Mashtrimi është ndjesia e parë që krijon “Visibility Horizon” në “Galerinë 17”. Përdoret si karrem qysh në hyrje. Brenda veprat e përballin publikun me realitete të trishta mashtrimesh prej politikës deri te mediat. Janë pesë artistë nga Evropa Juglindore që galerinë e shndërrojnë në laborator të dekodimit të mashtrimeve. Ekspozita bëhet një rrugë dalëse prej këtij realiteti
Është mashtrim tipik. Bluzat e varura mbajnë QR kode. Modelet e bukura në katalog po ashtu mbajnë veshur bluzat. Është mashtrim, ku nëpërmjet vajzave të bukura kalohet diku tjetër. Në një rast kur hapet QR kodi shfaqet një prej veprave të filozofit francez me ndikim të madh në shekullin e kaluar, Michel Foucault. “Arkeologjia e dijes” shfaqet online duke ftuar vizitorin që t’ia hedhë një sy librit të botuar më 1969, që shpjegohet si një traktat mbi metodologjinë dhe historiografinë e sistemeve të mendimit dhe të dijes ku shpërfaqen rregullat që veprojnë nën ndërgjegjen e subjektit.
E ndërgjegjja e subjektit nuk preket veç te vepra e artistes serbe Kristina Janjiq. Thirrje për një ndërgjegje më të zgjuar bëjnë edhe katër artistët e tjerë që me punimet e tyre janë pjesë e ekspozitës “Visibility Horizon” që është hapur të hënën mbrëma në “Galerinë 17” në Prishtinë. Kuruar prej maqedonase Ana Frangovska, artistët e shteteve të Evropës Juglindore, secili në perspektiven e vet shoshitin realitetin që paraqitet gjithandej. Mundohen t’ia “këpusin” rrënjët e asaj që jepet si e vërtetë, në realitet është mashtrim. Janjiq këtë e bën nëpërmjet modeleve në katalog. Bluzat e varura në realitet do të duhej të ishin në trupin e modeleve. Por në këtë rast katalogu i zëvendëson ato. Vepra e saj “QR Couture Library” tregon se prapa imazheve ka një tjetër horizont. Pak para saj, në hyrje në Galerisë, me një tjetër vepër këtë e bën artisti nga Maqedonia e Veriut, Gjorgji Despodov. Filmi vizatimor “Elective Affinities” vjen si inspirim nga romani i tretë i Johann Wolfgang Goethes, botuar më 1809. Përderisa në roman tregohet historia e Eduardit dhe Charlottes, çiftit me jetë idilike e telashe të mëdha në thelb, te vepra e maqedonasit vetë artisti është personazh. Aty realiteti dhe ajo që jepet kanë një mur në mes.
Muri shfaqet te instalacioni i Sofia Dimovas nga Varna e Bullgarisë. Ajo e ka zbutur atë duke paraqitur tullat si imazh në një perde para së cilës del vetëm një këmbë dhe krijohet përshtypje që në anën tjetër është i gjithë trupi. Por në realitet qëndron vetëm këmba që vjen si intro e një lajmi të rremë. E lajmet e rreme janë tema bosht e krejt ekspozitës ose thënë ndryshe: mashtrimi me imazhe.
Dimova ka thënë se i ka pëlqyer shumë koncepti pasi ajo thotë se gjithnjë mundohet të jetë më fondamentale me vepra social-politike.
“Tema ka rezonuar shumë me nevojën time të të shprehurit. Është simboli i murit të tullave, por vjen si perde. Nëpër shekuj kemi parë se muri është parë si simbol mbrojtës, por nuk është ashtu. E vërteta është se ai është objekt që sjell ndarje”, ka thënë ajo. Ka treguar se ka dashur që në këtë rast muri të jetë perde pasi është mjet më i lehtë i manipulueshëm.
“Matanë është një lloj trupi dhe gjithsecili mund ta interpretojë në mënyrën e vet. Është për konfliktet, luftërat e ndaljet e njerëzve që nuk na duhen”, ka thënë ajo.
