Si një prej pionierëve, profesionistëve të rrallë e kontribuuesve të mëdhenj në muzikën klasike në Kosovë, Bajar Berisha është kujtuar të martën me akademi përkujtimore me rastin e vdekjes së tij, në moshën 73-vjeçare. Me krejt ndarjet – edhe brenda komunitetit muzikor për figurën e tij kontroverse – një pikë i bashkon të gjithë: profesionaliteti i dirigjentit
Viti akademik 1972-1973 Kosovën do ta bënte me dy dirigjentë: Bajar Berishën e Rafet Rudin. Në qershorin e vitit 1973, me paraqitje me Filharmoninë e Beogradit, do të diplomonin suksesshëm. Për Kosovën e asokohshme ky ishte një lajm i madh. Rudi më pas, pos dirigjimit ishte dhënë edhe pas kompozimit, përderisa Berisha i qëndroi besnik shkopit. Si një prej pionierëve, profesionistëve të rrallë e kontribuuesve të mëdhenj në muzikën klasike në Kosovë, Berisha është kujtuar të martën me akademi përkujtimore me rastin e vdekjes së tij. Javën e kaluar u dha kumti se Berisha vdiq në moshën 73-vjeçare. Me krejt ndarjet – edhe brenda komunitetit muzikor për figurën e tij kontroverse – një pikë i bashkon të gjithë: profesionaliteti i dirigjentit.
Trashëgimia muzikore si frymëzim brezash
Studentë, familjarë e kolegë e kanë kujtuar atë si kontribuues të madh, që ndihmoi në vënien e themeleve akademike të muzikës klasike në Kosovë.
Muzikologia Rreze Kryeziu ka thënë se Berisha ishte një pasionues i pashoq për muzikën klasike, në të cilën integroi shumë fusha duke sjellë kështu një perspektivë të pasur.
“Dhe tërë kjo shtrihej nga aftësitë e tij të larta si dirigjent e deri te puna e tij frymëzuese me studentë”, ka thënë ajo. Më pas është ndalur te biografia e tij. Ka treguar se Berisha u lind në Prishtinë më 22 shtator 1950.
Sipas biografisë, shkollën fillore dhe atë të mesme të muzikës i kreu në vendlindje, për t’i vazhduar studimet në Beograd në Degën e Dirigjimit. Magjistraturën do ta vazhdonte në Sarajevë, përderisa specializimin në Berlin në klasën e profesorit Hans Rabenschtein.
Në Prishtinë fillimisht do të punonte në Shkollën e Mesme të Muzikës e më pas në Akademinë e Arteve me t’u hapur institucioni më 1975. Më pas, më 1987, do të bëhej pjesë e Radiotelevizionit të Prishtinës në cilësinë e udhëheqësit artistik të Orkestrës Simfonike. Berisha gjatë viteve ’90 kishte vazhduar të mbante pozitat e tij në kuadër të institucioneve të asokohshme të ish-Jugosllavisë.
“Si pedagog, profesor Bajar Berisha ka pasur suksese të mëdha, duke mundësuar në këtë mënyrë edhe zhvillimin e dirigjimit dhe këndimit koral si disiplina shumë të rëndësishme për muzikën artistike te ne në Kosovë. Puna e tij e palodhshme, vullneti i jashtëzakonshëm, bënë që studentët tanë të shfaqin interesim të madh për këto lëndë dhe me ndihmën e tij arritën të kurorëzojnë studimet e tyre në fushën e dirigjimit”, ka thënë muzikologia Kryeziu.
Ajo ka përmendur se Berisha si një nga dirigjentët e rinj e të dalluar të kohës,
ka arritur të bashkëpunojë me disa orkestra, si me atë të Filarmonisë së Beogradit, të Nishit, me Orkestrën Simfonike të Mostarit e atë të Teatrit Popullor të Kroacisë në Zagreb.
“Nuk është lehtë të jesh një pionier në fushën e muzikës klasike në një mjedis që shpeshherë nuk e ka vlerësuar mjaftueshëm. Përderisa ai mund të ketë ndier disa pakënaqësi dhe vështirësi, trashëgimia e tij muzikore është një inspirim për brezat e ardhshëm”, ka thënë Kryeziu.
Muzikanti që nuk toleronte gabime as në prova
Pas saj, profesori Valton Beqiri ka kujtuar disa momente me profesorin e kolegun e tij, Bajar Berisha. Ka thënë se ai nuk toleronte gabime as në prova. Ka sjellë vëmendjen te koha kur studentët në banesën e tij dëgjonin performanca në kualitet të lartë në CD e raste të tjera. Është ndalur edhe te kthimi i Berishës në Fakultetin e Arteve më 2007. Ai pas luftës së fundit ishte tërhequr nga jeta profesionale e publike. Një periudhë kishte punuar moler. Por pas insistimit të kolegëve do t’u kthehej auditoriumeve.
“E lusja që të kthehej në Fakultet dhe ai shumë vonë me insistim shumë të madh me lutje të jashtëzakonshme ka pranuar që t’i kthehet procesit mësimor. Për këtë e falënderoj edhe profesorin Ahmet Dërguti, i cili ka qenë një ndër pikat referente të komunikimit me Bajarin. Me ardhjen e tij, disa nga studentët nga Dega e Pedagogjisë kanë diplomuar në dirigjim. Pra, ka arritur që të zgjojë te studentët një vullnet për dirigjimin”, ka kujtuar Beqiri.
