Kronikë

Gjinekologu Veliu thotë se nuk i di motivet e sulmit ndaj tij

Gjinekologu Afrim Veliu

Afrim Veliu

Gjinekologu Afrim Veliu ka thënë se nuk i di motivet mbi sulmin ndaj tij, pasi të martën mbrëma u godit me një mjet metalik derisa po futej në veturë në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci u shpreh se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur.

“Mbrëmë rreth orës 21:30, është raportuar për një sulm fizik, të ndodhur në rrugën “Henry Dunant” në lagjen Ulpiana të Prishtinës. Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur. Viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa motivi i sulmit mbetet i panjohur”, tha Borovci.

Ai shtoi se Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur  ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, gjinekologu Veliu ka thënë se është mirë dhe se sulmi nuk ndërlidhet me punën e tij dhe se nuk ka dyshim për ndonjë person apo për ndonjë çështje.

“Nuk i di motivet, për besë. Po më duket e rastësishme më shumë. Mirë jam shumë, super”, ka deklaruar Veliu. /BetimipërDrejtësi