Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë suspendimin edhe të shtatë policëve për një rast dyshimi për keqtrajtim në stacionin policor të Podujevës që ndodhi muajin e kaluar.
Fillimisht, më 10 nëntor ishin suspenduar katër policë që dyshohet se kishin keqtrajtuar dy qytetarë, një prej tyre i mitur, brenda stacionit policor në Podujevë ku ishin në ndalim.
Hetuesit e IPK-së më pas zgjeruan hetimet dhe arritën në përfundimin se në këtë rast dyshohet se janë të përfshirë edhe shtatë policë – gjashtë me detyrë në stacionin policor në Podujevë dhe një në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. Për ta është rekomanduar suspendimi.
Gjashtë policë dyshohet për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” kurse ndaj një togeri policor ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
“Bazuar në veprimet hetimore deri në këtë fazë janë identifikuar 11 zyrtarë të dyshuar lidhur me rastin e njëjtë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.