Në akademinë e organizuar nga Fakulteti i Arteve ishte planifikuar të fliste e të performonte në piano profesoresha Lejla Pula. Por për arsye shëndetësore, fjalën e saj e ka lexuar kolegia Besa Luzha.
Sipas Pulës, Berisha ishte entuziast i pashoq muzikor, shquhej gjithnjë me talentin e tij burimor, muzikën e kishte profesion dhe pasion, sado i zhytur në një botë të tij shumë të sofistikuar, të veçantë dhe specifike me të cilën veçohej nga komuniteti i gjerë artistik.
“Ai arriti me afshin e tij pedagogjik t’u transmetojë fuqishëm studentëve, para së gjithash, dashurinë e madhe ndaj muzikës, e publikut tonë përjetime të mrekullueshme artistike”, ka shkruar Pula.
Ka kujtuar se si studente në vitin 1979 dhe 1980, profesor Berishën e kishte profesor të korit në Akademinë e Arteve, por nga viti 1981 deri në vitin 1989 kishte kënaqësinë të jetë soliste në piano me Orkestër disa herë nën dirigjimin dhe udhëheqjen e tij
“Paraqitja kulmore e cila mbahet mend e që ishte e shënuar dhe e veçuar si dëshmi e suksesit ndërkombëtar për artistët kosovarë të asaj kohe ishte prezantimi ynë i përbashkët në festivalin ‘Lojërat Verore të Dubrovnikut’ me Orkestrën e RTP-së në vitin 1981. Në koncertin e Dubrovnikut ai ishte dirigjent i një programi të larmishëm me vepra botërore ku unë isha soliste dhe me vepra orkestrale shqiptare të kompozitorëve kosovarë”, ka shkruar ajo.
Artist i jashtëzakonshëm jashtë modeleve
Dirigjenti e kompozitori Rafet Rudi pos prej studimeve edhe gjatë punës në RTP, kur e udhëhiqte Korin, ishin kolegë me Berishën. Rudi do të suspendohej nga puna në janar të vitit 1987 shkaku që disa herë radhazi nuk kishte përfillur urdhrin që para koncertit të interpretohej himni i ish-Jugosllavisë e më pas ai i Serbisë. Më pas, në korrik 1990 do të largoheshin dhunshëm edhe shqiptarët e tjerë. Rudi nuk qe i pranishëm në akademinë përkujtimore, por fjalën e tij e lexoi muzikologia Rreze Kryeziu.
Sipas Rudit, Berisha në punën e tij si dirigjent apo si pedagog nuk u përmbahej normave të zakonshme të veprimit e të komunikimit me orkestrantë, me studentë e me kolegë.
“Dhe kjo shoqëri e jona e cila kurrsesi nuk lejon të mos i përngjash një modeli – të imagjinuar të kultivuar e të dizajnuar nga një mentalitet i ngurtësuar në kohë nga një kulturë puritane dhe nga një mendësi gati konservative – nuk fal asnjë shmangie nga ky model, e aq më pak nuk fal ndonjë gabim eventual e të paqëllimshëm, madje përkundër talentit, nivelit profesional, përkundër rezultateve artistike evidente”, ka shkruar ai. Sipas Rudit, Berisha deri në fund të jetës nuk i kuptoi apo nuk deshi t’i kuptojëe këto kushte që shoqëria ia vendos një personaliteti publik, qoftë edhe një artisti të jashtëzakonshëm.
“Ndërkohë që po kjo mendësi, pranon me lehtësi devijime të ndryshme shoqërore dhe me lehtësi glorifikon artistë mediokër, artistë të rrejshëm e ndonjëherë edhe artistë matrapazë”, ka shkruar ai në fjalën që i është lexuar në akademinë ku interpretimet muzikore qenë të pranishme, përfshirë të famshmen “Ave Maria” të Franz Schubertit, interpretuar nga sopranoja Besa Llugiqi e shoqëruar në piano nga Valton Beqiri. Sipas Rudit, Berisha ishte, thjesht, viktimë e mospërshtatjes së duhur ndaj konvencioneve.
E ka përshkruar kolegun e tij si muziktar të gjithanshëm, intelektual të rrallë, njohës të mirë të literaturës, të filozofisë dhe disa fushave të tjera të veçanta, si asaj të mjekësisë dhe astronomisë së popullarizuar. Ka thënë se atë e ka karakterizuar modestia e shoqëruar me mungesë të afinitetit për promocion personal.
“Në fund do të thosha se natyra e tij e mospërshtatjes së rregullave të domosdoshme për një dirigjent në punën me orkestër, rrethanave fatkeqe që pat ky vend për një kohë të gjatë, si dhe ‘brutaliteti’ përjashtues dhe paragjykues i shoqërisë sonë, që rrjedh nga një mentalitet konservativ, bëri që ai të mos ketë një karrierë ndërkombëtare për të cilën ai kishte predispozita të padiskutueshme”, ka shkruar Rudi. Krejt në fund ka shtuar se përkundër aftësive dhe reputacionit të lartë që kishte në mesin e profesionistëve, Berisha nuk dirigjoi asnjëherë në kryeqytetin e Shqipërisë, dhe Tirana muzikore nuk e njihte atë.
Pas luftës së fundit, Berisha u pa rrallë në skenë edhe në Prishtinë. Dirigjoi me Filharmoninë në inaugurimin e katedrales “Nënë Tereza” dhe në koncertin përkujtimor për Bekim Fehmiun. Modestia e rrethanat shoqërore kishin bërë që ai të mos pranonte disa ftesa të tjera për dirigjim.