Institucioni më i lartë kulturor në vend, të mërkurën, në katërvjetorin e vdekjes së Nexhmije Pagarushës, është mjaftuar me disa rreshta postim në Facebook dhe me një vjegëz nga performanca e “Bareshës” ikonike. Artistët kanë kritikuar një qasje si kjo, por në anën tjetër nuk ka pasur asnjë aktivitet as jashtë institucionesh për zërin me të cilin mburret Kosova
Portreti i Nexhmije Pagarushës në murin ballor të objektit të Ministrisë së Kulturës – tok me ato të artistëve të tjerë – është zbehur e zor dallohet. Njësoj është zbehur edhe përkujtimi institucional për të. Jo pak projekte qenë paralajmëruar kaherë në nderim të saj. Asnjë aktivitet s’është shënuar në katërvjetorin e vdekjes së Bilbilit të Kosovës, të mërkurën.
Institucioni më i lartë kulturor në vend është mjaftuar me nja gjashtë, shtatë rreshta postim në Facebook dhe me një vjegëz nga performanca e “Bareshës” ikonike të saj nga Filharmonia e Kosovës, vitin e kaluar në Lisbonë.
“Katër vjet pa ikonën e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha”, shkruhet në titullin e postimit. “Sot në katërvjetorin e vdekjes e kujtojmë artisten e pazëvendësueshme që dha aq shumë për artin, muzikën dhe kulturën e kombit tonë, Nexhmije Pagarushën. Talentin që kishte, ajo e shfrytëzoi për të kultivuar këngën dhe muzikën e mirëfilltë shqipe, duke lënë kështu pas vetes një krijimtari aq të pasur artistike, plot 5 albume e 88 këngë që janë vlerë e çmuar e trashëgimisë së artit tonë muzikor”, ka shkruar Ministria e Kulturës.
Moskujtimi i saj është parë gjë tejet e shëmtuar nga artistët.
Sopranoja Arta Jashari, e cila ka mbajtur edhe një recital me këngët e Pagarushës, ka thënë se vazhdon ta hulumtojë muzikën e saj dhe të interpretojë këngët e të madhes Nexhmije Pagarusha kudo që i jepet rasti, si thesar kombëtar tejet i rëndësishëm i Republikës së Kosovës.
“Pavarësisht jetës shumë dinamike që kemi secili prej nesh, ne si komb duhet që asnjëherë të mos i harrojmë emrat që kanë lënë gjurmë dhe bagazh të rëndësishëm për zhvillimin tonë kulturor dhe artistik”, ka thënë Jashari për KOHËN.
Kompozitori Valton Beqiri, ka tjetër qasje. Ka thënë se artistët nuk duhet të përkujtohen në data të caktuara.
“Për shumë artistë që nuk janë më në mesin tonë duhet gjetur forma të përkujtimit dhe të nderimit të punës së tyre në vazhdimësi e jo vetëm në një ditë të vitit”, ka thënë Beqiri.
Ishte ditë e premte, 7 shkurt 2020, kur zonja e parë e këngës shqipe do të jepte frymën e saj të fundit në moshën 86-vjeçare.
E lindur më 7 maj 1933 në Pagarushë të Malishevës, ajo do të shndërrohej në yllin më të shndritshëm të muzikës shqipe gjatë shekullit të kaluar. Prej tërheqjes nga skena në vitin 1984, këngëtarja kishte pasur vetëm gjashtë rikthime të shkurta. Me këngën “Për ty” ajo kishte thyer “heshtjen” gjashtëmbëdhjetëvjeçare kur i ishte përgjigjur pozitivisht këngëtarit nga Tirana, Ardit Gjebrea. Do të kalonte një hark gati i njëjtë kohor kur më 2015 këngëtarja u ftua si mysafire nderi në koncertin me interpretues vokalo-instrumentalë me persona të verbër nga Kosova e Shqipëria. Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë kishte jehuar nga vokalet e saj kur kishte kënduar live. I ishte rikthyer skenës me “Dritë për mbesën”, kompozuar nga Arbër Dhomi, me tekst të Ajmone Dhomit dhe me aranzhman të Trimor Dhomit. Më 2017 ajo ishte shfaqur për pak minuta me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore në Klan Kosova. Ishte përcjellë nga mjeshtri i violinës Shkëlzen Doli. Pas paraqitjes së saj në koncertin e “Shotës”, dhënë për nder të Ditës së Flamurit, ajo do të përmbyllte të fundit interpretim të saj bashkë me Violeta Kukajn me këngën “Mbushni gotat”.
Në tetorin e vjetëm, në fshatin e saj të lindjes, në Pagarushë të Malishevës, qe përuruar busti i saj, vepër e Agon Qoses. Ishte realizuar me mjete të grumbulluara nga mërgimtarët, banorët dhe nga donatorë të tjerë. Idenë për realizimin e bustit fillimisht e kishte dhënë ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi. Ishte paralajmëruar që në ngjarje do të merrte pjesë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, por nuk ishte i pranishëm as në programin artistik që u organizua në nderim të figurës së primadonës së melosit popullor. Ministria e Kulturës qysh në tetor të vitit 2018 kishte nisur procedurat për institucionin që synohej të ngrihej si shtëpi kulture në vendlindjen e saj. Objekti në fshatin Pagarushë ishte planifikuar të mbante emrin e këngëtares, por ende nuk ka as gur themeltar të ndërtesës.
Prapa objektit të MKRS-së, në qendër të Prishtinës, më 12 nëntor 2021, në murin e një objekti banesor, do të inaugurohej murali me portretin e Pagarushës. Do të inaugurohej me një ceremoni modeste ku do të performonte kori që mban emrin e këngëtares së famshme. Realizuar nga artistja spanjolle Alba Fabre, portretizon Bilbilin e Kosovës bazuar në një fotografi kur ajo ishte në kulmin e karrierës. Puna për realizimin e muralit, do të nisje jo pa fjalë. Njëri prej hisedarëve të ndërtesës do të ndërpriste punimet. Kur u përfundua do të vlerësohej si kujtim në nderim të saj, përderisa do të kërkohej që edhe rruga ku zë vend kjo vepër ta marrë emrin e Nexhmije Pagarushës. Deri tash rruga s’e ka këtë emër.