Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.K., i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga 13 marsi për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Sipas aktakuzës, E.K. që nga muaji korrik i vitit 2023 dhe në vazhdimësi ka pranuar dhe kontraktuar shuma dukshëm jo-proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare, papërvojën dhe paaftësinë e tij për të gjykuar.
Nga korriku E.K. ia kishte dhënë V.Q. 5 mijë euro me 15% kamatë, duke e obliguar t’ia kthejë 6 mijë euro. Brenda një kohe të shkurt ia dha edhe dy herë nga 10 mijë euro me 20% kamatë – për t’ia kthyer më pas viktima gjithsej 24 mijë euro. Pas këtyre të hollave, viktima merr edhe 25 mijë euro dhe për shkak të vonesave detyrohet të paguajë 40 mijë euro duke vazhduar të paguajë nga 6 mijë euro kamatë për muaj, çka bën që vlera totale të arrijë në 51 mijë.
Përveç të hollave, viktima pajtohet që nga i pandehuri ta blejë edhe një veturë që pas tre muajve ta paguante me 38 mijë euro me këstin e parë prej 8 mijë euro. Por, edhe pas pagesës së këstit, i pandehuri ia mori veturën dhunshëm duke e obliguar që të paguajë shtesë edhe 6 mijë euro.
Si rrjedhorë V.Q. ka hedhur në shitje dy banesa të tij për të mbuluar humbjet financiare, ku i pandehuri i shkaktoi humbje financiare rreth 100 mijë euro – me 48 mijë eurot që i detyrohet nga fajdeja.
“Policia ka sekuestruar një shumë të të hollave prej 8,985.00 € (Tetëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë euro); 580.00 CH (Pesëqind e tetëdhjetë franga zvicerane); 1,000.00 $ (Njëmijë dollarë amerikanë) dhe 17,700.00 Lekë shqiptare si dhe një veturë për të cilat prova, ekziston dyshimi i bazuar mirë se janë dobi pasurore e fituar me kryerjen e veprës penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.