Një person është ndaluar lidhur me të shtënat në Prishtinë mbrëmjen e së martës që çuan në vdekjen e dy personave. Ndërkaq, katër të tjerë të dyshuar janë ende në kërkim, i ka thënë KOHËS kryeprokurori Zejnullah Gashi.
Një prej viktimave ishte një 30-vjeçar që vdiq atë mbrëmje në vend, kurse një 48-vjeçare vdiq të mërkurën pasi e plagosur ishte dërguar në QKUK.
Policia të mërkurën ka bërë të ditur se 48-vjeçarja e cila u vra, nuk ishte pjesë e palëve të përfshira në rast, por në momentin e të shtënave “ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj”.
Ndërkohë, Policia e Kosovës përmes faqes zyrtare të saj në Facebook ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve që kërkohen si të përfshirë direkt me vrasjet. PK-ja ka kërkuar ndihmën e çdokujt për informacion lidhur me vendndodhjen e të dyshuarve.
“Personat e dyshuar Ahmet (Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha kërkohen për veprën vrasje e rëndë që ka ndodhë mbrëmë”, thuhet në njoftim.