Në edicionin e kaluar Fisnik Asllani ishte nën urdhrat e trajnerit Horst Steffen tek Elversbergu. Asllani ishte i huazuar për një vit tek Elversbergu nga Hoffenheimi.
Tashmë trajneri gjerman, Steffen, është emëruar shef i shtabit teknik te Werder Bremeni, klubi i Bundesligës.
Ka kohë që raportohet se Asllani mund të bashkohet me Steffenin te Werderi.
Steffen në konference për shtyp është pyetur për reprezentuesin e Kosovës, Asllanin, dhe për mesfushorin e talentuar gjerman, Paul Wanner.
“Ata janë djem shumë interesantë, djem që më pëlqejnë dhe me të cilët kam pasur një marrëdhënie të mirë pune. Çdo gjë tjetër mbetet për t’u parë. Mendoj se djemtë që më njohin nuk kanë nevojë për më shumë bindje”, ka thënë Steffen.
Futbollisti i talentuar, Asllani, shkëlqeu në kategorinë e dytë të futbollit gjerman. E mbylli edicionin me Elversbergun me 18 gola e nëntë asistime.
22-vjeçari Asllani me Hoffenheimin ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm.