Kronikë

Të aksidentuarit në Slivovë në gjendje të rëndë, ishin të angazhuar në zgjedhje

Aksident

Foto ilustrim

(E përditësuar 13:00) - Pesë persona që pësuan aksident trafiku të premten mbrëma në fshatin Slivovë të Ferizajt pas përplasjes me një autobus ishin pjesë e stafit zgjedhor, të angazhuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se të lënduarit janë anëtarë të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Ferizaj dhe se aksidenti ndodhi rreth orës 18:17, gjatë kohës që ata po kryenin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas njoftimit të KQZ-së, gjendja shëndetësore e katër prej tyre është e rëndë, ndërsa aktualisht po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Institucioni ka bërë të ditur se për detaje të mëtejshme lidhur me shëndetin e tyre, duhet të kontaktohen autoritetet mjekësore përkatëse.

KQZ ka shprehur shqetësimin dhe keqardhjen për ngjarjen, duke u lutur për shërimin e shpejtë të zyrtarëve të lënduar.

“Pesë zyrtarët ishin të angazhuar me përkushtim të lartë në përmbylljen e procesit zgjedhor në komunën e Ferizajt. Mendimet dhe përkrahja jonë janë me anëtarët e KKZ-së dhe familjet e tyre”, thuhet në reagimin e KQZ-së.


Përplasen vetura e autobusi në Slivovë, katër të lënduar dërgohen në QKUK

(12:12) - Pesë persona kanë pësuar lëndime pas një aksidenti mes një veture dhe një autobusi në fshatin Slivovë-Ferizaj. 

Shoferi i veturës dhe katër pasagjerët janë lënduar. Katër të lënduar janë dërguar në QKUK nga Emergjenca  e Ferizajt. 

“Me datën 17.10.2025 në ora 18:17 në rrugën magjistrale, fshati Slivovë-Ferizaj Aksident trafiku me lëndime trupore ku në këtë aksident trafiku ishin të përfshira dy automjete: një veture dhe një autobus me targa vendore me shoferët M.SH.K. Veç dëmeve materiale lëndime trupore pësojnë shoferi i veturës dhe katër pasagjeret, te cilët pas trajtimit mjekësor në emergjencën e Ferizajt, katër persona dërgohen ne Q.K.U.K-Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, njoftoi Policia.

Ndërkohë, Blerton Jakupi nga LDK-ja në Ferizaj ka thënë se pesë të lënduarit janë anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor. Në Facebook të shtunën ka shkruar se një prej të lënduarve është në gjendje kome.