Kronikë

Top Kolshi një vit më herët e kishte goditur Enver Bajraktarin me gyp, ishte dënuar me 800 euro

Top Kolshi

Top Kolshi i cili po dyshohet për vrasjen dhe groposjen e tani të ndjerit Enver Bajraktari, në vitin 2024 ishte dënuar nga Gjykata në Lipjan me 800 euro gjobë për akuzën se më 25 gusht 2022 në Baicë të Lipjanit i kishte shkaktuar lëndime trupore Bajraktarit, duke e goditur me gyp plastike.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të marrë më 8 tetor 2024, në të cilin thuhet se Kolshi u shpall fajtor dhe u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me 800 euro gjobë.

Sipas vendimit, më 25 gusht 2022 në fshatin Baicë, Komuna Lipjan, pas një mosmarrëveshjeje paraprake mes Top Kolshit dhe tani viktimës Enver Bajraktari, Kolshi e godet me gyp plastike në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

“Me datë 25.08.2022, rreth orës 08:30 në fshatin B. në L., pas një mosmarrëveshje paraprake që kishin ndërmjet veti, i pandehuri T. K., me dashje dhe qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore e godet të dëmtuarin E. B., me gyp të plastikës në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, mjet ky i rrezikshëm që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit”, thuhet në këtë vendim.

Në vendim thuhet se Kolshi më pas e kishte goditur Bajraktarin edhe me shuplakë, duke i shkaktuar skuqje dhe ënjte të lehtë.

“…i dëmtuari si rezultat i goditjeve ka pësuar skuqje dhe ënjtje të lehtë, gjakderdhje nën lëkurore në krah, 3 hematoma në shpinë, 5 hematoma në vithe, 3 hematoma në këmbën e majtë, 2 hematoma në kokë  si dhe skuqje dhe gërvishtje e veshit të djathtë, lëndime këto të shkaktuara nga goditja me mjet të fortë mbretës, që si të tilla, paraqesin DËMTIME TË LEHTA TRUPORE me pasoja të përkohshme të shëndetit”, thuhet në vendim.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Top Kolshi ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjithnjë sipas vendimit, Kolshi në shqyrtim fillestar kishte pranuar fajësinë, ishte shprehur i penduar dhe i kishte premtuar Gjykatës se nuk do t’i përsërisë ato veprime. Kishte thënë se është pajtuar me tani të ndjerin Bajraktari.

“Në shqyrtimin fillestar i pandehuri ka deklaruar se e ndien veten fajtor dhe e pranon fajësinë me vullnetin e tij, pa presion, me vetëdije të plotë. Është shprehur i penduar, i vjen keq që është në gjykatë, pas dy-tri dite ka deklaruar se është pajtuar me Enverin dhe me familjen e tij. Gjykatës i ka premtuar se nuk e përsërit me këtë vepër penale dhe nuk e ka përsëritur dhe është duke punuar në bujqësi për familje si dhe për veten. I ka premtuar gjykatës se kjo nuk do të ndodhe më”, thuhet në atë vendim.

Për pranimin e fajësisë, në vendim thuhet se ishte pajtuar edhe avokati i Kolshit, Halim Shala, duke e lutur gjykatën që me rastin e sanksionit penal të ketë parasysh gjendjen ekonomike të të akuzuarit, pajtimin me palën e dëmtuar dhe premtimin që në të ardhmen nuk do të përsërisë veprime të tilla të cilat bien ndesh me ligjin.

Kurse, prokurorja e shtetit, Nebahate Salihu nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë, duke propozuar që Kolshi të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar, si dhe ka propozuar që me rastin e matjes së dënimit si rrethanë lehtësues të marrë pranimin e fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese shkallën e lartë të dashjes për kryerjen e veprës penale.

Më pas, Gjykata kishte aprovuar pranimin e fajësisë të bërë nga Kolshi, duke e dënuar me 6 muaj burgim e që me pëlqimin e vetë të akuzuarit dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me 800 euro gjobë. Aty përmendet që Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit mori parasysh edhe faktin se i akuzuari ka qenë i dënuar edhe më parë.

Më pak se një vit pas këtij dënim, Top Kolshi dyshohet se ka vrarë dhe groposur personin të cilit akuzohej se i kishte shkaktuar lëndime trupore, Enver Bajraktarit, duke e vrarë dhe groposur në Baicë të Lipjanit mes datave 3 dhe 4 gusht 2025.