Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve L.B., L.M. F.M. dhe Sh.Gj, për shkak të veprës penale “Grabitja” dhe kundër të pandehurit L.M. për armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, të pandehurit me datën 21.05.2025 në mbrëmje në Pejë, duke vepruar si anëtarë të grupit, me armë dhe me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze, grabisin pompën e derivateve DHF në Pejë.
“...Ashtu që të njëjtit fillimisht sigurojnë një armë të gjatë, pastaj me veturën e njërit prej të pandehurve, shkojnë në vendin e ngjarjes, i vendosin maskat në kokë, dalin nga vetura me armë, futen brenda në marketin e pompës dhe nën kërcënimin e armës dhe kanosjes serioze, punëtorit të kësaj kompanie i marrin shumën prej 905€, pastaj kthehen në veturë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa paratë i ndajnë përgjysmë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim të Prokurorisë thuhet se prokurori ka kërkuar edhe konfiskimin e veturës Golf II, parave të gjetura te të pandehurit (575 euro), konfiskimin e armës dhe lëshimin e urdhrit për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar të dëmtuarit si rezultat i veprës penale.