Futboll

Vetëm tre vjet më parë në Itali u lejuan futbollistet profesioniste, tani ato janë në gjysmëfinale të Evropianit

italia

(AP) – Italia është një fitore larg finales së Kampionatit Evropian të futbollisteve, ndonëse tri vjet më parë lojtaret italiane nuk mund të merrnin kontrata profesionale në vendin e tyre.

Nuk është befasi që kapitenia Christina Girelli ishte në lot pasi me dy gola udhëhoqi Italinë drejt fitores 2:1 ndaj Norvegjisë në çerekfinale. Italia luan në gjysmëfinale të Evropianit për herë të parë pas 28 vjetësh.

Gjysmëfinalja Angli – Itali zhvillohet të martën prej orës 21:00 në Gjenevë. Anglia është kampione në fuqi e Evropës.

“Është gëzim i madh të jesh në mesin e katër ekipeve më të mira në Evropë. Është një gëzim që duam ta ndajmë sepse e dimë se sa e rëndësishme është të sjellim në shtëpi rezultate të mira, sidomos për gjeneratën e re”, ka thënë Girelli, pasi fshiu lotët nga sytë.

“Qartë se duam ta bëjmë për lavdinë tonë. Por ka një kuptim shumë më të thellë, që është se edhe gratë në Itali mund të luajnë futboll”, ka shtuar kapitenia italiane.

Sigurisht se ato munden, por futbollistet në Itali nuk kanë shpresuar të fitojnë shumë para deri në vitin 2022. Deri atë vit futbolli i grave dhe vajzave në Itali kishte status plotësisht amator.

Në prill të vitit 2022, Bordi Ekzekutiv i Federatës italiane miratoi rregullore të reja për të hapur rrugën për një epokë profesionale të futbollisteve, që startoi më 1 korrik të atij viti.

Një ligj italian i vitit 1981 kufizonte futbollistet në Itali në status amator. Kjo do të thoshte që ato nuk mund të fitonin më shumë se 30 mijë euro në vit.

Përfitime të tilla si kontributet e sigurimeve shoqërore, një fond në fund të karrierës, pensioni, mbrojtja mjekësore nga lëndime dhe leja e lindjes ishin një ëndërr e largët.

35-vjeçarja Girelli dhe shumë nga bashkëlojtaret e saj tek Italia e kanë përjetuar nga afër ndryshimin. Disa prej tyre janë detyruar të bëjnë punë të mikrëpritjes për të përkrahur karrierën në futbollit.

“Kishte vite kur kemi vuajtur shumë”, ka thënë Girelli.

Përpjekja për të kaluar në profesionalizëm pasoi arritjen e befasishme të përfaqësuese italiane, që u paraqit në çerekfinale të Kupës së Botës në vitin 2019. Ndryshimi u ndihmua po ashtu nga klube të mëdha si Juventusi, Milani, Interi, Roma dhe Lazio që filluan të investojnë më shumë në ekipet e futbollisteve.

Progresi ishte më i vogël se në vende si Anglia, Franca dhe Spanja. Por Italia po jep shenja se po e kap ritmin në skenën ndërkombëtare.

Nën udhëheqjen e trajnerit Andrea Soncin, Italia po dëshmon se mund të përballet me përfaqësueset më të mëdha. Rritja kulmoi me arritjen në gjysmëfinale të Evropianit në Zvicër. Për herë të fundit në këtë fazë Italia ishte në vitin 1997, kur u kualifikua në finale.

“Është diçka magjike. Por të them të vërtetën kam ndier diçka magjike që kur arritëm në Zvicër. Që kur trajneri mori drejtimin e këtij ekipi kam ndier diçka të veçantë. Dhe, e dini, gratë nuk gabojnë në ndjenjat e tyre”, ka thënë kapitenia italiane duke buzëqeshur.

Plot 2,4 milionë shikues televizivë në Itali, përkatësisht 16,2 për qind e teleshikuesve, ndoqën ndeshjen ndaj Norvegjisë. Për gjysmëfinale përqindja pritet të jetë dukshëm më e lartë.

“Shpresojmë se kjo dashuri, kjo përzemërsi, kjo atmosferë që po na vjen nga Italia, të mos zhduket. Shpresoj me gjithë zemër sepse kemi luftuar për të arritur këtu. Kemi arritur diçka të mahnitshme, diçka të jashtëzakonshme dhe sido që të shkojë, shpresoj vërtet të vazhdojë të ushqejë këtë pasion, këtë dashuri për ne”, ka theksuar Girelli.

Në gjysmëfinalen tjetër përballen Gjermania e Spanja. Kjo gjysmëfinale zhvillohet të mërkurën nga ora 21:00.