Një narrativë për njeriun, që pjesën e rinisë e ka kaluar në burg i robëruar, dhe tani në kohën tonë, ai është rikthyer vullnetarisht për t’i shërbyer misionit të rinisë – lirisë, është shpjegimi që ia bën skenaristi e regjisori Agim Sopi filmit të tij dokumentar, “Burgu me dyer të hapura”, i dhënë premierë vendore të shtunën mbrëma në Kohavision. Personazhet aty dëshmojnë “për jetët e humbura dhunshëm që nuk u gjykuan kurrë”
Janë nxënësit që ecin korridorit të ngushtë të ndërtesës për të mësuar pak nga historitë e trishta brenda mureve të betonit. Ata i pret ciceroni Emin Sallahu. Nuk shpjegon veç histori të Muzeut. Rrëfen edhe për burgun e tij. Brenda Muzeut të Burgut të Prishtinës – “Burgu i idealit”, të rinjtë mësojnë për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekullit të kaluar. Historitë e atyshme marrin të tjera përmasa në dokumentarin e Agim Sopit, “Burgu me dyer të hapura”.
Në dokumentarin prej 35 minutash që është shfaqur të shtunën mbrëma në KTV si premierë vendore, regjisori e skenaristi, Sopi, ka bashkuar copëza historish të të burgosurve që rrëfejnë në vetë të parë. Ato i ka mbështjellë me interpretime të disa aktorëve duke bërë që vepra të mos jetë vetëm dokumentuese, por të ketë edhe nuanca të dramës e porosive për të kërkuar lirinë. Sopi është mjeshtër i vjetër në këtë zanat. Në rastin e ciceronit Sallahu, përtej personazhit që rrëfen për burgun e tij, ai edhe interpreton. Ka rol të dyfishtë. Personazhe nga më të ndryshmit, prej qelive që kanë qenë dikur, kthehen në kujtime. Bëhet një rindërtim i asaj që ka ndodhur.
Realizuar vitin e kaluar nga Agim Sopi, dokumentari ka pasur premierën në shtator në “Tirana Human Rights Film Festival”, për të vazhduar pastaj në New York, Londër, Romë, Oslo, New Delhi e vende të tjera.
Sopi ka treguar se duke qenë pjesë e programeve zyrtare të më shumë se dhjetë festivaleve, filmi ka fituar edhe katër çmime të rëndësishme si: “Best Human Rights Documentary” në “Eight And Half Film Festival” në Romë, “Dadasaheb Phalke Award – Best Short Documentary” në “Aasha International Film Festival” në Indi, “Gold Award – Best Film” në “Gold International Film Festival” në New York dhe “Best Documentary” në “Liverpool Indie Film Festival”.
‘“Burgu me dyer të hapura’ ka për objektiv që të rikthejë konceptin e lirisë si mision jetësor në kohë të egra kur çdo i treti banor i Kosovës kishte kaluar nëpër burg. Dimensioni i Burgut të Prishtinës, tani i shndërruar në Muze, ka për qellim jo veç rikthimin e mbamendjes historike, por synon krijimin e një metafore universale për njeriun me trup të burgosur e mendje të lirë”, ka thënë Sopi.
Sipas tij, nëpër qelitë e ftohta të burgut, dikur ishin krijuar vargje poezish që sot dëshmojnë për fatet e njerëzve të shndërruar në hije të shlyera.
“Filmi ‘Burgu me dyert të hapura’ është një narrativë për njeriun që pjesën e rinisë e ka kaluar në burg i robëruar, dhe tani në kohën tonë, është rikthyer vullnetarisht për t’i shërbyer misionit të rinisë – lirisë. Për të dëshmuar për jetët e humbura dhunshëm që nuk u gjykuan kurrë”, ka thënë Sopi.
Filmi dokumentar i realizuar me mbështetjen e MKRS-së, vë në ekran qelitë e ftohta duke sjellë kujtimet e atyre që i kanë jetuar ditët e tmerrit. Dokumentari mund të shërbejë edhe si thirrje për të funksionalizuar Muzeun.
MKRS-ja aktualisht ka në proces një konkurs publik ku kërkon kompani për konceptim e instalim të ekspozitës së këtij Muzeu. Në dosjen e thirrjes jepen sqarime se ish-Burgu i Qarkut në Prishtinë është i vendosur në qendër të kryeqytetit dhe aty janë mbajtur veprimtarë politikë, aktivistë e disidentë të ndryshëm gjatë 70 vjetëve sa e ka pasur atë funksion. Tregohet se duket që daton qysh prej fillimit të viteve ‘50, e ndërtimi i këtij burgu korrespondon me kohën famëkeqe të Rankoviqit, kur shqiptarët janë persekutuar politikisht. Aty jepen sqarime goxha në detaje për planimetrinë e ndërtesës.
“Të dhënat për burgosjet që kanë ndodhur në këtë burg janë ende duke u hulumtuar, por operimi i tij qysh nga koha e hershme pas Luftës së Dytë Botërore është indikacion se kemi të bëjmë me ndërtesë të rëndësishme historike. Janë disa periudha të represionit serb që reflektohen qartazi edhe te ndërtesa e Burgut”, shkruhet në dosjen e tenderit. Përmendet periudha kur nacionalisti famëkeq Aleksandar Rankoviq ishte numri dy i ish-Jugosllavisë dhe vitet ’70, ‘80 e deri te Millosheviqi.
Më 12 korrik të vitit 2022, ish-Burgu ishte rihapur për vizitorë. Asokohe u shpall edhe muze. Ekspozita e rihapjes në raport me hapjen e parë duket më e realizuar, por mbetet shumë periferike në raport me një muze. Në ndërtesën që gjendet në rrugën “Luan Haradinaj”, ngjitur me Stacionin e Policisë së Kosovës, vizitorët mund të përjetojnë një ambient burgu. Jo bash sikurse ka qenë gjatë sistemit socialist, shkaku i ndërhyrjeve të pasluftës, por të paktën në strukturë është i njëjti. E stafi, siç bën rëndom MKRS-ja, improvizon deri në hapjen e ekspozitës së përhershme.
Hapja e parë, ajo e 12 qershorit 2020, në kuadër të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në rihapje nuk qe përmendur fare, duke e stimuluar idenë se ndërtesa po hapet për herë të parë. As tash nuk është e hapur.
Te “Burgu me dyer të hapura” rrëfehet se dikur dyert aty hapeshin për të futur të burgosur të rinj ose për të nxjerrë kufoma jashtë. Por tash mbetet që shteti t’ia hapë dyert përhershëm ish-Burgut të Prishtinës, e për të rrëfyer historinë brenda atyre mureve. Njashtu siç bën ky dokumentar.