Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për gjuajte me armë zjarri në rrugën e Gjilanit, në Prishtinë. Sipas njoftimit të Policisë, atyre iu janë konfiskuar edhe armët e përdorura.
“Policia e Kosovës sot ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë, dhe menjëherë ka reaguar duke angazhuar njësitet përkatëse policore. Zyrtarë policorë nga Stacioni Jugu dhe nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale kanë arrestuar katër persona të dyshuar dhe kanë sekuestruar armët e përdorura në këtë rast. Pas veprimeve të mëtejme hetimore, Policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë edhe personin e pestë të dyshuar, nga i cili është sekuestruar një armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.