Kulturë

“Circulations” me gati 12 mijë shishe që notojnë për mbrojtjen e mjedisit

Të vendosura kryesisht pjerrtas, shishet në “Circulations” të Tamara Grçiqit krijojnë sipërfaqen e valëve të detit nëpër të cilat publiku mund të “notojë”

Të vendosura kryesisht pjerrtas, shishet në “Circulations” të Tamara Grçiqit krijojnë sipërfaqen e valëve të detit nëpër të cilat publiku mund të “notojë”. Vepra ka edhe ishuj të tillë ku publiku, me kujdes të shtuar, mund të ndjekë hapësirat e zbrazëta duke e shëtitur veprën brenda kufijve të saj (Foto: Autostrada Biennale)

Jashtëzakonisht unike është vepra e artistes Tamara Grçiq në edicionin e pestë të “Autostrada Biennale”, e cila me mbi 11 mijë e 600 shishe qelqi e ka formuar “oqeanin” e saj artistik. Shishet me ngjyra kafe dhe të blertë bëhen edhe më kuptimplote kur në to përplasen rrezet e diellit. Shishet janë sjellë nga Austria, por “fati” i tyre është paracaktuar. “Përfundimisht do të riciklohen në Kosovë, këtu do të gjejnë jetën e re”, ka thënë Grçiq

Është një lloj labirinti i formësuar prej shisheve në njërin prej hangarëve që ka për shfrytëzim bienalja e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale”. Strehon “oqeanin” artistik të saj. Vepra “Circulations” e artistes Tamara Grçiq, e cila jeton e vepron në Frankfurt, vjen si qarkullim i veprës që merr formën finale vetëm kur shishet gjejnë adresën e rijetësimit. 

Materiali është krejtësisht i ricikluar. “Autostradës…” i është dashur që të gjitha shishet, mbi 11 mijë e 600 të sillen nga Austria për ta instaluar veprën në Prizren. Forma e tyre specifike e kufizoi punën e artistes në këtë lloj të shisheve të verës që janë më të ngushta. 

Të vendosura kryesisht pjerrtas, në të dy anët e saj krijojnë sipërfaqen e valëve të detit me ngjyrë kafe e të blertë, nëpër të cilat publiku mund të “notojë”. Vepra ka edhe ishuj të tillë ku publiku, me kujdes të shtuar, mund të ndjekë hapësirat e zbrazëta duke e shëtitur veprën brenda kufijve të saj. 

Shishet nuk janë të fiksuara në dysheme. Si rrjedhojë e numrit të madh të vizitorëve në premierën e veprës në “Autostrada Biennale”, lëvizjet aksidentale të tyre ishin të dallueshme. Por ato nuk i lëviz dot “era” që fryn lehtë brenda hapësirës ku zë vend vepra. Instalacioni zanor i vendosur aty e kompleton peizazhin. 

Autorja e veprës ka treguar se në bienale është ftuar posaçërisht për ta sjellë këtë vepër të saj. Të njëjtën e pati ekspozuar 20 vjet më parë në Austri.

“Pasi që kanë kaluar 20 vjet, desha që ta ndryshoj pak, kështu që kam vendosur ngjyra të ndryshme dhe forma të bukura, të cilat i kam zhvilluar këtu në hangar. Për dy javë në Prizren kam punuar për të kuptuar se si këto shishe mund të zhvendosen në këtë hapësirë. Mundohem ta okupoj këtë hapësirë”, ka treguar Grçiq. 

E një vepër të ngjashme e kishte instaluar edhe në Münich të Gjermanisë. Vepra me titull “Light green, green, feuille morte” më 2004 qe vendosur në një hapësirë industriale dhe rreth 14 mijë shishe të verës u patën vendosur horizontalisht duke formuar dy fusha të ndara. 

Artistja e cila jeton e vepron në Frankfurt ka thënë se kjo vepër ka elemente natyrale në planin e hangarit, që përshtaten me veprën e gjithashtu edhe drita e diellit që depërton.

“Kjo ndodh në orën 4 pasdite, kur shishet ndriçohen dhe shkëlqejnë me ngjyra të ndryshme”, është shprehur ajo derisa ka bërë të ditur se me përfundimin e Bienales, materiali do të dërgohet për riciklim. 

“Këto shishe janë ato të verës, bartin ngjyra të ndryshme të kësaj pijeje. Më pëlqen që nëpër ekspozita të ndryshoj materialet dhe të kompletoj kreativitetin me imazhe të ndryshme prej tyre. Ky material pastaj shkon në një cikël tjetër, pra riciklohet, në veraritë përreth apo diçka tjetër që do ta vendosim. Por përfundimisht do të riciklohen në Kosovë, këtu do të gjejnë jetën e re”, ka thënë ajo për KOHËN derisa vepra e saj u hap për publikun profesionist më 4 korrik. 

Shishet nuk janë të fiksuara në dysheme. Si rrjedhojë e numrit të madh të vizitorëve në premierën e veprës në “Autostrada Biennale”, lëvizjet aksidentale të tyre ishin të dallueshme. Por ato nuk i lëviz dot “era” që fryn lehtë brenda hapësirës ku zë vend vepra. Instalacioni zanor i vendosur aty e kompleton peizazhin (Foto: Autostrada Biennale)

Ka treguar se shishet janë bartur nga Austria. Pra është materiali i njëjtë i veprës fillestare.

“Doja që përvoja ishte nga këtu, por nuk e kanë këtë formë, për t’i bërë ato të lëvizin, duhet të jenë më të ngushta. ‘Autostrada...’ është përkushtuar shumë për t’i sjellë këto shishe, andaj shpresoj që ato të gjejnë përdorim këtu në Kosovë pas ‘Autostradës...’”, është shprehur artistja 61-vjeçare. 

