Kronikë

Dy persona gjenden të vdekur në një vilë në Pejë

Shiriti i policisë - Policia - Aksident

Foto: Ilustrim

Dy persona janë gjetur të vdekur të martën në një vilë në Pejë. 

Rastin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi tha se bëhet fjalë për një burrë e një grua. 

"Rreth orës 15:10 policia është informuar se në rrugën e KFOR-it se dyshohet se dy persona në një vilë janë pa shenja jete. Policia dhe ekipi i emergjencës ka dal në vendin e ngjarjes, ku vdekja e dy personave është konstatuar nga mjeku kujdestar. Viktimat janë njëri i gjinisë mashkullore dhe tjetra e gjinisë femërore”, ka thënë Gashi.

KOHA nga burimet e saja ka mësuar se mosha e viktimës së gjnisë mashkullore është 30 vjeç.

Ndërkohë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se janë siguruar prova e njëkohësisht janë identifikuar dëshmitarë ndërsa janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t'i kuptuar shkaqet e vdekjes së viktimave.

“Në vendin e ngjarjes ka dalë kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës së bashku me atë të Krimeve të Rënda, Hetimet Rajonale dhe të gjitha njësitë relevante policore. Janë dy viktima, një mashkull e një femër. Në vendin e ngjarjes janë siguruar prova dhe njëkohësisht identifikuar dëshmitarë dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të kuptuar më shumë rreth shkaqeve të vdekjes së dy viktimave”, ka thënë Nikçi për KOHËN.