Kronikë

Arsyetimi i Supremes me të cilin e kthen në rigjykim dënimin për Nrecajn, që vrau ish-gruan dhe vajzën

Për vrasjen e dyfishtë të kryer ndaj gruas dhe vajzës së tij, Pjetër Nrecaj përsëri do të dalë para gjykatës.

Kjo, pasi këtë të hënë, Gjykata Supreme ka anuluar vendimin e Apelit, e cila e kishte dënuar Nrecajn me burgim të përjetshëm.

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, pranimi i fajësisë nga Pjetër Nrecaj është në kundërshtim të plotë me dispozitivin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë

“Pjetër Nrecaj akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, e cila kryhet në rastet kur me dashje kryhen dy apo më shumë vrasje, kurse deklarimi i tij është vetëm përkitazi me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, ashtu që i akuzuari pas leximit të aktakuzës dhe pas konsultimit me mbrojtësin e tij, kishte deklaruar se: “E pranoj fajësinë për vrasjen e ish-gruas time, mirëpo vajzën e kam vrarë aksidentalisht”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Sipas vendimit të Supremes, Gjykata Themelore duhet të nisë nga shqyrtimi fillestar, duke mos e pranuar fajësinë në rrethana të një deklarimi të ngjashëm nga ana e të akuzuarit në raport me vrasjen e vajzës së tij.

“Çështja të kalojë në shqyrtim gjyqësor, për të sqaruar rrethanat e vrasjes në aspektin subjektiv-forma e fajit, e pastaj të marrë një vendim të drejtë dhe të ligjshëm në këtë çështje penalo-juridike”, thuhet në këtë vendim.

Rrjeti i Grave të Kosovës konsideron se kthimi në rigjykim për këtë rast, ndikon drejtpërsëdrejti në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë për viktimave e dhunës në familje.

Por, rasti i Nrecajt nuk është rasti i vetëm me burgim të përjetshëm që në Kosovë është rikthyer në rigjykim.

Janë edhe dy raste të tjera të vrasjeve që tashmë janë në proces të rigjykimit.

KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim nga ana e familjes së viktimës Valbona Marku dhe avokatit mbrojtës, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.

Pjetër Nrecaj fillimisht, ishte dënuar me 24 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Gjakovë për vrasje të gruas dhe vajzës së tij 9-vjeçare në gusht të 2018-s.

Por, më pas, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar këtë vendim, duke e dënuar Nrecajn me burgimin më të lartë që parashihet me ligjet e Kosovës.

Sipas vendimit të Apelit veprimet e Pjetër Nrecajt ishin ricilësuar si “Vrasje e rëndë dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm”.