Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e lavdëroi Lamine Yamalin, pasi adolesheni shënoi gol të shkëlqyer për ta udhëhequr rikthimin e skuadrës së tij në ndeshjen e vështirë ndaj Interit. Skuadra italiane ishte duke udhëhequr 2:0 e më pas edhe 3:2, por ndeshja e së mërkurës mbrëma përfundoi 3:3. Ishte gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve.
Me vetëm 17 vjet e 291 ditë, Yamali e luajti ndeshjen e 100-të në nivelin e të rriturve. Ai u bë lojtari më i ri që ka shënuar gol në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Rekordin deri të mërkurën mbrëma e mbante Kylian Mbappe, që kishte shënuar kur ishte 18-vjeçar, në vitin 2017.
Goli mahnitës pas veprimit individual të reprezentuesit të Spanjës, i dha jetë lojës së katalunasve, që ishin duke pësuar 2:0 në ndeshjen në shtëpi.
Yamali e goditi shtyllën dy herë, ndërsa vazhdimisht i shkaktoi telashe mbrojtjes së Interit, në një paraqitje impresive.
“Lamine na tregoi rrugën me atë gol të mahnitshëm. Ishte shumë e rëndësishme të shënojmë atë gol, pasi ishim duke pësuar me dy gola. Ai ka luajtur shumë mirë”, ka thënë Flick për “Movistar Plus”.
“Kemi luajtur me stil dhe kemi provuar të fitojmë. Lamine ishte shumë i rëndësishëm për ne. Në ndeshje të mëdha, që tashmë e ka shfaqur, ai gjithnjë del në pah”, ka shtuar tekniku gjerman.
Ndeshja u vlerësua lart, ndërsa Barcelona, ndonëse llogaritej favorite, nuk arriti fitore. Rezultati 3:3 bën që sfida të jetë plotësisht e hapur për ndeshjen e kthimit në “Giuseppe Meazza”.
“Është e papranueshme që kemi pësuar kaq shumë gola, por duhet ta vlerësojmë edhe Interin që u paraqit shumë mirë”, ka thënë sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, pas goditjes së të cilit u shënua autogol nga portieri i Interit, Yann Sommer.
“Gjëja e rëndësishme është që kemi rezultatin që e lë çdo gjë të hapur”.
Edhe trajneri i Interit, Simone Inzaghi ishte plot lavde për Yamalin. Ka thënë se i është dashur të bëjë shumë përshtatje në pushim mes pjesëve në përpjekje për ta ndalur adoleshentin e talentuar.
“Është dashur të jemi më të mirë me Lamine Yamalin. Ai është lojtar që më ka impresionuar. Ai bëri shumë probleme për ne, sidomos në 30 minutat e parë të ndeshjes”, ka thënë Inzaghi. Ai është krenar me paraqitjen e skuadrës.
“Barça është ekip me lojtarë fantastikë dhe të luajmë një ndeshje të tillë, ndaj ekipit më ofenziv në botë, duhet të na bëjë krenarë. Kemi mundur edhe të fitojmë, por kemi luajtur ndaj ekipit që ka një lojtar që vështirë mbulohet, që bëri shumë probleme për ne. Ai është talent që lind çdo 50 vjet”, ka vazhduar Inzaghi për Yamalin.
Supertalentin e Spanjës e kanë lavdëruar edhe lojtarët e Interit e po ashtu shumë analistë të futbollit.
“Unë mundohem të kënaqem dhe mendoj se ky është sekreti. Nuk mendoj për asgjë pos për të luajtur futboll. Mundohem që të sigurohem që njerëzit kënaqen duke shikuar një ndeshje. Nuk kam bërë ende asgjë. Kam shumë për të bërë, shpresoj se do të vazhdoj kështu”, ka thënë Yamal pas ndeshjes me Interin.
Ai është i bindur se Barcelona do të fitojë në Itali dhe do të kualifikohet në finale.
Lamine Yamal ka pasur një bashkëbisedim me legjendën Thierry Henry, që ishte në një studio televizive në Angli. Henry i ka thënë se do të jetë në stadium për “El Clasicon” e 11 majit, ndërsa e ka pyetur Yamalin nëse do t’ia japë fanellën për djalin e tij.
“Duhet t’i shkëmbejmë”, është përgjigjur Yamal. “Do ta jap fanellën time dhe ti ma jep tënden. Të Barcelonës, Arsenalit, cilën të duash”, ka vazhduar supertalenti.