Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën Komoran – Carralevë. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se dyshohet se ngasësi i automjetit në lëvizje ka humbur kontrollin dhe ka goditur disa vetura të parkuara.
Vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Komoran - Carralevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet në lëvizje, ngasësi i të cilit për shkaqe akoma të panjohura ka humb kontrollin dhe ka goditur disa automjete të parkuara. Si pasojë e aksidentit ngasësi i automjetit ka humbur jetën. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”, ka njoftuar Ahmeti.
Të hënën në një aksident te ura në Komoran, ku u përfshin 6 vetura, humbi jetën një person dhe u lënduan nëntë tjerë.