Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për policin e Njësisë Speciale Operative në Mitrovicë, M.L. nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare, armëmbajtje pa leje e përdorim të armës.
Sipas një njoftimi për media nga kjo prokurori, dyshohet se M.L. ka keqpërdorur detyrën si polic duke e marrë dhe larguar nga shtëpia të pandehurin me inicialet K.M. Ky i pandehur dyshohet se më 18 qershor e kishte kontaktuar policin duke marrë konfirmim se nëse ai po hetohet nga policia, zyrtari policor do ta njoftojë me kohë.
“Ekziston dyshimi se me datë 02 shtator 2025 në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, i pandehuri me dashje e duke e shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar si zyrtar policor, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personin tjetër, shkon tek shtëpia e të pandehurit K.M., dhe e merr dhe e largon nga shtëpia duke shkuar në drejtim të Prishtinës. Po ashtu, me datë 18 qershor 2025 i pandehuri M.L., kontaktohet përmes telefonit nga i pandehuri K.M., i cili e vëren një dron mbi shtëpinë e tij dhe e pyet të pandehurin M.L., se a është duke u hetuar nga policia, i dyshuari – zyrtar policor e informon se në rast kur ai është duke u hetuar ose të ketë veprime tjera do ta njoftojë”, thuhet në njoftim.
Ky polic dyshohet se në shtëpinë e tij ka mbajtur edhe fishekë dhe se me armën e tij ka shkrepur 7-8 herë brenda një lokali.
“Po ashtu, i pandehuri M.L., në shtëpinë e tij në Vushtrri ka mbajtur një sasi të fishekëve, si dhe në një lokal nate i njëjti përdor armën e tij duke shtënë brenda lokalit shtatë – tetë here, si dhe një ditë tjetër shihet duke shtënë tre herë, pamje këto të publikuara nëpër rrjete sociale, të gjitha këto veprime në kundërshtim me Ligjin mbi armët”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të pandehurit gjatë bastisjes të mërkurën i janë sekuestruar edhe dy telefona dhe fishekë.