilës i drejtohet artisti gjithsesi del e gabuar dhe s’mund t’i japë përgjigjet e besueshme për atë me çka shqetësohet në jetën e tij”, ka shkruar Maliqi. Sipas tij, adresa e gabuar është çelës i dekonstruktimit të ideologjemave të mëdha dhe të vogla për pozitën e artistit në shoqërinë e sotme.
“Edhe vetë Zoti, dikur i plotfuqishëm, krijues i botës, artist i parë, sot paraqitet si një fuqi e margjinalizuar, me ndikim simbolik, kundrejt mekanizmave alienues dhe paragjykues që dominojnë në shoqëritë e sotme”, ka shkruar midis të tjerash Maliqi.
Shkëlzen Maliqi qe kurator i ekspozitës së Hajredinit më 2022. Asokohe ai shkruante se Hajredini i është kthyer temës së ekzistencës së pikturës me humorin e një tendence të rafinimit të pikturës duke dëshmuar se ajo në kuptimin klasik të fjalës ende mund të frymëzojë dhe të bartë mbi supet e saj të plakura idetë dhe konceptet si për bashkëkohësinë e edhe të amshueshmet.
Provokimet e Hajredinit janë të shumta. Te “Martesa” ai u vë kurorë Pablo Picassos dhe një prej personazheve që spanjolli kishte paraqitur në veprat e tij. E te “Sindroma Abramoviq” prek artistët që ndërrojnë hapësirat. I kishte rastisur që të dëgjonte artisten serbe me botëror Marina Abramoviq duke folur në një takim dhe aty ajo kishte bërë një performancë. Hajredini e kishte xhiruar atë pjesë. Abramoviq kishte treguar se si artistët kur e ndërrojnë ambientin kanë mungesë idesh. Këtë problem e kishte pasur edhe Hajredini kur kishte ikur si refugjat. Këtë lloj “sëmundjeje” të artistëve e ka pagëzuar “Sindroma Abramoviq”.