E lindur më 1964 në Münich, Tamara Grçiq ka studiuar Histori Arti në Universitetin e Vjenës e më pas edhe Antropologji Kulturore në universitetin “Johann Wolfgang Goethe”, në Frankfurt.

Prej vitit 1992, krijimtaria e saj është shfaqur në ekspozita të shumta individuale dhe grupore në Gjermani dhe jashtë saj, deri në Bienalen e Venecias. Prej vitit 2014 është profesoreshë e skulpturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Mainz të Gjermanisë. 

Veprat e saj janë shfaqur gjithandej nëpër Evropë dhe jo vetëm, ndërsa në Prizren, “Circulations” ka ardhur si rrjedhojë e ftesës së kuratorit Erzen Shkololli për t’u bashkuar nën temën “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” të edicionit të pestë të “Autostradës…”. 

Bashkëthemeluesja e njëra prej drejtuesve të bienales, Vatra Abrashi, e ka konsideruar madhështore këtë vepër. 

“Për ne ka qenë e jashtëzakonshme të bashkëpunojmë me një artiste si Tamara, e cila e ka sjellë një vepër të një instalacioni të një përmase shumë të madhe të instalacionit. Për të është kërkuar jashtëzakonisht shumë punë nga ana e saj, ku të rinjtë, që janë ndërmjetësues në ‘Autostrada Biennale’, kanë qenë pjesë e kësaj vepre ku e kanë ndihmuar artisten për ta realizuar këtë vepër madhështore për hapësirën ku është vendosur”, ka thënë Abrashi.

Ka thënë se vepra sjell mesazhet e mbrojtjes së mjedisit dhe se po pëlqehet mjaft shumë nga publiku. 

“Jemi shumë të lumtur që ky instalim ka qenë specifik për vendin ku është instaluar dhe e ka edhe sistemin zanor që i paraprin veprës. Po pëlqehet shumë dhe e ka edhe mesazhin e mbrojtjes së mjedisit dhe na shtyn të mendojmë dhe të reflektojmë për çështjen mjedisore. Bashkërisht me artisten, pasi të përfundojë ekspozita, do të shohim se si do të vazhdojë jeta e këtyre shisheve që janë pjesë e këtij instalacioni. Janë diku 12 mijë shishe të verës që janë të pozicionuara”, është shprehur ajo.

“Pasi që kanë kaluar 20 vjet, desha që ta ndryshoj pak, kështu që kam vendosur ngjyra të ndryshme dhe forma të bukura, të cilat i kam zhvilluar këtu në hangar. Për dy javë në Prizren kam punuar për të kuptuar se si këto shishe mund të zhvendosen në këtë hapësirë. Mundohem ta okupoj këtë hapësirë”, ka thënë Tamara Grçiq (majtas) 

E derisa edicioni i sivjetmë vazhdon deri më 5 tetor, veprat e shpërndara nëpër monumentet në Qendrën Historike të Prizrenit dhe në Parkun e Trajnimeve dhe Inovacionit në këtë qytet qëndrojnë të hapura për publikun. 

Abrashi ka thënë se janë të kënaqur deri më tani me vizitat që po u bëhen ekspozitave. 

“Edhe në vikend ka pasur goxha shumë. Ka pasur shumë vizitorë edhe në qendër e edhe në ITP që janë nga Prizreni e që kanë ardhur edhe nga Tirana dhe nga vendet e ndryshme të regjionit. Prej nesër e kemi edhe një pyetësor që zakonisht e bëjmë. I mbledhim ato dhe i bëjmë për ta marrë një ‘feedback’ se qysh po u duket. Por ato janë edhe tregues se sa ka interesim dhe numër të vizitorëve”, ka treguar ajo.

Një lloj pyetësori për vizitorët do të shërbejë në fund të edicionit për të dhëna, si numri i vizitorëve, hapësirat më të vizituara dhe jo vetëm.

“Në fund të Bienales ato tregojnë pak a shumë një analizë të gjendjes se kush vjen, cilat mosha, prej cilave profesioneve vijnë më shumë, cilat janë ndoshta hapësirat më të vizituara. Këto kryesisht na ndihmojnë edhe në aspektin organizativ për të parë sa është vizituar, por në anën tjetër shpesh i ndajmë ato me publikun dhe janë si numër përfundimtar i ekspozitës. Pas tre muajve i mbledhim, i vendosim në një sistem dhe i analizojmë”, ka bërë të ditur Abrashi. 

Ka thënë se është shumë e rëndësishme të shihen këto vepra. 

“Tash që ekspozita është hapur, për ne është pjesa më e rëndësishme realisht që të promovohet sa më shumë Bienalja, që të shihet prej qytetarëve dhe grupmoshave të ndryshme. Ekspozita është falas, gjithkush duhet të ndihet i lirë, pa ndonjë pengesë financiare për ta parë atë dhe aspekti financiar nuk është pengesë. Prej veprave të jashtëzakonshme që janë sjellë në kontekstin tonë lokal nga artistë të mirënjohur vendorë dhe ndërkombëtarë, jashtëzakonisht e rëndësishme është që të shohim se si këto vepra janë paraqitur në hapësira të ndryshme”, është shprehur ajo.

Ka theksuar edhe rëndësinë e vizitës në hapësirat e trashëgimisë kulturore të qytetit. Sepse shëtitja nëpër veprat e “Autostrada Biennale” është vizitë e dyfishtë: për artin modern dhe eksplorimin e monumenteve historike.


© KOHA Ditore