Kulturë

“Besa” me 12 rrëfime për shqiptarët shpëtimtarë të hebrenjve

Ekspozita ka mbledhur fotografi e tregime të fotografit Norman Gershman, që janë kuruar nga gazetari Carlo Bollino njëherësh kurator i muzeut “Bunk’Art”

Ekspozita ka mbledhur fotografi e tregime të fotografit Norman Gershman, që janë kuruar nga gazetari Carlo Bollino njëherësh kurator i muzeut “Bunk’Art”. Ai ka thënë se shpëtimi i mijëra hebrenjve nga shqiptarët gjatë regjimit nazist është një pjesë e dalluar e historisë së vendit

Në kohën më të errët të njerëzimit, shqiptarët u bënë heronjtë më të mëdhenj të atyre që nazizmi kërkonte t’i zhdukte. Histori si këto shpalosen në ekspozitën “Besa” në Tiranë, e cila është vlerësuar si një dëshmi unike e së kaluarës dhe shembull i së tashmes. “Kjo ekspozitë është jo vetëm një shfaqje e ndritshme e historisë shqiptare, por mban një mesazh për botën e sotme, që i duhet kujtuar sërish ajo çka na mësoi me një qartësi të pamëshirshme”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Ekspozita “Besa” në “Bunk’Art 2” vjen si një rrëfim mbi të shkuarën e errët të njerëzimit dhe popullit hebre dhe një krenari për Shqipërinë që nuk mohuan vlerat dhe traditën e nuk u dorëzuan përpara diktaturës apo totalitarizmit. Sjell 12 histori mbresëlënëse, të strehimit dhe shpëtimit të jetës së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës të enjten ka qenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka kujtuar heroizmat e familjeve të shumta shqiptare, të cilat në kohën më të errët të njerëzimit u bënë heronjtë më të mëdhenj të atyre që nazizmi kërkonte t’i zhdukte.

Përderisa ka risjellë në vëmendje shkrime të historianes dhe filozofes Hannah Arendt dhe të shkuarës së gdhendur në “biografinë” e Shqipërisë, Rama ka nderuar çdo familje shqiptare që nuk iu dorëzua frikës dhe imponimit dhe mbi të gjitha nuk turpëroi Shqipërinë në kohën kur e gjithë Evropa hoqi dorë nga gjykimi duke i hapur rrugë burokracisë, raportojnë mediat shqiptare. 

“Kjo ekspozitë është jo vetëm një shfaqe e ndritshme e historisë shqiptare, por mban një mesazh për botën e sotme, që i duhet kujtuar sërish ajo çka na mësoi me një qartësi të pamëshirshme. ‘E keqja shpesh nuk është djallëzore apo e bujshme, por e zakonshme, administrative dhe e përulur. Është thjesht banale’”, citohet të ketë thënë Rama. 

Kur ka folur për ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, ka theksuar se populli shqiptar ishte i varfër, nuk ishte pushtet apo rëndësi strategjike, por kishte diçka të paçmuar: aftësinë për të parë në fytyrën e njeriut tjetër detyrimin e vet moral.

“Kur nazistët kërkuan listat e hebrenjve, shqiptarët i shkatërruan. Kur të tjerët dorëzuan fqinjët, shqiptarë u ofruan siguri. Kur bindja u bë aleat i heshtur, Shqipëria zgjodhi rrugën e rrezikshme të përgjegjësisë”, ka thënë ai. 

Shqipëria, sipas kryeministrit, refuzoi mjegullën morale dhe doli nga Lufta e Dytë Botërore si i vetmi vend në Evropë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa para luftës.

Ekspozita ka mbledhur fotografi e tregime të fotografit Norman Gershman që janë kuruar nga gazetari Carlo Bollino, njëherësh kurator i muzeut “Bunk’Art”. Ai ka thënë se shpëtimi i mijëra hebrenjve nga shqiptarët gjatë regjimit nazist është një pjesë e dalluar e historisë së vendit. Duke theksuar përkushtimin në ngritjen e ekspozitës “Besa”, gazetari italian ka thënë se aktivitete të tilla dhe muzetë në përgjithësi duhet të kurohen në mënyrë sa më të kujdesshme për të përcjellë ndër breza dhe vizitorë historinë e vërtetë pa deformime.

“Si kurator i një muzeu kam bindjen se historinë duhet ta kujtojmë gjithmonë, ndonjëherë për të mos përsëritur gabimet e bëra, ndonjë për të marrë shembujt e mirë që vijnë nga historia. Ky është nga rastet e rralla ku historia na ka treguar një shembull të jashtëzakonshëm. Që është një shembull unik dhe tmerrësisht aktual. Mos të harrojmë që hebrenjtë që janë shpëtuar nga shqiptarët në kohën e pushtimit nazist ishin pothuajse të gjithë emigrantë nga vendet fqinje ku sistemet naziste në bashkëpunim me qeveritë e atyre vendeve atje i kanë persekutuar dhe kanë kryer një masakër”, ka thënë ai. Sipas Bollinos, këta hebrenj kanë ardhur si emigrantë në Shqipëri duke gjetur strehim dhe mbrojtje nga popullata dhe qytetarët. 

“Janë strehuar dhe mbrojtur në emër të një fjale që quhet ‘besa’, e cila është aktuale dhe sot. Fjala besa mund të përkthehet në shumë gjuhë të huaj jo vetëm shqip, sot kemi mijëra dhe miliona emigrantë të tjerë që lëvizin nëpër botë duke kërkuar të njëjtën mikpritje që shqiptarët e kanë ofruar”, ka thënë ai.

© KOHA Ditore