Fotografia e Alban Bujarit nuk është vetëm dokumentim. Ajo rrëfen, por nuk ndalet me kaq. Imazhi për të është mision për të mos harruar. Në këtë frymë vjen edhe ekspozita “COVID-19”, e cila është hapur të enjten në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Secili imazh është histori më vete. Krejt bashkë shpalosin një kapitull të trishtë. Prej aty, fotoreporteri i “Kohës Ditore”, dokumentaristi i njohur i luftës, kësaj radhe nxjerr betejën njerëzore për jetë
Nuk duhet shumë kohë midis fotografive që publiku të futet në ndjesinë e kohës së pandemisë. Imazhet e rikthejnë këtë ndjenjë dy vjet pasi bota u përball me pandemi.
“COVID-19” titullohet ekspozita e fotoreporterit Alban Bujari, që është hapur të enjten në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Bart emrin e sëmundjes infektive që kishte gjunjëzuar botën më 2020 dhe 2021. Dhjetëra shkrepje të Bujarit rrumbullakojnë kronologjikisht përballjen e Kosovës me virusin. Aty zënë vend ditët e para kur mbyllja ishte ilaçi i vetëm. Përhapja e infeksionit gjithandej ilustrohet bashkë me bartjen e viktimave të para. Qetësia në sheshet e kryeqytetit është fort e zëshme në shkrepjet e fotoreporterit të “Kohës Ditore”, Alban Bujari. Aktiviteti i personelit shëndetësor e deri te pritja në radhë për vaksinimin si ilaç të shumëpritur përthekojnë atë periudhë. Njëri prej fotoreporterëve më të shquar shqiptarë dokumenton një kapitull të zymtë dhe ka shumë arsye për këtë. Kësisoj kishte bërë edhe në kapituj të tjerë historikë të Kosovës. Lufta – njëri prej tyre.
Artisti e profesori i Fakultetit të Arteve, Adem Rusinovci, ka thënë se Bujari duke marrë përsipër shumë rreziqe ishte prezent për të dokumentuar ngjarjet më të trishta që kaloi populli shqiptar në tri dekadat e fundit.
“Vetëm të dëgjosh rrëfimet e tij është e tmerrshme. Çdo fotografi e shkrepur është një rrëfim më vete”, ka thënë Rusinovci. Sipas tij, fotoreporteri i “Kohës Ditore”, të gjitha ngjarjet e shënuara me aparatin e tij fotografik herë pas here i sjell nëpërmjet ekspozitave.
“Këto ngjarje e rikthejnë prapa kujtesën tonë kolektive për ata që e përjetuan dhe përmes fotografive e risjell të shkuarën për të mos harruar kurrë”, ka thënë ai. Sipas Rusinovcit, temat e jetës, të vdekjes, izolimit, të fatit, njerëzores e mbinatyrores, autorin e përcjellin tash e 30 vjet.

“Shpesh i ndeshur me terrin dhe hijet e tij të frikshme, Albani ka fatin të jetë protagonisti i të gjitha ngjarjeve në Kosovë. Shpeshherë në kushte dhe rrethana dramatike. Çdo shkrepje e aparatit i ka thënë atij kënaqësi të pakufishme, por edhe vuajtje të pakufishme në të njëjtën kohë”, ka thënë Rusinovci. Një grimë prej arkivit të bujshëm të tij, Bujari do ta shpaloste edhe në shkurtin e sivjetmë, kur në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës hapi ekspozitën “Erë gjaku”, që risjell dëshmitë e masakrës në Rugovë të Hasit në janarin e vitit 1999. Solli rrëfimin nëpërmjet 28 fotografive që përkujtojnë 21 persona të vrarë nga forcat serbe, përfshirë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë të fshatit.
Kur ka folur në ekspozitën e fundit, Bujari ka kujtuar ndjesinë e ditëve kur bashkë me kolegë qëndronin përballë Klinikës Infektive të QKUK-së.
“Besomëni që derisa kemi qëndruar me kolegët në Klinikën Infektive shpesh i kemi ndier simptomat e ‘COVID-it’ si ethe, frymëmarrje, temperaturë e dhimbje të mushkërive. Por kjo ishte paranojë pasi kemi qëndruar shumë gjatë”, ka thënë ai. Ka treguar se periudha prej fillimit të “Kohës Ditore” e deri tash nuk ka qenë e lehtë, sidomos gjatë luftës.
“Për periudhën që është në fotografi nuk kam çfarë të flas, fotografitë flasin vetë”, ka thënë ai.
Fotografitë e Bujarit në këtë ekspozitë janë vazhdimësi e dokumentimeve të tij. Janë pjesë e serive të masakrave të viteve 1998-1999. Vijnë si dëshmi që syri i Bujarit qe aty ku ishte historia në këto anë prej fundit të viteve ’90 deri më tash. Kronologjia e fotografive të ekspozitës tregon se në kohën kur bota po izolohej, Bujari e dinte saktë se vendi i tij nuk ishte shtëpia, pasi ajo nuk qe vendi i tij as në luftën e fundit në Kosovë, as në ditët e çlirimit e as në ato të Pavarësisë. Kronikani nëpërmjet imazheve rrallë e hiç flet për përvojat e tij. Ato i ka nëpër shkrepje, që sipas artistit Rusinovci janë inspirim për skenaristë, dramaturgë, prozatorë, poetë e artistë të tjerë. Me fotografitë e tij në kohë lufte, bota njohu të vërtetën për atë gjë ngjante në Kosovë. Qenë botuar në mediat më të shquara botërore, si “Sunday Times”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, Süddutsche Zeitung”, “Kyodo News” e shumë të tjera.
“Albani përmes kësaj ekspozite na bën lutje ta tejkalojmë, por të mos e harrojmë një të kaluar të hidhur”, ka thënë Rusinovci.
Ekspozita e hapur në institucionin kryesor muzeor në vend kthen kohën prapa. Bën që publiku të rrugëtojë nëpër imazhet e një periudhe të përjetuar rishtazi. Fotografitë vijnë si kronikë e ditëve të vështira që janë dokumentuar, ata që u bëjnë ballë betejave.