Në 7 minuta video artistja greke, Elia Kalogianni, sjell para publikut një realitet që nuk shihet. Nëpër ujërat e Perusë për 12 orë barten kafshët për t’u shitur si mish. Zakonisht përfundojnë të ngordhura deri në destinacionin e fundit, gjë që nuk dihet nga konsumatorët.
“Me këtë vepër kam dashur të tregoj apo të pyes se si i trajtojmë kafshët pa dëshirën e tyre e pastaj edhe ju tregoj atyre që hanë mish se duhet ta dinë nëpër çka kalojnë kafshët për të përfunduar në barkun tonë”, ka thënë ajo.
Artisti nga Kosova, Valdrin Thaqi, provokon me një aeroplan të ngujuar nën strukturat e betonit. “Prototipet” sjell një realitet të krijuar në kokë. Është njëfarë konstrukti që mundohet të dekonstruktojë realitetet. Sipas përshkrimit që i bëhet veprës, struktura e betonit e pozicionuar në majë të aeroplanit paraqet një element të fortë stabiliteti.
“Si material shpesh i lidhur me qëndrueshmërinë ai sugjeron një kontrast midis natyrës kalimtare të forcës së qëndrueshme formësuese të strukturave shoqërorë”, shkruhet në përshkrimin e konceptit të veprës.

Për kuratoren Ana Frangovska në regjion shoqëritë dhe shtetet duhet të jenë më të hapura ndaj njëra-tjetrës. Sipas saj, shtetet e kësaj pjese të Evropës janë shumë afër njëra-tjetrës dhe fatkeqësisht vazhdimisht janë në kërkim të të bërit pjesë e Perëndimit dhe e harrojnë veten brenda rajonit.
“Gjithmonë është pyetje se si dikush tjetër i krijon horizontet tona, a janë ato horizonte që në i kërkojmë vërtet ose është diçka që dikush tjetër i ka krijuar për ne dhe ne jemi duke i ndjekur. Kështu që është çështje e pyetjeve në disa dimensione. Nuk është vetëm një anë e shikimit të gjërave. Ka ndërlidhje me politikën, ekologjinë, se sa të mëdhenj ose të vegjël ndihemi diku, nëse ndihemi të huaj apo pjesë e një hapësire, flet për identitetin tonë, teorinë, praktikën e ndjenjat e ndryshme që i ndajmë të gjithë”, ka thënë ajo.
Sipas Frangovskas, shoqëritë sot janë pjesë e një matrice që dikush e ka bërë. Ka thënë se në kohën moderne arti ka rëndësi të madhe.
“Në tri dekadat e fundit arti bashkëkohor ka ndikim të madh në jetën sociale, politike e ekonomike. Artistët përdorin metoda të ndryshme për të kritikuar. Janë të drejtpërdrejtë dhe nuk ofendojnë”, ka thënë ajo.
Në konceptin e saj për ekspozitën, meqenëse politika është mbuluar nga bindje të rreme, e vërteta dhe politika duken vështirë për t'u përmbushur. Sipas saj, lajmet e rreme i paraprijnë gazetarisë moderne, e cila kërkon saktësi dhe qartësi. Në tekstin kuratorial ka shkruar se narrativat e shkencës dhe të historisë që vënë në dyshim shpjegimet e bazuara në prova “kanë përdorur shpesh ‘alternativa të rreme’”.
“Në të kaluarën, mashtrimi në shkallë të gjerë nënkuptonte përpjekje masive të propagandës për të mashtruar të gjithë. Kjo u bë e mundur nga kombinimi i burimeve të informacionit dhe aftësisë së paprecedent të subjekteve të fuqishme si qeveria, kompanitë dhe mediat për të ndryshuar realitetin për qëllimet e tyre”, shkruhet në koncept.
Krejt ekspozita sillet brenda këtij koncepti. Bëhet thirrje për dekodim të asaj që shihet. Bash sikurse të rasti i modeleve ku nëpërmjet një skanimi dalin në pah vepra filozofike a romane me peshë e gjurmë në zhvillimet globale. Kërkohet të bëhet një lloj arkeologjie në atë që paraqitet. Një lloj arkeologjie e dijes, siç do ta titullonte Foucault veprën e tij para 55 vjetësh.