Blick – Të hënën mbrëma Granit Xhaka udhëtoi për në Sunderland së bashku me gruan, babanë dhe agjentin e tij. Të martën iu nënshtrua kontrollimeve mjekësore para kompletimit të transferimit te klubi i kthyer në Premier League. Kontrata është e vlefshme deri në vitin 2028. Sunderlandi do të transferojë 15 milionë euro te Bayer Leverkuseni dhe pesë milionë euro të tjera si bonuse të mundshme.
Transferimi ka të bëjë me pjesën gjermanofolëse të Zvicrës. Pronari i Sunderlandit, Kyril Louis-Dreyfus (27), që ka selinë në Zurich, e ka bindur personalisht kapitenin e ekipit nacional të Zvicrës në bisedat telefonike. E ka bindur për projektin e tij me Sunderlandin dhe planin për 32-vjeçarin. Aq shumë është bindur Xhaka saqë ai dha sinjale të hershme për transferim në Sunderland e jo në Arabi Saudite e Turqi.
Sipas të dhënave të “Blick”, Xhaka do të ketë të hyra vjetore neto prej 4.5 milionë euro për kthimin e tij në Premier League. Mesfushori do ta udhëheqë skuadrën si brenda ashtu edhe jashtë fushës dhe do të jetë kapiten i Sunderlandit në të ardhmen.
Bashkëlojtarët e rinj të Xhakës janë të rinj, por shumë të talentuar. Mosha mesatare e skuadrës është 24 vjet. 32-vjeçari nga Baseli pritet të plotësojë mozaikun. Pritet të ofrojë mentalitetin e duhur, dëshirën për fitore, kontrollin e topit. Po ashtu prej tij priten kualitete të liderit, që të ndihmojë të rinjtë e talentuar në ligën më të mirë në botë.
Në ishull, pronari i ri i Sunderlandit, Louis-Dreyfus, po lavdërohet për angazhimin e Xhakës. Ekipi i promovuar përballet me betejë të fortë për të shmangur rënien. Sunderlandi megjithatë ka arritur të sigurojë një lojtar që jo vetëm e di se si funksionon Premier League, por ishte njëri prej atyre që bëri diferencën në Bundesligë pas largimit nga Arsenali.
Pas tetë vjetësh në kategoritë e ulëta, qyteti port i Sunderlandit nuk dëshiron t’i thotë lamtumirë Premier Leagues menjëherë. Skuadrat e promovuara në dy vjetët e kaluar u larguan menjëherë nga Premier League. Nuk mbijetoi asnjëra.
Për të arritur këtë Louis-Dreyfus jo vetëm që ka siguruar Xhakën për 20 milionë euro, por ka angazhuar edhe pesë futbollistë të talentuar evropianë. Mori lojtarë prej 20 deri në 25 vjet nga Anglia, Franca dhe Belgjika. Për ta ndau 110 milionë euro. Por fundi është larg. Sunderlandi synon përforcime të tjera për ta bërë realitet misionin për mbetje në Premier League.
Në Gjermani lëvizja e Xhakës nuk po kuptohet shumë.
“Ka preferuar të luftojë për mbetje në elitë në Angli, në vend se të luajë në Ligën e Kampionëve me Leverkusenin. Largimi pa dyshim lë një shije të hidhur”, ka shkruar “Eurosport”. “Bild” e ka vlerësuar lëvizjen si “katastrofë”.
Me largimin e Xhakës, që ishte transferimi më i madh i verës së vitit 2023, e gjithë skuadra që do të synonte tjetër titull te Leverkuseni, po shembet. Lideri i mbrojtjes, Jonathan Tah, organizatori Florian Wirtz dhe sulmuesi i krahut, Jeremie Frimpong, janë larguar tashmë. Kapiteni Lukas Hradecky po ashtu po e konsideron një lëvizje.
Xhaka pritej të ishte lider i riorganizimit. Por tani Bayeri duhet të rindërtohet. Kohë nuk ka shumë. Edicioni i ri në Bundesligë fillon pas tri javësh.
Xhaka mund ta luajë ndeshjen e parë me skuadrën e re menjëherë të shtunën. Do të jetë miqësorja ndaj Real Betisit. Në ndeshjen e parë garuese, Sunderlandi do të përballet me West Ham Unitedin në xhiron e parë të Premier Leagus, më 16 gusht. Për Xhakën do të jetë ndeshja e 226-të në elitën angleze.