Policia e Kosovës ka arrestuar në orët e para të së premtes një shtetas turk që kërkohej nga Maqedonia e Veriut nën dyshimin se ka kryer një vrasje një ditë më parë në Shkup.
Siç ka njoftuar Policia, identifikimi dhe arrestimi i tij u bë nga njësiti për bashkëpunim ndërkombëtar policor.
“Sot me datë 02.01.2026 rreth orës 00:30, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare, kanë bërë identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, shtetas turk, i kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për veprën penale ‘Vrasje’ e ndodhur një ditë me herët në qytetin e Shkupit”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, para procedurave të tjera ligjore.
Siç kanë raportuar mediat në Maqedoni të Veriut, një person kishte vdekur si pasojë e therjes me thikë në natën e Vitit të Ri në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.