Kronikë

Kërkohen 30 ditë paraburgim për zyrtarët policorë të arrestuar në veri

30 ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria Speciale e Kosovës për zyrtarët policorë të arrestuar një ditë më parë gjatë një aksioni policor në veri të Mitrovicës.

Seanca për caktimin e masës ndaj 19 zyrtarëve policorë ka zgjatur me orë të tëra.

Para gjykatës kanë dalë edhe 11 qytetarë të arrestuar gjatë këtij aksioni, të cilët dyshohet se ishin pjesë e këtij grupi kriminal, raporton KTV.

Në gjykatë, shumica e zyrtarëve policorë, përfshirë edhe komandantin e stacionit policor në Zubin Potok, janë sjellë të prangosur.

Por, avokatët thonë se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit nuk është e bazuar në prova.

Avokati i Mahmut Halimit ka thënë se vepra penale për të cilën dyshohet klienti i tij tashmë është e parashkruar.

Njëkohësisht në Mitrovicë, Prokuroria Themelore ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 6 qytetarët e arrestuar gjatë aksionit të djeshëm.

Ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar”.

Kjo prokurori, gjithashtu, përmes një kërkesë zyrtare drejtuar MPJ-së, ka kërkuar nga misioni i UNMIK-ut që t’i hiqet imuniteti shtetasit rus për shkak të procedurës penale ndaj tij.

Ndërsa të martën, Inspektorati Policor, në orët e pasdites, ka arrestuar edhe një zyrtare policore me inicialet B.T., e cila gjithashtu ishte pjesë e këtyre hetimeve.